Nail Draga: ” Pozita e librit shqip në Mal të Zi”

April 26, 2012   | Reportazh / Reportaža

 LIBRI BAROMETËR I KULTURËS

 

(Me rastin e 23 prillit, Ditës Botërore të Librit dhe e së Drejtës së Autorit)

 

 

Ne kuadër të ditëve të shënuara në përmasa botërore, bën pjesë edhe 23 prilli që i është përkushtuar librit dhe së drejtës së autorit, datë kjo varësisht prej vendeve shënohet në mënyrë tradicionale në shumë vende të botës. Ndihmesën e tyre ne ketë aspekt mund ta japin të gjithë, por përgjegjësia kryesore bie mbi punonjësit e kulturës, bibliotekave, botuesve, autorëve, intelektualëve  dhe publicisteve.

Siç dihet kjo ditë është shpallur zyrtarisht nga UNESCO në vitin 2000, pasi kjo datë përkon me datëlindjen e dramaturgut të shquar anglez Ulliam Shekspiri dhe datëvdekjen e Migel Servantesit.

Andaj me rastin e kësaj “feste”  në Ulqin japim kontributin tonë me ketë tryezë të rrumbullakët,, duke i përkujtuar opinionit të gjerë, se libri meriton përkujdesin e lexuesve kudo qofshin ata.

 

Meritë e sektorit të shoqërisë civile

Ne ketë tryezë të rrumbullakët e cila është e para qe organizohet nga se ekziston Qendra e Kulturës  do të trajtohen tema dhe çështje të cilat kanë të bëjnë  me pozitën e librit dhe rrjedhat e përgjithshme shoqërore, ne ketë mjedis.

Eshtë konstatim i përgjithshëm se sa i përket  librit shqip në Mal të Zi,  ndryshime pozitive janë bërë pas vitit 1990, kur u miratua pluralizmi politik. Nga ajo kohë e deri më tash autorët shqiptarë në Mal të Zi kanë botuar një numër të konsiderueshëm  botimesh nga zhanre të ndryshme  profesionale. Vetëm titujt e botuar nga “Art Club”, nga libri i parë i dr.R.Ushakut “Ulqini në rrjedhat e kohës” botuar në vitin 1991 arrijnë rreth 80, duke qenë botuesi me serioz  në shqip në Mal të Zi. Ndërsa po ashtu duhet veçuar punën e bërë  edhe nga botues të tjerë si “Illyricum”, “Gjon Buzuku”, “Ulqini”, “Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi” etj.

Dhe për këto dy dekada të del qartë se  kjo veprimtari është bërë në sajë të rrethanave të tjera shoqërore të cilat kanë tejkaluar në çdo aspekt periudhën e monizmit, si nga ana sasiore dhe ajo cilësore, që është meritë e sektorit të shoqërisë civile. Veprat e botuara dëshmuan se kemi të bëjmë me një potencial të krijuesve vendorë të cilët ne monizëm nuk kanë pasur mundësi të vijnë në shprehje sepse ka munguar liria  mendimit dhe e të shkruarit.

Eshtë përshtypje unanime se një veprimtari e tillë është bërë në sajë të punës profesionale  dhe pasionit të individëve të ndryshëm të cilët si  motiv kryesor kanë pasur prezentimin e vlerave të përgjithsme kulturore, letrare e shkencore te shqiptarët në këtë mjedis.

 

 

Ministria e kulturës nuk e financon librin shqip

Nëse përjashtojmë botimet nga fusha e librit shkollor që janë, kryesisht, përkthime nga autorët sllavë, për shkollat me mësim në gjuhën shqipe, nga ana tjetër libri shqip në Mal të Zi si më parë edhe tash nuk ndihmohet materialisht nga institucionet buxhetore, qoftë në nivelin lokal, apo atë  shtetëror.Ndonse një dukuri e tillë ishte konstante ne monizëm, është pritur qe të bëhën ndryshime  në pluralizëm. Por, ndodhi e kundërta, sepse as ne pluralizëm nuk bënë ndryshimet e pritura, sepse këtu vazhdon mentaliteti i njëjtë si më parë. Një qendrim i tillë dëshmohet me faktin  se nga Ministria e Kulturës  vazhdimisht financohen tërësisht apo pjesërisht botime në gjuhët sllave duke dominuar ajo  malazeze, ndërsa ato në gjuhën shqipe vazhdimisht refuzohen.

