Për pushime verore Kosovarët preferojnë Ulqinin,Shqipërinë dhe Turqinë

June 20, 2012   | Lajmet / Vijesti, Rajoni / Region

Bregdeti shqiptar mbetet destinacioni më i preferuar për turistet Kosovar. Afërsia dhe çmimi i lirë i akomodimit ka bërë që numri i qytetarëve të Kosovës që pushojnë në bregdetin shqiptar të rritet dita-ditës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shihet se gjatë vitit 2011 Shqipërinë e vizituan hiç më pak se 2 milionë e 733 mijë e 650 vizitorë, ku 46 për qind e tyre, apo 1.2 milionë ishin qytetarë nga Kosova, shkruan Zëri

Pas kosovarëve, Shqipërinë e vizituan më së shumti maqedonasit me 12 për qind, malazeztë dhe grekët me nga 6 për qind, italianët me 5 për qind dhe anglezët e gjermanët me nga 3 për qind.

Por, zyrtarë të kësaj ministrie, por edhe pronarë të agjencive turistike shpresojnë se sivjet numri i turistëve kosovarë që do ta vizitojnë Shqipërinë do të jetë edhe më i madh për shkak të modernizimit të infrastrukturës rrugore.

Punëtorë të agjencive turistike kanë deklaruar se numri i atyre që udhëtojnë drejt Shqipërisë është duke u rritur dita-ditës.

Zyrtarë të Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë kanë thënë se Kosova për ta ka një rëndësi të veçantë, pasi që pjesa më e madhe e turistëve që vizitojnë Shqipërinë janë nga Kosova.

Kosovarët nuk po e lënë anash as Ulqinin. Ende pa filluar edhe zyrtarisht sezoni turistik, autobusët çdo ditë bartin pushues kosovarë për në bregdetin e Ulqinit.

Sipas drejtuesëve të agjencive turistike numri i udhëtareve në linjën Prishtinë-Ulqin është në rritje e sipër, sidomos interesim të madh ka gjatë ditëve të festave dhe vikendeve.

Edhe kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pret që këtë sezon turistik në Ulqin të ketë edhe më shumë pushues nga Kosova, raportojnë mediat kosovare.

Sipas tij, këtë vit as çmimet nuk do të ndryshojnë dhe do të jenë përafërsisht të njëjta me ato të vitit të kaluar.

Nazif Cungu ka pohuar se pikësynim kryesor është rikthimi i fuqisë së Komunës së Ulqinit, që përsëri të dalë e para nga të gjitha komunat tjera të Malit të Zi.

Sipas tij, Ulqini në verën e këtij viti do të ketë infrastrukturë shumë më të mirë rrugore, ujë të pijshëm dhe pastërti absolute për pushuesit.

Kosovarët nuk po ia lënë mangut as Turqisë. Ofertat e shumta nga kompanitë e ndryshme kosovare kanë bërë që një numër i madh i turistëve kosovarë t’ia mësyjë Turqisë për pushime.

Disa nga kompanitë turistike në kuadër të ofertave kanë edhe pagesa deri në 12 këste nëpërmes bankave e shumë turistë siç duket nuk çajnë kokën nëse për një vit të tërë do të lajnë borxhin e kësaj kënaqësie, shkruan Zëri.

Kompanitë turistike tashmë janë gati për rivierën turke, ndërsa hotelet që përfshihen në ofertat e tyre i takojnë vendeve si Kemer, Belek, Side, Alanya, Antalya, Marmaris dhe Bodrum.

ZËRI

Ulqin, pushime duke filluar nga 5 euro në natë

Në Ulqin çmimet e fjetjes fillojnë nga 5 euro deri në 15 euro në godinat private si dhe 20 deri 30 euro në hotelet e ndryshme

Turistët që do të vendosin të kalojnë pushimet në Ulqin mund ta bjënë këtë me 5 euro për shtrat në natë. Ky çmim është çmimi minimal për fjetjen në shtëpitë e privatëve. Në këto njësi të turizmit familjar çmimet maksimale arrijnë deri në 15 euro për shtrat në natë. Ndërkohë çmimet e hoteleve ndryshojnë nga 20 deri në 30 euro për shtrat në natë. Këtu bëhet fjalë për hotele të ndërtuara gjatë viteve 70 – 80. Në këto hotele shumicën e aksioneve i mban shteti.
Ndryshimet e çmimeve të fjetjes në njësitë e ndryshme të akomodimit të turistëve (shtëpi private, hotele, etj) kanë shkaqet nga më të ndryshmet. Kështu faktori kryesor është përfshirja në çmim ose jo e ushqimit. Ka njësi që në çmim nuk përfshijnë asnjë vakt. Ka edhe të tjera që ofrojnë vetëm mëngjesin ose edhe darkën të përfshirë në çmimin e fjetjes. Arsye tjetër e ndryshimeve të çmimeve është edhe afërsia me detin, me qytetin apo me zona të tjera me bukuri natyrore. Por çmimet ndryshojnë edhe në të njëjtin hotel. Kjo bëhet duke pasur parasysh numrin e shtretërve në dhomë, pasja e ajrit të kondicionuar etj. Shumicën e turistëve e përbëjnë shqiptarët nga Kosova e nga Maqedonia. Por edhe turistët nga Shqipëria janë në rritje. Për këta të fundit, ulqinakët kanë ankesa. Kjo pasi turistët nga Shqipëria parapëlqejnë zona të tjera turistike të Malit të Zi pavarësisht nga natyra e mrekullueshme e Ulqinit.

YouTube Preview Image
1