Rudi Goga ekspozon në Gjermani – Foto Piktura

May 10, 2012   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Gjonaj

Një pjesë e  krijimtarisë  artistike të piktorit të njohur ulqinak Rudi Goga është shpalosur më 5 maj  na ambijentet e Galerisë së Arteve „Karl Braner“   në komunën Kasell të Gjermanisë. Goga para artdashësve gjermanë u prezantua me ekspozitën e tij të 60-të me radhë „ Homazh profesor Jozef Bojs“, të cilën e shpalli të hapur  kryetari i Regjionit  të Hesenit Bertraum  Hillgen.  Krijimtaria e begatshme e këtij artisti me famë mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare  në Gjermani u pasqyrua nëpërmjet 41 grafikave bardhë e zi, në të cilat  piktori evokoi kujtimet e tij ndaj profesorit të shquar gjerman Bojs, në kohën kur Goga  mbaroi studimet pasuniversitare në Diseldorf, në vitet  80- të shekullit të kaluar.  Në prag të udhëtimit për në Gjermani piktori Goga na tha se ndjehet i nderuar me pjesëmarrjen e tij në këtë qytet të njohur  të artit pamor, i cili, siç tha ai, i paraprinë bienaleve të sivjetme të cilat do të mbahen  muajin e ardhshëm po në këtë galeri ku ai  është i pranishëm me pikturat e veta.  Kjo ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur deri më 1 qershor,  shton Goga, është organizuar me ftesë të  drejtorit të galerisë së Kasellit. Sipas Gogës  me një teknik të kombinuar , bardhë e zi  në mënyrë autentike ka paraq1tur  portretin e profesor Bojsit, i njohur në botën e artit  si një personalitet i madh e kontraverz,  i cili gjithmonë ka qenë  në të njëjtën kohë   objekt   mburrjeje dhe moskuptimi .

Këtë cikël   Goga e ka realizuar duke u   mbështetur  në pikturat dhe fotot e profesor Bojsit të cilat në kuadër të aksionit 7000 blinjë i ka fotografuar fotografi i njohur  Diter Ahfelde, i cili ka vdekur në vitin 2006. Unë, shprehet Goga, me  këtë ekspozitë prezantojë jo vetëm figurën  time krijuese, por edhe shqiptarët në Malin e Zi, qytetin e Ulqinit dhe shtetin  ku jetoj.

Piktori dhe pedagogu Rudi Goga është krijues që ka përfaqësuar dhe përfaqëson personalitetin  e çmuar në universin tonë të gjithëmbarshëm artistik kombëtar. Me potencialin e vet krijues ai na shfaqet si  njohës i mirë i artit  pamor, që me veprat e krijuara zë vend  të konsiderueshëm dhe bindës në mbarë krijimtarinë  bashkëkohore artistike  shqiptare.

Rudi Goga, ka lindur në vitin 1948. Eshtë diplomuar në Akademinë e Arteve të Prishtinës, në klasën e akademikut Muslim Mulliqi, në vitin 1979. Ka kryer studimet pasuniversitare në Dyseldorf të Gjermanisë, me profesorët e njohur gjermanë, Rrolf Sokenhajm dhe Josef Bojs. Për tri vjet ai ka drejtuar Muzeun-Galeri të Arteve në Ulqin. Ekspozita e parë vetjake, e titulluar “Kulla e Balshajve”, është hapur  në Ulqin në vitin 1978 dhe vazhdoi me një numër të  madh aktivitetesh, brenda dhe jashtë vendit. Gjatë karrierës artistike, Goga numëron 60 ekspozita personale dhe po aq kolektive, jo vetëm brenda kufijve të Malit të Zi, në Ulqin e Tivar, por edhe në Gjermani, Holandë, Francë, Nju Jork, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e tjerë. Punime të tij gjenden në galeri dhe koleksione private, në vende të ndryshme të Evropës, ku piktori ka ekspozuar. Ndërkohë Goga numëron edhe disa çmime, mes të cilave në vitin 1991 çmimin vjetor të Art Klubit, Ulqin, në 1995 “Onufri ‘95”, Tiranë, në 1998  dhe SHPMZ, në Podgoricë.

Lajme nga Ulqini