Bardhi: Sali Berisha përkrahë formimin e komunës së Malësisë / Tuzit, me të drejta të plota

June 11, 2012   | Opinione

Kumtesë

KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË DR. SALI BERISHA PËRKRAHË FORMIMIN E KOMUNËS SË MALËSISË / TUZIT, ME TË DREJTA TË PLOTA

Nga data 25-27 maj 2012, në Budvë u mbajt Mledhja e 9-të e Zyrtarëve të Evropës Jug-lindore, e cila për çdo vjet mbahet sipas shembullit  të Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve në SHBA, me porosinë / moton që në unitetin e diversitetit duhet kërkuar  bazën  për prosperitetin e secilës shoqëri. Në këtë mbledhje, e cila është paraparë si forum  i liderëve politikë, shoqëror, sportivë e të tjerë, morën pjesë mbi treqind pjesëmarrës nga tridhjetë shtete nga regjioni, Evropa dhe SHBA. Ftesën, të gjithë pjesëmarrësve, ua kanë nënshkruar përfaqësuesit e përbashkët e të gjithë klubeve të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi. Ideja e këtij tubimi ishte të ndërtojë  mirëkuptim dhe  unitet më të madh në regjion dhe të forcojë përpjekjet e përbashkëta që shoqëria të ndërtohet në vlerat themelore të njeriut, sikurse janë familja, miqësia, uniteti dhe toleranca. Tubimi, u theksua, është rasti  e mundësia më e mirë që të lihen anash dallimet dhe që bashkarisht  t’u drejtohën porosi të paqes, dashurisë, koegzistencës dhe tolerancës.

Në këtë tubim të suksesshëm mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë,  dr. Sali Berisha, i cili u dallua me fjalimin e tij përmbajtësor e porositës. Mori pjesë edhe zotëri Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane dhe Ministër i Mjedisit i Shqipërisë, që ishte njëherit moderatori kryesor.
Në ditën e  parë, pjesëmarrësit shqiptarë në këtë tubim, zotërinjt Mehmet Bardhi, kryetar i LD në MZ dhe deputet  në Kuvendin e Malit të Zi, Nikollë Camaj, anëtar i Kryesisë, kryetar i Degës së Malësisë dhe këshilltar i LD në MZ në Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit dhe Nikollë Shabani, aktivist i dalluar në diasporën tone në Gjermani, zhvilluan një takim pune me kryeministrin Berisha, në lokalet e hotelit “Splendid”.

Zotni Bardhi, pasi, në emër të grupit, i shprehu ngushëllime për tragjedinë rrugore të Himarës, në të cilën humbën jetën 13 udhëtarë, nga të cilët 11 studente të Universitetit të Elbasanit, e përgëzoi për fjalën e mbajtur në këtë tubim dhe  të arriturat që Shqipëria ka bërë sidomos në sferën e infrastructures rrugore, në ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe qindra kilometra rrugë të reja, të meremetuara e të asfaltuara. Në kët drejtim u theksuan e ritheksuan disa kërkesa, si hapja e pikes kufitare në Skje/ Muriqan (te Shkodra), rruga Plavë – Podgoricë, permes territorit të Shqipërisë (Lugina e Cemit), rruga Plavë – Deçan, regjistrimin e studentëve, e posaçërisht Komunën e Malësisë / Tuzit me të drejta të plota etj., kërkesa  këto të cilat Lidhja Demokratike i ka parashtruar me program të saj që nga themelimi.


–          Sa i përket regjistrimit të studentëve në universitetet publike, kryeministri Berisha tha se Qeveria gjithherë, ashtu siç ka bërë që nga vitet 91, do të ndihmojë  “… sa  të doni e sa të keni nevojë”. Ndërsa për pikën kufitare në Skje / Zogaj, Berisha tha “-  …Konsiderojeni të kryer, të mbaruar… I kam dhënë të gjitha detyrat ministrisë përkatëse. Pčr këtë duhet zgjëruar rrugën, pjesën nga Shkodra në Zogaj dhe ndërtuar pjesën e pandërtuar (1-2 km) për t’u lidhur me rrugën e skelën në Skje (Krajë, komuna e Tivarit).

–          Për Komunën e Malësisë / Tuzit, tashti edhe nga unë e Qeveria ime keni përkrahjen e parezervë, për komunë me të drejta  e kompetenca të plota, ashtu siç keni kërkua Ju. Banorët e Malësisë kanë të drejtë në këtë. Ajo është një kërkesë plotësisht në harmoni me standardet evropiane. Deri para pak kohësh isha kundër, për arsye që  mos ta humbin pushtetin  në Podgoricë … por edhe në këtë drejtim nuk mund t’i mbështes pafund…. Poashtu përkrahim ndërtimin e drejtimeve rrugore të reja nga Plava për Podgoricë dhe për në Deçan,  – shtoi në mes të tjerave kryeministri Berisha, në bisedën me përfaqësuesit shqiptarë, pjesëmarrës në Tubimin e Budvës.

Ky qëndrim përkrahës i kryeministrit Berisha, për komunën e Malësisë  me të drejta të plota, kërkesë e LD në MZ –së që nga themelimi, po që sot është edhe kërkesë e shumicës së politikanëve dhe i subjekteve (më të reja politike) shqiptare,  e cila na gëzoi sinqerisht, për çka e faënderojmë, si edhe përkrahja e kongresmenëve amerikanë, na jep shpresë se Qeveria e Malit të Zi, tashmë, nuk do të mund t’i ikë kërkesës së arsyeshme të shumicës së popullatës së Malësisë.

 

Me këtë rast, meriton të theksojmë se pas përkrahjes së kongresmenëve amerikanë dhe sidomos përkrahjes  nga ana e kryeministrit Berisha, komunës së Malësisë / Tuzit me të drejta  e ingjirenca të plota, nga qarqet e Partisë Boshnjake,  e cila participon në Kuvendin e KU të Tuzit me 1 këshilltar, nga burime të sigurta, mësojmë se do ta rishqyrtojnë mundësinë e revidimit të qëndrimit të tyre të deritashëm, kundër komunës së plotë.

Pas të gjitha këtyre është reale të presim që edhe partite politike në pushtet, DPS-i e UDSH-ja, të përkrahin qëndrimin pozitiv, i cili qëndrim do ta bante të panevojshëm ose krejt formal madje edhe referendumin konsultativ, të paraparë me Ligjin për Organizimin Territorial të Malit të Zi.

 

SHËRBIMI  PËR  INFORMIM