Gjendet i pajetë në Francë poeti Ali Podrimja

July 22, 2012   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

PRISHTINE – Është gjetur në Francë trupi i pajetë i poetit të mirënjohur kosovar, Ali Podrimja, i cili konsiderohej i humbur prej 18 korrikut. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet franceze, të cilat kanë komunikuar me ministrin e Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj.

Mediat franceze bëjnë të ditur se trupi i pajetë i poetit është gjetur sot në orën 14:30, pa shenja dhune, në një zonë malore, 4 kilometra larg qytetit Lodeve, ku zhvillohej festivali i poezisë.
“Organizatorët e festivalit “Voice of the Mediterranean” kanë thënë përmes një deklarate se policia i ka njoftuar se trupi i poetit Podrimja është gjetur në një zonë malore, rreth 4 kilometra nga Lodeve”, raporton portali, KosovaTimes.

Sipas hetimeve paraprake, nuk ka shenja dhune në trupin e tij ndërsa autopsia do të bëhet në fillim të javës, për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tij.

Organizatorët e takimit të shkrimtarëve ishin në dijeni për zhdukjen e poetit Podrimja të martën në mbrëmje dhe kanë bërë çmos për ta gjetur ,si dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, shkruajnë mediat franceze.

“Një nga organizatorët e festivalit ka arritur të kontaktojë shkurtimisht në telefon shkrimtarin Podrimja, të mërkurën në mëngjes, por komunikimi ka qenë i vështirë për shkak se ai nuk ka folur as Anglisht, as Frëngjisht”, shkruajnë agjenci lajmesh në Francë.

Ndërkaq, edhe sipas burimeve të “Zërit” nga Ambasada e Kosovës në Francë, vdekja e poetit Podrimja ka ardhur nga shkaqe natyrore.

Jahjaga: Vdekja e poetit Podrimja, humbje për Kosovën
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Podrimja, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit të tyre, poetit kosovar me përmasa ndërkombëtare, Ali Podrimja.
“E morëm me dhimbje të thellë e trishtim lajmin për ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj, poetit e intelektualit të madh, Ali Podrimja”, thuhet në telegramin e Presidentes.
“Humbja e Ali Podrimjes nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit e miqtë. Është humbje e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për kulturën, për artin, për Kosovën në përgjithësi”- vijon më tej presidentja.

“Poeti e intelektuali i madh Ali Podrimja, me fjalët dhe veprat e tij, kaloi shumë herët kufijtë e Kosovës dhe u bë i njohur në rrethe shumë më të gjera të artit dhe të kulturës duke e ofruar Kosovën me botën. Vepra e madhe e Ali Podrimjes do të jetojë ndër mote, duke ruajtur kujtimin për të dhe duke shërbyer si frymëzim e motivim për brezat e rinj të poetëve dhe intelektualëve të Kosovës”, thuhet në telegramin e Presidentes.

Thaçi: Podrimja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një telegram ngushëllimi drejtuar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe familjes së poetit Ali Podrimja, i cili u gjet i vdekur sot nga policia franceze, shkruan se “vdekja e poetit Ali Podrimja është humbje e madhe për familjen, për kulturën kombëtare dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.

Ai vlerëson se “Ali Podrimja, një talent i rrallë dhe krijues i vlerave të përjetshme artistike, ka lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në kulturën tonë kombëtare”.
“Volumi i krijimtarisë së tij artistike është margaritar estetik, letrar dhe eseistik, që më shumë se gjysmë shekulli u ngrit dhe u përpunua vazhdimisht, duke i lënë trashëgimi të pasur shpirtërore letërsisë dhe kulturës shqiptare”, thekson Thaçi.

Për kryeministrin Thaçi “Ali Podrimja ishte lirik i lindur dhe i realizuar në veprën e tij poetike, dhe preku majat e lirikës shqipe, duke u bërë edhe vetë vlerë kulmore”.

Hoxhaj: Humbje e jashtëzakonshme
I tronditur nga kjo humbje e madhe, ministri Hoxhaj, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.

“Humbja e poetit Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, – thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës falënderon autoritetet e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme Franceze, si dhe të gjitha institucionet e tjera lokale e qendrore në Francë për angazhimin maksimal të tyre në zbardhjen e këtij rasti.

Krasniqi: Puna e tij do të shërbejë si frymëzim
Ndërkohë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ngushëlloi familjen Podrimja, komunitetin letrar në Kosovë dhe gjithë popullin e Kosovës.
“Është vërtetë moment i vështirë për të thënë çfarëdo fjale për njeriun që me krijimtarinë e tij inspiroi breza të terë dhe shpërndau anekënd botës gjithë pasurinë dhe elanin e kombit tonë për letërsinë dhe artin në përgjithësi. Vdekja e poetit me renome ndërkombëtare, krenarisë sonë, Ali Podrimja është një humbje e gjithë kombit shqiptar, e padyshim dhe e gjithë komunitetit letrat dhe artistik në botë”.

Më tej në telegramin e ministrit Krasniqi thuhet se krijimtaria e Ali Podrimes dhe gjithë ajo miqësi që kishte krijuar për vite me radhë me njerëzit e letërsisë dhe artit në tërë botën, ndihmuan shumë që Kosova të ketë respektin e merituar në botë.

“Kam pasur nderin që e kam njohur dhe ka qenë gjithmonë një motivim për mua. Ai do të na mungojë shumë. Por poeti ynë na la shumëçka, një krijimtari të tërë, e cila do të jetë një pasuri kombëtare e jona. Një artist i vërtetë, Aliu do të jetë përherë në kujtimet tona dhe puna e tij do të shërbejë si frymëzimi më i mirë për fëmijët tanë, për brezat tjerë që do të vijnë, duke mbjellë kështu ndjenjën e dashurisë mes njerëzve”,- thuhet në ngushëllimin e ministrit Krasniqi.

(er.nu/BalkanWeb)