Basha-Vujanoviq: Rritje e bashkëpunimit Tiranë-Podgoricë

May 4, 2012   | Rajoni / Region

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim Presidentin e Malit të Zi Filip Vujanoviç.Në takim zoti Basha dhe Vujanoviç nënvizuan rëndësinë e vendosjes dhe intensifikimit të një bashkëpunimi mes Tiranës dhe Podgoricës. Zoti Basha nënvizoi se afërsia gjeografike dhe infrastruktura e përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit që i lidh dy kryeqytetet, është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin në fushën e turizmit, artit, kulturës dhe rritjes së investimeve.

Zoti Vujanoviç tha se Tirana është bërë një qytet atraktiv për turistët, çka e dëshmon dhe numri i madh i grupeve që une pashë sot në Tiranë.

Zoti Basha dhe zoti Vujanoviç diskutuan për bashkëpunim mes operatorëve turistikë për përgatitjen e guidave dhe planifikimin e tureve të përbashkëta turistike të Tiranës dhe Podgoricës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u ndal dhe në bashkëpunimin artistik e kulturor mes dy kryeqyteve.

Zoti Basha nënvizoi se Tirana mirëpret artistet malazez të japin shfaqe në Tiranë sikundër është e gatshme të krijojë mundësitë për promovimin e traditave dhe kulinarisë malazeze në rrugët e Tiranës. Të njëjtën gjë, tha zoti Basha, Tirana është e gatshme të bëjë edhe në Podgoricë, Budva, Kotorr e qytete të tjera të Malit të Zi.
Në takim u diskutua edhe për projektet e zhvillimit. Zoti Basha bëri të ditur se pas 22 vjetësh, Tirana së shpejti do të ketë planin urbanistik. Pjesë e këtij plani, tha zoti Basha, është bulevardi i ri dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës, projekt i cili prek 20% të territorit.
Kryebashkiaku tha se qëllimi i tij nuk është vetëm hapja e horizonteve të reja për investimet vendase por edhe për ta bërë Tiranën qytet të mundësive të medha për investitorët e huaj, përfshirë edhe ata malazez.

ORA NEWS