Art Club – Aksioni i dhurimit te librave per Biblioteken ne Junik

May 25, 2012   | Kulturë / Kultura

Përfaqësues nga Ulqini dhurojnë libra bibliotekës së Junikut – 24 maj 2012
Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi priti sot përfaqësues të artistëve dhe intelektualëve shqiptar nga Ulqini. Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve shqiptar në Mal të Zi ka sjellur një numër simbolik të librave, për të pasuruar bibliotekën junikasve në këtë 100 vjetor të Kuvendit të Junikut.

Kryetari Kuçi, falënderoi Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve nga Ulqini për librat e dhuruar, ai po ashtu, falënderoj shqiptarët në Mal të Zi për kontributin e tyre, që në vazhdimësi e bëjën për shqiptarët në Kosovë. Sipas Kuçit “kjo dhuratë modeste, këto libra janë pasuri për Kullën, për bibliotekën, për nxënësit dhe qytetarët e Junikut”.
Kryetari shprehi falënderim edhe për vizitën artistëve dhe intelektualëve në këtë 100 vjetor të Kuvendit të Junikut, që i priu Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërsa , Ali Salaj në emër të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve të “ART CLUB” nga Ulqini deklaroj:

“ Shprehim një kënaqësi të veçantë që sot gjendemi në Junik për të kryer një veprimtari modeste kulturore, por shumë simbolike për kombin tonë në 100 vjetorin e Pavarësisë. Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini dhuron botimet e veta në një bibliotekë të rindërtuar në Kullën e Hoxhajve e cila është gërshetim më të bukurës: ruajta e trashëgimisë kulturore me simbolin e dijes, me librin. Është ky një gërshetim i heroizmit dhe diturisë. Kulla me rezistencën kombëtare me urtinë dhe mençurinë ofron vend nderi Librit, Shkrimtarit , Poetit.

Kjo bibliotekë në Kullën e Hoxhajve tregon se librin shqip nuk mund ta zhduk as dhuna as terrori, që gjatë viteve të `90-ta, ushtroi pushteti serb duke djegur disa biblioteka në Junik dhe Deçan me mbi 100 mijë libra. Ishte kjo dhunë që shqiptarët i motivon edhe më shumë për t`iu përkushtuar në mënyrë serioze traditës dhe kulturës kombëtare.

Shqiptarët në Mal të Zi, i kanë mbështetur dhe janë përkujdesur për të dëbuarit e luftës së Kosovës, kurse mërgata shqiptare në Mal të Zi në Amerikë i ka kontribuar jashtëzakonisht çështjes së Kosovës, prandaj këto lidhje të sinqerta midis një populli të ndarë duhet ti ruajmë dhe ti kultivojmë edhe më shumë qoftë përmes artit, kulturës apo edhe sportit. Edhe këto libra të krijuesve shqiptarë nga Mali i Zi dueht të shërbejnë si një urë bashkëpunimi, por edhe si një shenjë përkujtimi që në një cep të atdheut tonë jeton dhe vepron një degë e kulturës shqiptare “ , përfundon fjalimi i Z. Salaj.

Ismet Kallaba
Lajme nga Ulqini