Monika Stafa: Në MALIN E ZI – Në vendin e manastireve

September 10, 2012   | Ngjarjet - Events

Një rrëfenjë e mirënjohur malazeze bën fjalë për optimizmin e krajl Nikollës, mbretit të fundmë të Malit të Zi, para se të gëlltitej në Jugosllavinë e parë, brenda së cilës humbi dhe emrin: Sa të ketë bjeshkë dhe dhi, ky vend nuk do të mposhtet! Si të gjitha rrëfenjat, edhe ajo e krajl Nikollës, nuk ka pasur nevojë të argumentohet.

“Mali i Zi dhe Malet”, siç quhej dikur në histori, rron prej maleve. Kjo të vjen në mendje duke përshkuar bregdetin e Malit të Zi, prej Ulqinit me emër ilir deri në Hercegnov me emër kelto-gjermanik (“herceg” në gjuhën e burimit do të thotë “prijës”, “komandant”), gjithnjë të shoqëron ky mendim.

Pse ky mit malesh në vendin që edhe emrin e ka të lidhur me malin, qoftë ky dhe një “mal i zi”, ndërkohë që bregdeti, “Primorje”, siç i thonë vendësit, me Sveti Stevan-in dhe me Boka Kotorska-n, mund të ishte mburrja e çdo vendi dhe populli. Në të vërtetë, duke shijuar valëvitjen e peizazhit, që të bën të mendosh se po të del si një shfaqje natyrore para teje, djallëzisht mund të të shkojë në mendje se ndoshta mali dhe deti këtu nuk janë parë dhe aq miqësisht me njëri-tjetrin. Lavdia e historisë, më shumë se shija e së bukurës, e ka zënë të parin vend në jetën e popullit. Dhe kjo vjen e të përforcohet duke pyetur vendësit se çfarë mitizon himni i këtij vendi, që është krijuar disa vite, diçka më shumë se një dekadë më parë. Ashtu si shqiptarët, ndoshta si në çdo popull tjetër, edhe malazezët ngatërrohen kur vjen puna për himnin. Prit: “Oj svijetla majska zoro; Majko naša Crna Goro”: “O agim i ndritshëm i majit / Cerna Gora nëna jonë”. Pastaj si vazhdon? pyet të bijën e zonja e shtëpisë ku jemi vendosur për të kaluar pushimet. Mua më pyet? Kur s’e di ti, si do ta mbaj mend unë? Ato këmbejnë jo fjalë, por vargje me njëra-tjetrën, derisa mua më duket se e kam gjetur çelësin e asaj që po kërkoj: “Volimo vas, brda tvrda” – të duam ty dhe malet e fortë, i thonë malazezët vendit të tyre. Dhe më tej vazhdon: “Ne jemi bij të shkëmbinjve të tu”. Duket sikur “Primorje” dhe “Crna Gora” janë dy gjëra gati të ndryshme. Malet mënjanë dhe bregdeti me bukurinë e vet mahnitëse në anën tjetër; krenaria e historisë që buçet brenda himnit dhe tërheqja e turistëve për vijën bregdetare.

Me “Jetën e Mikelanxhelos” e dy-tre libra të tjerë për mitologjitë e popujve të Europës në duar nisin pushimet e mia në vendin fqinj në veriperëndim. Natyra dhe historia të parakalojnë duke të sjellë ndërmend se ndoshta pikërisht kjo ka qenë zgjidhja më e drejtë: shpirti i Renesancës, fryma e krishterimit, vendi i manastireve, bregdeti që përthyhet me gjire dhe ishuj modestë në mënjanësinë e tyre, të presin gjithandej. Diku në të majtë është dhe manastiri i Rotacit, ku thuhet se është shtypur libri i parë shqip. Shumë manastire të të krishterëve romanë kanë vetëm emrat tashmë, qoftë në bregdet, qoftë në thellësi. Manastiret, kishat, katedralet e tyre ose janë rrënuar, ose janë kthyer në ritin pravosllav, siç ka ndodhur në Kosovë. Në atë Kosovë që Jugosllavia e dytë, një shtet ateist, megjithatë vendosi ta mbiquante “Metohi” që në gjuhën greke do të thotë “manastir”: tokë e manastireve. Në të vërtetë, Mali i Zi është një tokë manastiresh, në tokë dhe në det.

