Ulqini Eldorado i Shkodranëve,pagat si ne Zvicër

May 30, 2012   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Shkodranët gjejnë punë në Ulqin: Paguhemi dyfish

Pagat më të larta dhe kushtet më të mira të punës kanë detyruar krahun e punës shkodran të orientohet drejt Ulqinit. Punësimi i tyre bëhet kryesisht në sektorin e shërbimit dhe prodhimit, si prodhim mobilie, rrobaqepësi apo dhe prodhim këpucësh. Prej kohësh në qytetin e Shkodrës apo në mediat lokale shikon njoftime punësimi për në Ulqin. Si për ironi të fatit, për të njëjtin vend pune shkodranët preferojnë të punojnë në Ulqin, duke lënë vendet e punës në qytetin e tyre. “Unë kam punuar në një ndërmarrje prodhim mobiliesh në Shkodër prej 10 vitesh. Jam paguar afërsisht 20 mijë lekë në muaj. Tani unë kam dy muaj që punoj në Ulqin. Paguhem 350 euro në muaj. Respektohet orari i punës dhe nëse punojmë më shumë kemi shtesë në pagë. Madje aty ku punoj unë ka punëtorë më të vjetër që paguhen me 450 euro në muaj. Pronari na ka premtuar edhe ne më të rinjve që do të kemi rritje page”, shprehet Kujtimi, 38 vjeç, nga Shkodra. Ai tregon se vjen pranë familjes së tij dy herë në javë, të organizuar me autobus, por ka edhe të tjerë që shkojnë e vijnë çdo ditë. “Të punosh në Ulqin nuk është aspak problem. Ndihemi si të ishim në Shkodër, respektohemi prej të gjithëve. Nuk është problem as rruga, pasi për më pak se 40 minuta ne jemi në vendin e punës”, shton më tej Marashi, një tjetër i punësuar në Ulqin. E ndërsa në Ulqin numri i shkodranëve të punësuar shtohet vazhdimisht, bizneset në Shkodër vuajnë për krah pune. Ndërmarrjet private, kryesisht rrobaqepësi, por edhe prodhim këpucësh, kanë mungesa të theksuara të krahut të punës. Mjaft banorë shkodranë, edhe pse të papunë, nuk duan të punësohen prej tyre, duke pohuar se shfrytëzohet krahu i punës, paguhen shumë pak dhe punojnë me orë të zgjatura. Pronarët e këtyre bizneseve kanë deklaruar publikisht se do të marrin punëtorë nga Kina, pasi ata janë të gatshëm të punojnë me kushtet që afrohen prej tyre. “Ndërsa shkodranët shkojnë në Ulqin për të punuar, në Shkodër pritet të vijnë kinezë”, shprehet një banor, i cili prej disa kohësh është i papunë. Ai kërkon që strukturat shtetërore të ndërhyjnë që të mos luhet me pagat e punëtorëve dhe me oraret e punës. “Sikur të kishim pagë më të mirë, ne punojmë këtu. Por në këto kushte, Ulqini është një zgjidhje shumë e mirë”, shprehet më tej Marashi, duke përforcuar kështu apelin e bashkëqytetarit të tij për ndërhyrje nga shteti.
Përfaqësues të Zyrës së Punësimit në Shkodër shprehen se shumë nga personat e regjistruar si punëkërkues refuzojnë të punojnë në ndërmarrjet apo bizneset private në Shkodër. Sipas tyre, shkaku kryesor i refuzimit është paga shumë e ulët që punëdhënësit u ofrojnë atyre dhe kohëzgjatja e madhe e orarit të punës.

Panorama

8