Intervistë me Rrezart Cungun – Krenaria e sportit të Ulqinit

May 11, 2012   | Intervista / Intervju

Krenaria e sportit të Ulqinit, dhe jo  vetëm, tenisti trembëdhjetëvjeçar Rrezart Cungu vazhdon të jetë i suksesshëm në garat ndërkombëtare. Tenisti i ri ulqinak, njëherazi shpresa e tenisit të Malit të Zi, në dubël me gjermanin Patrich Zahraj ka fituar medaljen e argjendtë në Turneun Evropian i cili u mbajt në kryeqytetin grek – Athinë.
Nderkaq ne turneun kryesor Cungu në ndeshjet kualifikuese shkëlqeu ndaj grekut Stamatis Kapiris , të cilin e mposhti me rezultat 6:4, 6:1 dhe ndaj francezit Maxime de Montefalkon në dy sete me rezultat 6:2, 6:3. Në raundin e parë mundi bindshëm tenistin turk Murat Gurel, me rezultat 6:1, 6:0, por në raundin e dytë humbi nga tenisti Iliopulos Vasileios me rezultat 5:7, 3:6, i cili u shpall fitues i turneut. Cungu me formën që shfaqi në këtë turne cilësor,ku fitoi 20 pikë, dëshmoi edhe një herë se me hapa të sigurtë është duke e trasuar udhën e tij të suksesit, duke u radhitur kështu në mesin e 300 tenistëve më të mirë në Evropë në grupmoshën e tij.

Kur një tenist i moshës tuaj kthehet me medalje të argjendtë nga një turne i nivelit evropian siç ishte ky në Athinë me siguri ndjehet shumë i kënaqur?
Pas këtij turneu ndjehem shumë më I sigurtë dhe më i motivuar për ndeshjet e tjera. Kjo garë për mua do të thotë një eksperiencë më shumë, e cila më solli më shumë vetëbesim. Ndeshja e parë me turkun Murat Gurel, i cili rënditej në vendin e 169-të në Evropë më befasoi shumë, megjithatë isha superior ndaj tij, thotë Cungu. Për të arritur këtë rezultat sigurisht se ishte mjaft vështirë, pasi konkurrenca nuk ishte e lehtë.

Çka mund të na thuash për kundërshtarët tuaj dhe për atmosferën sportive atje?
Ishte kënaqësi e madhe për mua që konkurova në turneun evropian në Athinë. Ai ishte në nivel të lartë dhe tuboi shumnë tenistë të mirë nga shtete të ndryshme të Evropës. Të gjithë kundërshtarët e mi ishin me eksperiencë te madhe dhe dallimi në mes tyre ishte i vogël.

Në raundin e dytë keni humbur nga tenisti Iliopulos në dy sete, i cili edhe triumfoi në këtë turne. Ishte ky pikërisht një tenist më i mirë se ju, apo nuk ju shkoi gjithçka siç e kishit menduar se mundeni?
Ndeshja kundër tenistit grek Iliopulos nuk ishte aspak e lehtë. Situatën e vështirësuan edhe tifozët e shumtë që e perkrahën bashkëvendasit e tyre. Por, unë do të dëshiroja të kam një rindeshje me Iliopulos në turneun e nivelit evropian, i cili do të organizohet së shpejti në Ulqin. Jam i bindur që në ndeshjen e kthimit do të jam më I mirë se greku.

Ndërkaq, në dubël luajtët në finale. A mendoni se keni mundur të tregoni lojë më të mirë se sa kundërshtarët tuaj, Kristos Lazaridis dhe Antonopolus Konstatinos?
Në dubël, së bashku me partnerin Patrick Zahraj nga Gjermania, kishim një rrugë të lodhshme deri në finale. Dy gabime ishin vendimtare dhe të mjaftueshme për humbje. Në tenis diferenca shpesh është e vogël në mes të fituesit të vendit të parë dhe të dytë, kështu që nuk kam sesi të mos jam i kënaqur me këtë rezultat.

Kompania e njohur “Babolat” ju ka ofruar sponsorim. A keni arritur ndonjë marrëveshje konkrete?
Kompania “Babolat” më furnizon me paisje: reketë ,topa,patike etj. Tash për tash mjafton kaq. Së  shpejti duhet të vendosim për sponzorim dyvjeçar.

I gjithë ky sukses i Rrezartit nuk do të ishte I mundur pa mbështetjen e plotë financiare e morale të prindërve të tij – Nazifit e Gazmires, të cilët nuk kursejnë asgjë që djali i tyre të vazhdojë rrugën e filluar të një tenisti tashmë të sukseshëm, i cili premton shumë. Në pyetjen tonë se çfarë ndiesie është të jeshë prindër i një talenti siç është Rrezarti, i cili nga Federata e Tenisit të Malit të Zi është shpallur shpresa e tinisit malazez në kategorinë e tij, bababai Nazifi përgjigjet: “Është kënaqësi e veçantë, por edhe brengosje. Sportet individuale janë shumë të vështira dhe tenistët askush nuk mundet t’i ndihmojë gjatë lojës. Si prindër mundohemi t’ia krijojmë kushtet optimale për këtë sport të shtrenjtë. Përveç suksesit kënaqemi sidomos kur kthehet nga turnetë pa lëndime”.
Gjekë Gjonaj
Koha Javore