“Kalimera poetike” e Ulqinit në kujtim të Ali Podrimjes

July 27, 2012   | Kulturë / Kultura

Ali Podrimja kishte dashuri të veçantë për Ulqinin, ndaj e vizitonte shpesh këtë qytet bregdetar. Manifestimi letrar “Kalimera poetike” ishte njërin ndër stacionet e shpeshta të tij. Pikërisht ky manifestim – ideator i të cilit ishte edhe vetë Podrimja – në edicionin jubilar do të bëjë homazhe për poetin e ndjerë, raporton “Koha Ditore”. Edicioni i njëzet i njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në fushën e letërsisë që mbahet në Mal të Zi do të hapet me një minutë heshtje për poetin e ndjerë. Po ashtu, në ceremoninë hapëse të manifestimit do të lexohen vargje që ka lënë nëpër vite Podrimja. Poeti kosovar u gjet i vdekur të shtunën në Lodeve të Francës, ku kishte marrë pjesë në një festival letrar. Edicioni i sivjetmë i “Kalimera poetike” do të nisë më 2 gusht në Kalanë e Ulqinit.

Ali Salaj, kryetar e shoqatës së artistëve dhe intelektualëve “Art Club”, që organizon “Kalimerën…” ka thënë se Podrimja ka dhënë kontribut të madh në ideimin e disa ngjarjeve letrare në Ulqin, por edhe në zbulimin dhe afirmimin e poetëve e krijuesve nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi.

“Ai i adhuronte detin, valët dhe Kalanë e lashtë, për çka Ulqinin e cilësonte si ‘cepin më të bukur të Shqipërisë’. Prania e vazhdueshme e Podrimjes në Ulqin dhe shkrimet e tij në mediet e këtushme ngjallën frymën e krenarisë dhe të qëndresës së shqiptarëve të Mali të Zi”, ka thënë Salaj.

Ismet Kallaba, sekretar i “Art Club”, ka dhënë detaje për mënyrën se si do të nderohet poeti kosovar në Ulqin.

“Ai do të kujtohet në pjesën hyrëse të manifestimit, pra në mbrëmjen e parë, më 2 gusht, me ç’rast do të mbahet një minutë heshtjeje dhe do të lexohen pjesë nga krijimtaria e tij apo kushtuar atij”, ka shpjeguar Kallaba. Sipas Kallabës, Ali Podrimja ka qenë pjesëmarrës i rregullt në këtë manifestim.

“Herën e fundit, me sa mbaj mend, ka qenë këtu në vitin 2010. Podrimja është njëri ndër ideatorët e kësaj veprimtarie ashtu si edhe disa veprimtarive të tjera letrare në Ulqin”, ka thënë Kallaba.

Përfaqësues të “Art Clubit” për herë të fundit kanë takuar Podrimjen në Shkodër.

“Me ftesë të poetit Ali Podrimja, përfaqësues të shoqatës sonë kanë marrë pjesë në një takim kushtuar atij, të organizuar nga Departamenti i Letërsisë i universitetit të Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ në Bibliotekën Universitare në Shkodër”, ka thënë ai. Kallaba ka shtuar se shqiptarët e Malit të Zi kanë obligim moral për të nderuar figurën e Podrimjes.

“Përveç rëndësisë në rrafshin mbarëkombëtar, nderimi i figurës së Podrimjes për ne shqiptarët në Mal të Zi përbën një detyrim moral ndaj poetit, i cili kishte dashuri të veçantë për shqiptarët e Malit të Zi, sidomos për Ulqinin”, ka thënë ai.

Në një njoftim të lëshuar nga shoqata e artistëve dhe intelektualëve “Art Club”, thuhet se qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie është të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare shqiptare, por edhe atë malazeze, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendës dhe turistët. “Duke pasur parasysh rrugën e zhvillimit të kësaj veprimtarie ndër vite, mund të thuhet se ‘Kalimera poetike’ vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Gjatë ditëve të zhvillimit të saj Ulqini shndërrohet në qendër dhe vendtakim të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni. Ky manifestim i shërben po ashtu pasurimit të ofertës turistike të Ulqinit gjatë sezonit turistik”, thuhet në njoftimin e organizatorëve. “Art Club” po ashtu njofton se edicioni i sivjetshëm është jubilar pasi që përkon me 20-vjetorin e këtij manifestimi dhe se do të vazhdojë traditën e edicioneve të kaluara ku kanë marrë pjesë shkrimtarët më të njohur shqiptarë. Mysafirë të këtij edicioni janë poeti nga Kosova, Qerim Ujkani, dhe ai nga Shqipëria, Primo Shllaku, të cilëve do t’iu kushtohet mbrëmje autoriale. Ndryshe, trupi i pajetë i Ali Podrimjes u gjet të shtunën e 21 korrikut, në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës, prej ku kishte humbur kontaktet tri ditë më herët.

KOHA NET