Si dëshmi në këtë aspekt na shërbejnë  rezultatet e konkurseve vitet e mëparshme  që janë  shpallur nga Ministria e Kulturës si p.sh.  në   vitin 2004 e 2005. Nga të dhënat e publikuara atëher dual qartë  se nga ata konkurse  nuk pat  fituar të drejtën për t’u financuar asnjë botim në gjuhën shqipe, që paraqet një diskriminin të autorëve dhe të librit shqip në ketë mjedis.

Me të drejt bëhët pyetja, si ka mundësi që kjo ministri, e cila financohet edhe me kontributet e qytetarëve shqiptarë, të mos jetë në gjendje të financojë as një libër në gjuhën shqipe. Veprimi i tillë nuk ka dilemë së dëshmon në mënyrë transparente se libri shqip është i diskriminuar. Ndërsa  deri kur do të egzistojë një diskurs i tillë  ndaj librit shqip është çështje e veçantë,  sepse për ndryshime pozitive në ketë aspekt fillimisht duhet të ndryshojë mentaliteti i udhëheqësve në strukturat përkatëse qeveritare.

Gjendja nuk është më e mirë as në pushtetet lokale ku jetojnë shqiptarët si popullsi autoktone. Në ketë aspekt shëmbull pozitiv ka mundur të jetë pushteti i Ulqinit, por edhe këtu ka  munguar  përkrahja e autorëve dhe botuesve shqiptarë, ndërsa ajo edhe nëse ka qenë ishte vetëm simbolike. Përjashtim bën konkursi për ndarjën e mjeteve OJQ-ve, por fondi i tillë është i pamjaftueshëm, andaj  duhet bërë përpjekje qe ai të ndryshojë në favor të botimit të librit shqip.

 

 

Mecenati  e vetmja shpresë

Te ndodhur në ketë situatë aspak të volitshme autorët dhe botuesit në gjuhën shqipe nga shoqëria civile, vazhdimisht janë gjendur duke kontaktuar me donatorët e ndryshëm  qoftë nga vendi apo nga bota e jashtme, të cilët  kanë shprehur gadishmerinë për të ndihmuar botimet  në gjuhën shqipe. Madje, po të mos ishte kjo formë e ndihmës, do të ishin të pakët ata të cilët kanë pasur mundësi për të botuar librat e tyre. Por, një gjendje e tillë nuk mund të qëndrojë gjatë sepse forma e mecenatit për të ndihmuar kulturën në përgjithësi e librin në veçanti nuk është zgjidhje afatëgjatë, sepse çdo gjë ka arsyen e vet.

 

Financim proporcional nga buxheti

Duke u nisur nga situata aspak e volitshme  është koha e fundit  që autorët dhe botuesit shqiptarë të financohen nga subjektet buxhetore në mënyrë proporcionale si kudo në mjediset multinacionale e multikulturore.Vetëm një veprim i tillë praktik do të eliminonte qasjet hegjemoniste edhe në fushën e kulturës, sepse një çështje e tillë nuk paraqet vetëm problem financiar por edhe politik.

Nuk ka dilemë se përgjegjësia kryesore ne ketë aspekt bie mbi Ministrinë e Kulturës e cila e ka obligim kushtetues për të financuar edhe  kulturat e popujve  tjerë të cilët janë numerikisht më të pakët ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët. Vetëm me një qasje tjetër  duke respektuar edhe kulturat e popujve  tjerë në ketë mjedis, do të kemi ndryshime pozitive ne të kundërtën do të vazhdohet me hegjemonizmin kulturor si deri më tash. Andaj, pa një veprim te tillë praktik dhe transparent çdo gjë do të vazhdojë si deri më tash qe  nuk është në  favor të librit shqip në veçanti dhe kulturës shqiptare në përgjithësi në këtë mjedis multikulturor.

 

Dr.Nail  Draga

 

 (Fjala e rastit e mbajtur në Tryezën e rrumbullakët ” Pozita e librit shqip në Mal të Zi” me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe e së Drejtës së Autorit, oraganizuar nga Qendra Kulturore në Ulqin me 24.4.2012).