Salaj: 20 vjetori i “Kalimeres poetike”

August 5, 2012   | Kulturë / Kultura

Ali Salaj

“Kalimera poetike “ në traditën  e saj 20 vjeçare ka krijuar prurje të reja jo vetëm në fushën e letërsisë, por edhe në atë të artit dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.

“kalimera poetike” tejkaloi tematikën letrare dhe për herë të parë përmes këtij manifestimi të veçantë hapet rruga  e integrimeve kulturore mbarëkombëtare. Me emrat më të njohur të letrave shqipe Kalimera krijoi lidhjet e para kulturore dhe identitare me Shqipërinë, Kosovën dhe me shqiptarët e Maqedonisë duke e ruajtur kështu qenien kombëtare të shquptarëve në Mal të Zi që shpeshherë i përfshinte  kriza e  identitetit.

Koncepti dhe kriteri pozitiv i mënyrës së organizimit, përzgjedhjes së autorëve, publikimit të veprave të tyre dëshmojnë për punën serioze dhe profesionale që përmbyten klishetë paragjykuese  se në provincë nuk bëhet art dhe letërsi. Në provincë “Kalimera poetike” mblodhi studiues të letërsisë, poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë, akademikë etj., të cilët “Kalimerën poetike” e konsideronin si ngjarje të madhe kulturore dhe si një festë intime të tyre. Kështu e përjetoi edhe poeti i ndjerë Ali Podrimja, i cili Kalimerën e ndjente si pjesë të krijimtarisë së tij pasi ishte edhe ideator  dhe mentor i manifestimit. Për këtë arsye “Art Clubi” do ta çmojë lartë figurën e tij dhe së shpejti do të propozojë që një rrugë apo shesh i Ulqinit ta mbajë emrin e Ali Podrimjes. Vdekja e papritur e poetit , i cili  ishte aqe shumë i lidhur për Ulqinin , për valet e detit dhe Kalanë e lashtë e detyruan edhe “Art Club”-in që në momentet e fundit ta ndryshojë skemën e “Kalimerës poetike” dhe natën  e dytë  në tërërsi  ia kushtoi  poetit si një homazh të titulluar  “Kalimera poetike e Ali Podrimjes”.

“Kalimera poetike “ do të vazhdojë të evidentojë vlerat më të larta që sjellin të gjitha brezat e letërsisë shqiptare. Në kontekstin historik “Kalimera poetike” nisi veprimtarinë me synimin e ruajtjes dhe afirmimit të kulturës shqiptare në Mal të Zi, por me kalimin e kohës ky manifestim mori karakterin mbarëkombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Në këtë  vazhdë  duhet kuptuar  edhe edicionin e sivjetshëm kushtuar  krijuesit të njohur Qerim Ujkani , i cili me “përronin e vet poetik” ishte dhe mbeti  inspirim i disa gjeneratave krijuesish.