Legjenda e Floçkës së detit

April 21, 2012   | Opinione

Floçka e detit te ne, në mitologjinë tonë është një fenomen i cili mund të ndeshet edhe në mitologjinë e popujve të tjerë si p.sh tek ajo greke ku quhet sirenë, apo asaj gjermane me emrin Lorelei. Te grekët në kohën antike si femra të bukura, me bukuri dhe me këngë kanë terhequr vëmendjen e detarëve duke shkaktuar gjithmonë rrezik. Gjithashtu edhe Lorelaj në mitologjinë gjermane me këngën e saj duke krehur flokët e arta me një krahër të artë, lart mbi një shkëmb, aty ku është rreziku më i madh, tërheq vëmendjen e marinarëve dhe u shkakton rrezik.
Shpeshherë, pra, kjo bukuri e femrës me bukuri magjike, shkakton rrezik për marinarë, por gjithmonë plot fantazi i cili në fund çon deri te shpëtimi. Te ne, në mitologjinë tonë, por edhe më vonë, Floçka paraqitet si një femër me një bukuri të jashtëzakonshme, gjysmë femër, gjysmë peshk. Kjo Floçkë, siç e ka quajtur populli jonë, shpeshherë është paraqitur te Punta e Nuradinit dhe nganjëherë te Guri i Vogël i Limanit, dhe gjithmonë duke krehur flokët e zeza kaçurela, me krahën të artë, ka terhequr vëmendjen e kalalive, posaçërisht atyre të cilët rrinin çdo ditë në Pazarin e Gjytetit. Legjenda e Floçkës është treguar brez pas brezi duke u shtuar dhe duke u qendisur për gjenerata të reja.Unë e kam dëgjuar një version nga kohët e lashta të cilët shpeshherë e kanë treguar të parët tanë.Nga Pazari i Gjytetit, pra ku shihet deti, njerëzit gjithmonë para se shkonin në shtëpi e vështronin detin, janë ndalur një çast, dhe shumë nga këta kanë imagjinuar ta shohin Floçkën. Deti gjithmonë ka sekrete të ndryshme. Ende edhe sot është ashtu, posaçërisht në ato kohët e lashta kur këtij qyteti nga deti i vinin të gjitha të mirat, por edhe të këqijat.
Shumë nga keta njerëz kanë ëndërruar për bukurinë Floçkës së detit, dhe shumë nga keta dëshironin edhe ta zënin me rrjetë si peshk. Një peshkatar i varfër por i ri, për çdo natë kurdo që lëshonte rrjetat në det luste Zotin t’ia tregonte vendin ku ti lëshonte ato, me shpresë se do ta zinte Floçkën. Ditë për ditë njësoj, rrjetat boshe por shpresën kurrë nuk e humbi. Kështu një natë të qetë e të bukur në ëndërr iu duk se Zoti i detit ilir Bindi i tregon se ku t’i lëshojë rrjetat. Në mesnatë çohet, merr sandallin dhe rrjetat nga Kacemja, dhe shkon ngadalë me rrema aty pas Gurit të Madh afër Lugut të Xhemiles, në vendin të cilin e pa në gjumë. Kaloi një kohë e gjatë dhe peshkatarin filloi ta merrte gjumi. Ishte qetësi edhe asgjë nuk lëvizte. Pak para se të zbardhte drita u dëgjua një gjamë pranë sandallit, dhe ashtu përgjumshëm peshkatari tërheq rrjetën, dhe nuk mund të besonte se kishte zënë Floçkën e detit, ëndrrën e mijërave detarë para tij.
Menjëherë ia hoqi këmishën me çka ishte i mbuluar trupi i saj, dhe pa të cilën ajo nuk mund të jetojë në det, dhe pranë tij doli një grua me një bukuri të mahnitshme. Menjëherë pa zbardhur drita, vjen në shtëpi, e fsheh këmishën e saj nën prag të derës, dhe shpall se don ta martoj Floçkën, çka edhe ndodhi së shpejti. Prej një peshkatari të thjeshtë u bë njeriu më i lumtur në botë.
Mbi njezet vjet jetoi i lumtur. Nga kjo martesë lindën tri vajza të bukura me flokë kaçurrela ashtu siç i kishte nëna e tyre. Kaluan pra 20 vjet dhe peshkatari kurrë nuk ia tregoi Floçkës se ku e fshehi këmishën e saj të detit. Mirëpo me insistimin e saj t’ia tregonte, sepse ajo tash ishte nënë me tre femijë, dhe nuk i shkon ndër mend të ikte, peshkatari bëri gabimin më të madh në jetën e tij. I tregoi se ku e ka fsheh këmishën. Bëri gabimin më të madh në jetë duke i besuar gruas. Floçka pavarësisht se kishte tre fëmijë dhe mbi 20 vjet jete me peshkatarin e Kalasë, kurrë nuk mundi ti adaptohet mjedisit të ri.
Kështu një natë me stuhi e me furtunë dëgjon nga thellësia e detit zërin e thirjes, çohet ngadalë ,vesh këmishën e cila ishte në thes nën prag të derës, puth vajzat në gjumë dhe me sy plot lot ulet në Puntën e Nuradinit. Ngadalë lëshohet në det dhe tretet në thellësi të detit dhe në legjendë. Neve na i ka lënë tri vajzat bukuroshe me flokë të zeza kaçurrela, dhe njëra prej tyre më vonë do t’i shërbente Servantesit të madh, të cilin si rob lufte e sollën këtu te ne, në Kalanë e Ulqinit, si inspirim për personazhin më të famshëm të letërsisë botërore “Dulsinejën” e Don Kishotit. Nuk e dimë se, a ka dëgjuar Servantesi për Floçkën por e dijmë se Dulsinea, emri famshëm nga trashëgmia jonë sot stolisë mijëra biblioteka anë e mbanë botës.
Ulqin,nenetor 2005
Ismet KARAMANAGA