KK “Ulqini” vazhdon traditën e sukseseve të arta

April 24, 2012   | Sporti / Sport

Të shtunën, më 21 prill 2012 në Podgoricë u mbajt Turneu internacional i karatesë “Grand prix Podgorica”, në të cilin klubi i karatesë “Ulqini” u radhit në vendin e parë në renditjen e përgjithshme. Ky është edhe një sukses i rradhës të Klubit të karatesë “Ulqini”, i cili përsëri ruajti supremacinë e vet. Në këtë turne morën pjesë 17 klube me mbi 400 garues nga Bosna, Serbia, Kroacia dhe nga Mali i Zi.
Garuesit e KK “Ulqini” arritën të fitojnë plot 63 medalje në disiplinat ekipore dhe individuale: 31 medalje të arta, 13 të argjendta, 19 të bronzta dhe kupën për vendin e parë në plasmanin gjeneral me plot 148 pikë të fituara. Vendi i dytë i takoi KK “Bar” të Tivarit me 105 pikë, vendi i tretë KK “Champion” nga Ulqini me 34 pikë, vendi i katërt i takoi Federatës së Beogradit me 22 pikë, ndërsa në vend të pestë u rendit KK “Nikshiq” nga Nikshiqi me 21 pikë.

-Klubi ynë në këtë garë mori pjesë me 35 garues të gjeneratave të reja dhe 5 të gjeneratave të vjetra. Jemi shumë të kënaqur që arritëm këtë rezultat mjaft të mirë pasi kemi gjenerata të reja të cilat do të jenë gjenerata të arta në të ardhmen. Po ashtu përgëzojmë edhe Klubin tjetër nga Ulqini i cili u rendit në vend të tretë në renditjen e përgjithshme, – thuhet në deklaratën e KK “Ulqini”.


Nga radhët e Klubit të karatesë “Ulqini” me nga disa me dalje u kurorëzuan:
Stefan Radoviq, Enes Hoti, Anja Dashiq, Liridona Ceka, Resul Ceka, Emro Bajrami, Fiona Kraja, Elvir Islami, Lluka Llazoviq, Anes Xhuretoviq, Ridvan Xhuretoviq, Albert Rudoviq, Kristian Junkoviq, Bylbyl Rexhepi, Christopher Rudoviq, Gabriel Bytyqi, Eliza Salihu, Diellëza Rama, Blerdi Kapllani, Nermin Suma, Fation Hoti, Edmond Demiri, Ensar Marshiq, Adnan Kuqi, Gabriella Junkoviq, Egzon Kraja, Idriz Sadikoviq, Ibrahim Zogaj, Hysen Rama, Enis Rexha, Egzona Nika, Ethem Kaleziq, Valentino Sadikoviq, Mensur Ceka, Erion Nika, Behlul Peri, Albion Duraku, Radica Dashiq, Seida Suma dhe Dardan Ceka.

-Kemi apeluar disa herë për ndihmë financiare, me ç’rast kemi dhënë premtimin që nuk do t’ju zhgënjejmë, premtim të cilin e kemi mbajtur duke qenë përsëri në krye të më të mirëve. Mirëpo, prapseprap përkrahja është shumë e vogël, kështu që Klubi ynë në garat në vijim do të marrë pjesë sa për të respektuar ftesat e bëra me pak garues.
Për fat të keq, duke mos pasur përkrahje financiare po i prehet perspektiva të rinjve tanë të cilët na kanë përfaqësuar kudo me dinjitet, ne dhe qytetin tonë. Apelojmë për ndihmë te të gjithë qytetarët, institucionet shtetërore e private, për hir të rinjve tanë dhe traditës së gjatë tri dekada të klubit tonë, për hir të ardhmërisë sonë.

SHËRBIMI PËR MARRËDHËNIE
ME PUBLIKUN I KK “ULQINI”