Pacolli blen hotelin “Otrant” në Ulqin

July 8, 2012   | Ekonomia / Ekonomija

Kompania “Mebetex” ka shprehur interesim për ta blerë hotelin “Otrant”, në plazhin e Ulqinit. Lajmin e kanë konfirmuar kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu dhe Selim Pacolli nga “Mabetexi”.

Kryetari Cungu ka thënë se zyrtarët dhe qytetarët e Ulqinit ndjehen shumë të lumtur që ka interesim nga biznesmenët e Kosovës për të investuar në këtë komunë me shumicë shqiptare. “Komuna dhe të gjithë qytetarët e Ulqinit presin me padurim të vijnë bizneset kosovare ta zgjerojnë aktivitetin biznesor dhe turistik në këtë komunë”, ka deklaruar ai.
“Është e vërtetë se Behgjet Pacolli e ka vizituar Ulqinin para disa ditësh dhe ka shprehur gatishmërinë t’i shikojë mundësitë për të investuar këtu. Ne jemi shumë të kënaqur që ai po shpreh gatishmërinë e tij që të sjellë kapital këtu dhe të ndërtojë qoftë hotele, apo edhe investime të tjera”, ka thënë Cungu.

Cungu nuk ka treguar se kur do të mund të shihen rezultatet e vizitës së Pacollit dhe premtimit të tij për të investuar në këtë komunë.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se kompania “Mabetex” është e interesuar për të investuar në Ulqin. “‘Mabetexi’ është i interesuar të bëjë investime në Ulqin, në sektorin e turizmit. Unë jo”, ka deklaruar Pacolli.

Selim Pacolli nga kompania “Mabetex” ka konfirmuar se janë në bisedime për ta blerë hotelin “Otrant” në Ulqin. Ai i ka thënë gazetës se kanë diskutuar për këtë çështje me zyrtarë të Komunës së Ulqinit. “Po, është e vërtetë se ‘Mabetex’-i është në bisedime. Tani për tani jemi para finalizimit të punëve. Jemi duke e bërë studimin e fizibilitetit të hotelit të ‘Otrant’-it dhe besoj se do të kemi lajme të mira në muajt në vijim”, ka theksuar ai.

Pacolli ka deklaruar se nëse bisedat shkojnë sipas planeve dhe dinamikës së studimit të fizibilitetit të hotelit “Otrant”, atëherë pas disa muajve mund të fillojnë punimet në këtë hotel. “Besojmë se deri në shtator të këtij viti do të kemi lajme të mira, të cilat mund të jenë pozitive”, është shprehur ai.

“Otrant” është njëri ndër hotelet më të mëdha në Ulqin dhe në Mal të Zi. Ai gjendet në Plazhin e Madh dhe është ndërtuar në vitin 1986, në kohën e ish-Jugosllavisë. “Otrant” ishte privatizuar para disa viteve nga kompania “Barkli Montenegro”, por më vonë ishte kthyer prapë në pronësi shtetërore, pasi investitori nuk i kishte përmbushur zotimet.

Epoka e Re

1