Librat për mitet më sjellin ndërmend fakte parahistorikë, që bëjnë fjalë për zanafillë popujsh, qytetesh, mjeshtërish. Prej Budvës deri në Cavtat sundon edhe sot miti i Cadmos-it, i cili konsiderohet prej shkencëtarëve si prius parens i ilirëve. Cadmos-i, njëri prej djemve të hyjneshës Europë, së bashku me gruan e vet, Harmonia, u dëbua prej Tebës dhe u vendos në këto anë. Nga dy djemtë e Harmonisë lindi qyteti i Durrësit, qytet me origjinë muzike, tingujsh jetëdhënës. Ilirët “fili serpentis sunt”, shkruante tre shekuj më parë Farlati, dhe gjarpri ishte totemi i tyre, gjarpri që vinte nga Cadmos-i rebelues ndaj hyjve më të lartë.

Mali i Zi është shteti më i vogël i Ballkaneve, dhe t’i mund të mendosh se pas disa viteve me radhë që e viziton nuk ke ç’të zbulosh më. Tekefundit, prej ishullit të Shën Jozefit në deltën e Bunës deri në Hercegnov nuk janë më shumë se 150 kilometra largësi. Qytetet e vjetra me emra ilirë, si Ulqini, Risani e Perasti; me emra latinë si Antibari (Tivari, Bari), Budva (Budua) e Kotorri, me sllavë e gjermanikë, ndjekin njëri-tjetrin si një rresht yjësish llamburitëse, që të shfaqen këndshëm kreu i të dytit pa mbaruar fundi i të parit. Nëse mendon se duke e lënë qytetin e Tivarit në jug për shkak të udhëtimit më në veri tani s’ke ç’pret më të papritur në natyrë e në kulturë, sigurisht se ky është gabim. Pikërisht atëherë kur të duket se, bashkë me bazilikën ilirike në qendër të qytetit dhe portin gjithë dinamizëm, vendos të lidhësh rripin duke menduar se do të udhëtosh gjatë, ja ku shfaqet tabela me emrin “Olea europea”, ulliri europian, që të orienton drejt një peme muzeore, e shpallur monument natyror nga UNESCO. Ky ulli ka mbi dymijë vjet që prodhon për njerëzinë. Asnjë fabrikë moderne nuk mund të krahasohet me të. Shqiptarët mburren duke thënë se ky ulli i ka parë dhe i ka njohur ilirët. Malazezët mjaftohen me biletën prej tre eurosh dhe me kujdesin që askush të mos hyjë brenda rrethit dhe të cenojë shëndetin e pemës së bekuar. Më tej vijnë Budva me fortesën veneciane dhe me rrugicat tipike perëndimore, ku njerëzit mund të shkëmbejnë gjërat që u duhen mbi kryet e udhëtarëve kalimtarë si në filmat neorealistë italianë. Dhe më tej Kotorri, një xhevahir i fshehur apo një dhunti e natyrës për të fshehur të rrezikuarit, siç pati ndodhur dy mijë vjet më parë me mbretëreshën ilire Teutë: mozaiku me portretin e saj, ku artisti nuk ka hezituar të spikasë jo aq skeptrin e një mbretëreshe, por bukurinë femërore, aq sa të të duket më shumë si Hypnosi, vëllai i ëndrrës, shpresës dhe dashurisë.

Kotorri gjithashtu është listuar në pasuritë natyrore dhe historike nën mbrojtjen e UNESCO-s: deti me gjiret e tij, që tani i lë mënjanë trageti; lashtësia me Risanin, Perastin e Cavtatin dhe mozaikët e kështjellat e tyre historike; njerëzit, me butësinë e tyre krejt të përkundërt me sa u thuhet nxënësve në librat shkollorë. Boka Kotorska është ndoshta pjesa e vetme e Bregdetit malazez, Primorjes, që vendësit e veçojnë me dashuri. Sepse atje ku nis ideja shtetërore malazeze, në lartësinë e njohur Lovćen, ku ndodhet mauzoleu i Njegošić-ëve, Boka Kotorsa shihet e admirohet si një diamant në trupin e tokës. Dhe kështu, siç thuhet në himnin malazez: “nga Lovćen-i i djepit të mendimit malazias, bashkimi ynë merr krahë, lumenjtë tanë marrin udhë, për t’u derdhur në dy dete dhe për t’i thirrur oqeanit: Mali i Zi do rrojë përjetë”: “Dok lovćenskoj našoj misli / Naša sloga daje krila /Rijeka će naših valvala Uskačući u dva mora / Glas nositi okeanu / Da je vječna Crna Gora!” Kush di ta çmojë natyrën, me siguri u jep të drejtë vendësve që detin e shohin përmes Kotorrit: si një vëth diamanti që stolis trupin e imët të shtetit të tyre.

