Hajredin Kovaçi: Përmbledhje me poezi “Vrasja e frikës”

April 26, 2012   | Kulturë / Kultura

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”

Ulqin, më 25 prill 2012

 

 

Njoftim për media

 

“Art Club” boton përmbledhjen me poezi “Vrasja e frikës” të Hajredin Kovaçit

Në kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini para disa ditësh doli nga shtypi vëllimi me poezi “Vrasja e frikës” i poetit nga Ulqini, Hajredin Kovaçi.

Kjo është përmbledhja e tretë e autorit i cili më parë ka botuar vëllimet me poezi “Ecje pa mbarim” dhe “Fundi është larg”.

Përmbledhja “Vrasja e frikës” përbëhet nga 91 poezi, të ndara në tre cikle: “Aktakuza”, “Deti i bardhë” dhe “Me hënën rashë në dashuri”. Ajo paraqet vazhdimësi të dy vëllimeve të tij të mëparshme poetike, ku poeti shpreh shqetësimin për dukuritë negative të shoqërisë së sotme shqiptare, vlerat e nëpërkëmbura morale etj.

Redaktor i librit është Basri Çapriqi, recensent Haxhi Shabani, lektor Ismet Kallaba, redaktor teknik Gazmend Çitaku dhe autor i ballinës Agron Ujkashi.

Libri është shtypur në Entin Botues “Gjergj Fishta” në Lezhë dhe botimi i tij është mbështetur nga Fondi për Pakica i Malit të Zi.

Ky libër pasuron koleksionin e botimeve të SHAI “Art Club”, si botuesit më të madh ndër shqiptarët në Mal të Zi. Në kuadër të veprimtarisë së saj botuese, kjo shoqatë ka botuar deri tani rreth 80 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

Vlerësime për librin “Vrasja e frikës”

 

Që me librin e tij të parë, Hajredin Kovaçi ka dhënë shenja se do të regjistrojë me shumë kujdes dukuri që e bezdisin dhe nuk e lënë indiferent në ambientin ku jeton dhe ku ai merr pjesë emocionalisht në artikulimin e një bote të rrëmujshme dhe plot paradokse. Poeti ka gjetur rrugën më të mirë për t’u ballafaquar me një botë që shfaq çdo ditë agresivitetin social, politik e moral, rrugën e distancës ironike me të cilën ka arritur që me shumë elegancë të shpërfaqë rënien, rrënimin dhe degradimin e kësaj bote që e rrethon çdo ditë. Me secilin libër, Kovaçi ka shënuar një ngritje cilësore në planin e prozodisë poetike ku në librin e tij të fundit ka arritur të na japë një produkt cilësor gjuhësor artistik si dhe një botë të pasur emocionale të cilën nuk e kishim parë më parë në opusin poetik të këtij poeti”.

 

Prof. dr. Basri Çapriqi, poet dhe studiues

 

 

Prirja e theksuar për kontemplacion, metaforika e thellë dhe asociative, pesimizmi që rrezikon të kalojë në filozofi të absurdit, thithja e vështirësuar e oksigjenit jetëdhënës, paraqesin disa veçanti të poezisë së Hajredin Kovaçit. Gjuha poetike është e kodifikuar, shumështresore. Libri sikur të jep përshtypjen e një galerie ku ekspozohen torzo lirike. Hajredin Kovaçi është një krijues intravert, por ka shpirt artisti.

Mr. Anton Gojçaj, shkrimtar dhe kritik 

 

Biografia e Hajredin Kovaçit

Hajredin Kovaçi u lind në Draginë (Ulqin) në vitin 1960. Shkollën fillore e kreu në Anë të Malit, kurse atë të mesme në Ulqin. Ishte nxënës i shkëlqyer dhe mori Diplomën “Lluça”. Në vitin 1979 u regjistrua në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ku si rezultat i trazirave të vitit 1981, u arrestua në Prishtinë dhe u dënua politikisht me dy vjet burg.

Ka filluar të shkruaj shumë herët dhe ka botuar herë pas here në revistat e kohës duke filluar në “Fillimet”, “Zëri i Rinisë”, “Bota e re”, “Fati”, e më vonë edhe në revistën “Lemba”, “Alternativa”, “Koha javore” etj. Deri tani ka botuar tri përmbledhje me poezi: “Ecje pa mbarim”, “Fundi është larg” dhe së fundmi “Vrasja e frikës”.

Është njëri ndër themeluesit e subjektit të parë politik të shqiptarëve në Malin e Zi – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi. Gjithashtu është një ndër themeluesit e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Fondacionit “Studenti” që veprojnë në Komunën e Ulqinit.

Ismet Kallaba
Lajme nga Ulqini