Intervistë me kandidatin Mark Gjonaj nga Ulqini

June 13, 2012   | Intervista / Intervju

Mark Gjonaj, biznesmen nga Bronksi i Nju Jorkut, është ndër të paktët njerëz në komunitetin shqiptar të Amerikës që synon të zgjidhet në një post të rëndësishëm, në këtë rast si anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork.

Votimet paraprake brenda demokratëve zhvillohen në muajin shtator dhe zoti Gjonaj ka filluar tashmë fushatën. Kandidati Mark Gjonaj, me origjinë nga Ulqini, është lindur në Shtetet e Bashkuara dhe merret me prona të patundshme.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Nju Jorku, zoti Gjonaj tha se, që të jesh zëri dhe fytyra e popullit në fillim duhet të jesh syri dhe veshi i tij, pra duhet të dëgjosh dhe të dish ankesat që kanë njerëzit.

Komuniteti shqiptar, tha ai, është marrë gjatë shumë viteve me nevojat dhe çështjet e mëdha që lidheshin me zhvillimet në Ballkan. Prandaj shqiptarët e këtushëm kanë mbetur prapa në çështjet e përfaqësimit lokal. “Megjithëse ata kanë biznese e shtëpi, nuk janë marrë me politikë lokale dhe kjo është e pakuptueshme. Por më mirë vonë se kurrë,” tha kandidati.

Zoti Gjonaj tha se ka besim te ndihma që do t’i japë komuniteti për t’u zgjedhur si anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork, ku shpreson të përfaqësojë një zonë të Bronksit. Më ka prekur si individ përkrahja e madhe që më kanë dhënë shqiptarët, tha ai.

“Ne duhet të ndihmojmë veten sepse përndryshe askush nuk do të na ndihmojë. Besoj se si komunitet do të ecim përpara,” tha zoti Gjonaj në intervistë.
VAO
YouTube Preview Image