“Art Club” dhuron libra për Shkollën fillore në Ostros

April 22, 2012   | Kulturë / Kultura

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”

Ulqin, më 21 prill 2012

 

 

Njoftim për media

 

“Art Club” dhuron libra për Shkollën fillore në Ostros

Me rastin e 23 Prillit, Ditës Botërore të Librit, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” i dhuroi sot (të shtunën) 100 libra nga koleksioni i botimeve të saj të fundit Shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Ostros të Krajës. Aksioni me moton simbolike “100 libra për bibliotekat shqiptare” u realizua në kuadër të aktiviteteve të kësaj shoqate për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë

Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e dorëzimit të librave, kryetari i SHAI “Art Club”, Ali Salaj, ka thënë se është përzgjedhur Shkolla fillore në Ostros si pikënisje e kësaj veprimtarie e cila në të ardhmen do të bëhet traditë.

“Kjo është java e librit që kulmon me Ditën ndërkombëtare kushtuar dijes, që është aq e nevojshme për mbijetesën e popullit shqiptar në trojet etnike”, ka theksuar ai.

Drejtori i Shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Ostros, Beqir Berjashi, ka falënderuar Shoqatën “Art Club” për librat e dhuruar duke vlerësuar punën e saj dhe bashkëpunimin e mirë me këtë shoqatë.

Në kuadër të aksionit “100 libra për bibliotekat shqiptare”, gjatë muajit maj “Art Club” do të dhurojë libra edhe për bibliotekat në Junik dhe Deçan të Kosovës.

SHAI “Art Club” është botuesi më i madh ndër shqiptarët në Mal të Zi. Në kuadër të veprimtarisë së saj botuese, kjo shoqatë ka botuar deri tani rreth 80 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Ismet Kallaba
Lajme nga Ulqini