Por bregdeti malazez nuk është vetëm i kësaj ndërthurjeje prej labirinthi të tokës me detin. Gjithnjë kisha menduar se ishujt i takojnë më së shumti pjesës dinarike, përmbi Dubrovnik e lart. Mirëpo nëse bëhesh pak i vëmendshëm, atëherë afër e larg toka të shfaqet në formën e ishujve shkëmborë qysh në Ulqin, ku disa dhjetëra metra det, jo më shumë, ndajnë atë që quhet “qyteti i vjetër”, ku në të vërtetë nuk ka më gjurmë, prej këmbëve të tokës. Mali i Zi qenka i pasur në ishuj jo vetëm në Primorje, por edhe në anën tjetër, në bregun e liqenit të Shkodrës. Thuajse që të gjithë janë ishuj manastire: në ishullin me emrin “Grmožur” gjendet manastiri i Starčevos-s, më në veri është manastiri me emrin Beško; që të sjell në mendje formën malazeze të emrit të Vjenës (Beć); pastaj manastiri i Sveti Nikola-s dhe më tej ai i Komit. Disa janë manastire vetëm për asketë, kryesisht për murgj e murgesha. Të gjithë gjenden në liqenin e Shkodrës. Kisha pravosllave kujdeset t’u dërgojë një herë në dy javë ujë të pijshëm dhe ushqimet më të domosdoshme. Ata jetojnë si në një të shkuar të thellë, që është dhe më e thellë se ajo e heronjve epikë shqiptarë. Në vetmi, ndonjëherë në më pak se një kilometër katror vend, aq sa është sipërfaqja e ishujve, ata ia kushtojnë jetën e tyre devocionit dhe nuk vuajnë shpirtërisht. Gjithçka është e lidhur me “Atë atje lart”. Nuk duan t’ia dinë nëse kisha malazeze apo kisha serbe kujtohet ndonjë ditë për ta. Nuk duan t’ia dinë se Mali i Zi, ashtu si ka popullsinë, me orientim serb a me orientim nga vetvetja, ka dhe kishën: njërën që e ka shpallur veten të pavarur nga patrikana e Beogradit dhe tjetrën, që njeh varësinë e saj. Sa shumë ngjajnë popujt “armiq” të Ballkanit! Popuj që duelet i bënin mes tyre, ashtu si europianët deri në shekullin e 18-të, por çikat ia rrëmbenin njëri-tjetrit gjithashtu, të dalldisur prej bukurisë së tyre, ashtu si Halili i këngëve shqiptare heroike, që ndoshta nuk do të kujtohej kurrë për martesë po të mos ishte urdhri i vëllait të madh. I pari dilte në krajli me çetue, i dyti për vajza të bukura.

E tillë është edhe faqja bregdetare, jo vetëm ajo liqenore, e Malit të Zi. Manastire në ishuj, manastire në mal. Në njërën anë ishulli i manastirit të Zojës sonë Shën Mëri të Shkëmbinjve (“Island of Our Lady of Rock” shenjohet në hartat turistike), në anën tjetër shkëmbi i Podmaines, në shpinë të Budvës, ndërtuar gjithashtu në emrin e Fjetjes së Shën Mërisë së Lumnueme (“Успења Пресвете Богородице”). Në këtë manastir ka jetuar për disa kohë dhe vlladika Negoš, njeriu që shenjon identitetin e malazezëve. Vlladika ishte mitropolit dhe sundimtar, ashtu si Fan Noli i shqiptarëve: arkipeshkop dhe Kryeministër! “Zoja jonë Shën Mëri e Shkëmbit” të sjell ndërmend “Zojën e Këshillës së Mirë”, protektore e Shkodrës, për të cilën thuhet se ekziston një ikonë shumë e bukur, që mërgoi në mënyrë misterioze bashkë me të krishterët fisnikë në shekullin e pushtimit osman. Manastirin e ka dekoruar një piktor i mirënjohur në Malin e Zi dhe në gjithë faqen bregdetare dalmatine: Tripo Kokolja. Vendësit e quajnë me krenari “Mikelanxhelo crnogorskij”, dhe kanë të drejtë. Pikturat e tij i takojnë shekullit të 17-të, kur stili venecian i kulturës sundonte jo vetëm botën e krishterë, por edhe Islamin. Pikërisht në këtë kohë Et’hem beu do të ftonte një disenjator venecian për të pikturuar arabeskat që ka edhe sot xhamia më e vjetër e Tiranës, ose themeluesja e kryeqytetit të sotëm, përballë Bibliotekës Kombëtare. Piktori malazez nuk e ka fshehur formimin e tij venecian. Dhe kjo duket jo vetëm në ikonografi e pikturën murale, por edhe në tavanet e manastirit dhe të kishave brenda tij. Dhe nuk është vetëm Tripo Kokolja një shartues i stilit perëndimor venecian me stilin lindor pravosllav. Ky është privilegji i të qenët përballë pasqyrës së detit.

