Zyra e Ambasadës së SHBA-së interesohet për fatin e gazetës “Koha javore

August 31, 2012   | Kulturë / Kultura

Zyra për media dhe kulturë të Ambasadës së SHBA-së interesohet për fatin e gazetës “Koha javore”.

Redaktori përgjegjës i gazetës “Koha javore”, Ali Salaj, zhvilloi në Podgoricë një takim me shefen e Zyren për media dhe kulturë të Ambasadës së SHBA-së në Mal të Zi, znj. Shelly A. Seaver.

Në këtë takim u bisedua për situatën aktuale në mediat e shkruara në Mal të Zi, veçanërisht për të ardhmen e gazetës në gjuhën shqipe “Koha javore”. Znj. Seaver u interesua për fatin e gazetës “Koha javore” në prag të privatizimit të Ndërmarrjes Botuese “Pobjeda”, nën menaxhimin e së cilës gjendet kjo gazetë dhe për qëndrimin e institucioneve përkatëse qeveritare rreth këtij problemi. Në këtë kuadër, znj. Seaver shfaqi interes edhe për organizimin e brendshëm të redaksisë, për tirazhin dhe distribuimin e gazetës.

Redaktori përgjegjës i gazetës “Koha javore”, z. Salaj e njoftoi znj. Seaver me të drejtën e informimit të pakicave në gjuhën amtare. Ai tha se kjo sidomos vlen për shqiptarët ngase gjuha e tyre është e vetmja gjuhë e pakicave në Mal të Zi që ndryshon nga gjuhët e tjera. Z. Salaj theksoi se përgjegjës për të ardhmen e gazetës “Koha javore” mbetet Parlamenti i Malit të Zi, që është themelues i saj, dhe Qeveria e vendit e cila sipas praktikave në rajon duhet të jetë bartëse e financimit të gazetave të pakicave.

Në takim mori pjesë edhe asistenti i znj. Seaver, z. Bernard Çobaj.