Reagimi i Cungut ndaj deklarates te Selim Resulbegoviqit

July 4, 2012   | Politika, Shoqëria / Društvo

Reagimi  në deklaratën e Selim Resulbegoviqit, Kryetarit të PSD të Ulqinit, nënkryetarit të Komunës së Ulqinit dhe anëtarit të Këshillit drejtues të NP Morsko dobro.

Kërkesa e ime, si Kryetari i Komunës së Ulqinit, për përfshirjen e lokalitetit të Moles së Madhe në Programin e të Mirave detare është përpunuar nga Sekretariati për Urbanizëm i Komunës së Ulqinit, kështu që, nuk qëndrojnë vlerësimet se Kryetari i Komunës punon vetë dhe si t’i teket atij. Përfshirja e lokalitetit të Moles së Madhe në Programin e të Mirave detare nuk do të thotë se është përcaktuar shfrytëzuesi i këtij lokaliteti, sepse kjo përcaktohet me tender (ankand) dhe kjo bëhet nga ana e NP Morsko Dobro. Pikërisht  kjo i ka shërbyer z. Resulbegoviqit për arsyetim të vendimit të paligjshëm dhe pa pëlqimin  e Komunës së Ulqinit për lokacionet e përkohshme, që e kanë aprovu Morsko dobro dhe Ministria në qershor të këtij viti.  Me këtë  vendim nuk mund të arsyetohet ndërtimi i paligjshëm në këto dhe në lokalitetet tjera të komunës së Ulqinit, dhe posaçërisht jo  në hyrje të Plazhit të Vogël, ku po vazhdojnë punimet pa e marrë objektin me tenderim dhe pa lejen e Komunës, çka do të thotë, plotësisht  paligjshëm.

Tashmë e kanë të qartë të gjithë, jo vetëm në Ulqin, por edhe në Mal të Zi dhe më gjërë, se NP Morsko dobro është pozicionuar si institucion suprem mbi Komunën  e Ulqinit, dhe vite me radhë diskriminon Komunën tonë. I nxitur nga ky parim, është vendosur linja e kufirit të të mirave detare pa presedan në praktikën e shteteve të civilizuara evropiane. Plot dy dekada kjo Ndërmarrje publike vendos se ku do të ndërtohet në këtë zonë, dhe këtë e bën pa pyetur Komunën e Ulqinit. Ndërkohë në Këshillin drejtues të kësaj ndërmarrje është zotëri Resulbegoviq, që qytetarët e njohin sipas aftësive dhe rezultateve të tija, gjithnjë të motivuara me qëndrimin “të jesh me pushtetin”, si me atë të kaluarin ashtu dhe me të tashmin, dhe kështu arrin rezultate të “spikatura e të mëdha”, jo vetëm sot por gjithmonë.  Për shkak të ruajtjes së dinjitetit nuk do të përdor shprehjen adekuate për sjellje të tilla.

Interesat e kujt i përfaqëson ai në Këshillin drejtues të NP MD? Dhe pyetje e posaçme dhe qensore është kush e ka deleguar dhe kë përfaqëson në atë Këshill drejtues? Me siguri jo qytetarët e Ulqinit që e përjetojnë diskriminimin, por dikush tjetër.

Jam i sigurt se as njohësit më të mirë nuk kujtohen se ka kritikuar ndonjëherë publikisht politikën që ndiqet përmes kësaj Ndërmarrje, ose të ketë thënë diçka në interes të qytetarëve, sepse ai me këtë do të rrezikonte të ardhurat e majme që ka nga kjo Ndërmarrje. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai i jep legjitimitet diskriminimit të Ulqinit nga kjo Ndërmarrje dhe mundëson që, nga shfrytëzimi i pronës publike në mënyrë të paligjshme të pasurohen disa individë. Nga më se 30 persona të punësuar në ktë ndërmarrje, nga Ulqini janë të punësuar vetëm dy nëpunës, dhe që të dy nga radhët e Partisë socialdemokrate. Qeverisja ynë vendore do të ndërmarr ç’është e mundur për mbrojtjen e interesave të Komunës dhe nuk do të tolerojë këto sjellje të Ndërmarrjes MD.

Për atë arsye, këtu nuk ka kurrfarë afere të konstruktuar, por vetëm zbardhje të veprimeve të dirigjuara për të cilat një person gëzon privilegje qe 20 vite. Dhe çuditemi si një urbanist i zoti nuk e ka vërejtur se objektet në hyrje të Plazhit do të preknin ambientin tani të zbukuruar të këtij lokaliteti ekskluziv.

Ky pushtet vendor i përfaqësuar nga Kryetari i Komunës nuk do të pranojë vendimet autoritare të këtij lloji që na nënçmojnë si komunitet, qoftë nga NP MD qoftë nga Ministria, sepse ne dëshirojmë të mbrojmë dinjitetin e Komunës dhe jo interesat e rretheve të ngushta të njerëzve të afërm me pushtetin.

Mundësitë e Kryetarit të Komunës janë të kufizuara kur bashkëpunëtorët më të afërt nuk   përqendrohen në punën për të cilën janë të paguar, por merren me aktivitete për interese tjera.

Kemi tentuar të shikojmë drejt të ardhmes dhe të mos të ngelemi peng të eksperiencës së hidhur me të Mirat detare në të kaluarën. Veprimet e z. Resulbegoviqit nuk më lejojnë të kem konsiderata të mëtejshme dhe kam vendosur të kërkoj të hulumtohen parregullsitë në veprimtaritë e mëparshme dhe të merren masa adekuate.

Presim që zotëri Resulbegoviq pas kësajë deklarate të reagojë në mënyrë korrekte, dhe të fillojë një fazë e re në raportet tona, dhe në qendrimet e tija, që do të karakterizohet me dhënien e prioritetit  interesave të Komunës.

Mundësia për të vazhduar ekziston dhe është vetëm një; të nderohet dhe të zbatohet ligji. Ne te kunderten, z. Resulbegoviqi do ta eliminojne veten nga ekipi i sukseshem i administratës lokale.

17