BKA KUMTESË PËR OPINION: Djegia e Pyllit të Pishave mbi katundet e Anës së Malit

August 15, 2012   | Ekonomia / Ekonomija, Lajmet / Vijesti

Nr.02-08/12

Ulqin, 15 gusht 2012

KUMTESË PËR OPINION

Djegia e Pyllit të Pishave mbi katundet e Anës së Malit: Bojk, Kosiq dhe Millë është një humbje e pakompenzueshme jo vetëm për botën bimore, por edhe për shëndetin e popullatës së Anës së Malit dhe në përgjithësi për llojllojshmërinë e mjedisit në tërë komunën e Ulqinit.

Nata midis 7 e 8 gushtit të vitit 2012, kur mbi katundet Bojk, Kosiq e Millë u dogjën me mijëra rrënjë pisha, do të mbesë si nata më e zezë për natyrën e Anës së Malit , ndonëse ishte nata më e ndritshme, me një zjarrë të paparë. Padyshim faktori njeri është fajtori kryesor, i cili edhe nëse s’i ka shkaktuar shkëndijat e para, sigurisht që po të ndërhynte me kohë, do të mund të kishte shpëtuar mushkërinë e përbashkët të kësaj zone, frymëmarrjen e Anës së Malit.

Djegia e Pyllit të pishave në këtë zonë kishte përmasa të jashtëzakonshme, aq sa zjarri në tri çastet më kritike kishte lartësinë dhe madhësinë e përmasave apokaliptike dhe vetëm një forcë e padukshme e ka ndaluar që ai të mos kaplojë pyjet që gjenden mbi këto katunde për të rrezikuar përfundimisht më shumë se 100 shtëpi e rreth 1000 banorë.

As zjarrfikësit vendorë e as aeroplanët për fikjen e zjarrit, as institucionet vendore të komunës së Ulqinit, e as popullata vendore, po as bashkësia vendore nuk reaguan në kohën e duhur. Nuk u dëgjua as zëri i shoqatave mjedisore, shkurt të gjithë dështuan….Duket se të gjithë kishin punë më të rëndësishme. Rezultati është katastrofal: me mijëra rrënjë pisha të shkrumbura, frymëmarrja e Anës së Malit e përgjysmuar, tërë komuna e Ulqinit me më pak oksigjen e me më shumë dioksid karbon.

Për këtë dëm të madh që iu bë natyrës, por edhe njeriut, shoqata Biznis Klub Anamalit shprehet se duke pasur parasysh gjendjen e krijuar, është dashur që në kohën e duhur të angazhohen të gjitha strukturat e përmendura për të parandaluar këtë dëm që iu bë natyrës nga indiferenca e pafalshme njerëzore.

Duke u nisur nga fakti se ende zonat mbi katundet Millë, Kosiq e Bojk digjen e  qesin tym, kjo shoqatë u bën thirrje institucioneve përkatëse që të shuajnë përfundimisht zjarrin. Shoqata Biznis Klub Anamalit e cila merret edhe me mbrojtjen e mjedisit të Anës së Malit shtron nevojën e domosdoshme që në njërën anë të bëhet rigjenerimi i Pyllit të Pishave mbi katundet Bojk, Kosiq e Millë dhe për shndërrimin e tij në park turistik.  Kurse,  në anën tjetër të krijohet infrastruktura që me mjetet e zjarrfiksëve të krijohen kushtet rrugore për mbrojtjen nga zjarri të çdo vendbanimi në komunën e Ulqinit. BKA për realizimin e këtyre projekteve në mëyrë të pakursyer do  të japë kontributin e saj në bazë të kapaciteteve të veta.

Kryetari i Biznis Klub Anamalit,

____________________________

Kabil Kurti

YouTube Preview Image
2