Ulqini ka shumë gjëra për të bërë – Video

April 23, 2012   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Ulqini ka një listë të gjatë gjërash për të bërë dhe jam i sigurt që kjo dihet gjerësisht. Them se janë tri detyra kryesore. Njëra është ndërtimi dhe përmirësimi i infrastrukturës, rrugët, sistemi i komunikimit, sistemi i tubacioneve, që të mos shkatërrohet natyra dhe shumë gjëra të tjera në këtë aspekt.

E dyta është ndërgjegjësimi i arenës botërore dhe asaj të Malit të Zi për Ulqinin. Shumë ulqinakë s’e dinë që për shkak të kohës së gjatë të izolimit,Ulqini s’është më në hartën mendore të industrisë së turizmit dhe të konsumatorëve. Është e rrethuar nga vende me turizëm të fortë në jug e në veri, dhe këta janë konkurentë.Ulqini duhet të mendojë mënyra për të pasur sukses në këtë atmosferë konkurruese, dhe mendoj se për këtë duhet të të mendojë për vlerat origjinale, si mikpritja dhe natyra. Këto janë pikë të forta. Por nuk duhet menduar se të gjithë e dinë se ç’ka për të ofruar Ulqini dhe se ku është në hartë.

E treta që sugjeroj, është përmirësimi i krahut të punës. Është e lehtë të ndërtosh hotele të mëdha, sepse investuesit e kushdo mund të hedhë çimento e të ngrejë ndërtesa me 10 a 20 kate, me mjedise të brendshme për pesë yje e gjithçka. Kjo s’është e rëndësishme. Rëndësi ka shërbimi. Njerëzve u lënë mbresa njerëzit e tjerë, dhe mënyra se si trajtohen nga ata që i mirëpresin, nëse i presin me mirësjellje dhe me profesionalizëm.

Çdo konsumator, çdo njeri, ka pritshmëri ndryshe. Një gjerman mund të ketë pritshmëri ndryshe nga një francez ose nga një italian. Duhen njohur tregjet. Është shumë e rëndësishme të trajnohen të rinjtë, por edhe të moshuarit, në të gjitha aspektet e shërbimeve në restorante, hotele e në industrinë e transportit, në mënyrë që të jenë pritës profesionistë.

YouTube Preview Image