Ostrogu është një tjetër emër shumë i përhapur manastiresh në Malin e Zi. Edhe në bregdet ka një të tillë, sido që më i shquari është ai që gjendet në hinterland, dhe që mban emrin e Shën Vasilit të Ostrogut, Sveti Vasili Ostrogorski Ostroumni – Shën Vasili i Ostrogut, mendjemprehtit. Po dhe të magjishmit. Në manastirin e Ostrogut shkojnë besimtarë e dyshimtarë, studiues e ateistë, vendës e të huaj. Gjithkund ka një mjeshtër që ka dekoruar mjediset dhe këtu thuhet se mjeshtri quhej Radul. Në një rast tjetër mjeshtri cilësohet “igumani Rafael” dhe mua sërish më vjen në mendje Renesanca dhe fryma e saj. Për Sveti Nikola-n të shpjegojnë se kulti i tij u lartësua nga viti 1489, që dihet se është një vit i shenjuar, meqë pikërisht atëherë shpërtheu dhe në Portugali inkuizicioni i Isabelës mbretëreshë. Murgjit që e themeluan këtë manastir erdhën që andej. Megjithëse pak flasin, urdhri që i takonte ky grup murgjish nuk shpjegohet mirë. Ndoshta ishte dhe një urdhër jo ordinar. Një shenjt tjetër të cilit i luten malazezët është Sveti Petak, Shën Prendi; për dallim prej shqiptarëve, të cilët kanë kultin e Shna Prendës, Shën e Premtes; si të thuash e kanë femërorizuar kultin, ose malazezët kanë bërë të kundërtën, e kanë mashkullorizuar.

Në manastirin e Podmaines zbukurimet lidhen me emrin e një malazezi nga Risani, Rafael Dimitrijević. Podmaine është një muze i gjallë i jetës së mëhershme njerëzore. Këtu gjithçka bëhet me dorë: buka, vera, veshjet, erëzat, por jo për ndonjë modë europiane. Bëhet kështu për dedikim ndaj asaj që “ashtu e ka dhënë Zoti” – Bog dao tako! Njeriut mund t’i duket se kështu ka hyrë në një botë magjike romantike, në një muze të virtytit të lashtë, por motrat murgesha nuk të lënë dyshime: jo, e tillë është jeta e vërtetë, kështu jetohet jo për romancë, por për dinjitet.

Malin e Zi mund ta kuptosh disi pa detin, që, tek e mbramja, për një kohë të gjatë ishte nën sundimin e “Mletaćka Republika-s”, siç i thonë vendësit Sinjorisë së Venecias. Mund ta kuptosh edhe pa lashtësinë. Por nuk mund ta kuptosh kurrë pa Negošić-ët. Ashtu sikurse nuk mund ta kuptosh pa malet. Madje dhe pa malet me festa tradicionale shqiptare. Një prej sherreve që shqiptarët sot nuk druhen ta bëjnë me fqinjët e tyre bashkështetas është ai për atë që e quajnë Rumia Sacra, festën e malit të Rumijes. Për këtë mal, shqiptarët kanë këngë dhe valle të mirënjohura: “Moj Rumije, bjeshkë e naltë / Ti sa qofsh ma e naltë u bafsh!”. Në një ditë të vitit në majën e Rumijes bëhet pelegrinash, si në Gjalicë a në Tomor. Dhe njerëzit duhet të marrin një gur me vete për t’ia dedikuar majës së malit, se ashtu thotë kënga: “ma e naltë u bafsh”, “e ma e naltë s’ka si me u ba po nuk ia çove nji gur në majë”, na shpjegojnë shqiptarët që takojmë. Mirëpo, disa vite më parë kisha pravosllave e Malit të Zi zbriti prej helikopteri një kishë të gatshme dhe e montoi në majë të Rumijes. Një “deus ex machina” moderne. Rumija ishte një tempull dhe u bë kishë. Dhe prej asaj kohe të dyja palët thonë se kanë të drejtë. Dhe në këtë pikë prapë ballkanasit dalin të ngjashëm më shumë se të ndryshëm. Sepse në një vend me besim doktrinar nuk mund të kthehet një faltore pagane në faltore krishterimi dhe anasjelltas. Por në këto raste nuk ka shumë rëndësi ç’ka qenë, rëndësi ka kush e ka. Dhe kjo ka ndodhur shumë shpesh me faltoret shqiptare, që i kanë jetuar të gjitha format: ndërtesa prandorake (bazilika, nga “basileus”), kisha paleokristiane, kisha rregulltare, xhami, depo mallrash, sërish kisha, sërish debate nëse duhet të përfillet dhe fakti që kanë qenë xhami.

Shumë e qartë është për mua pas gjithë këtyre vizitash e meditimesh nëpër kishat dhe manastiret malazeze: ky është një popull që rron prej faltoreve, gjen prehje dhe paqe duke kuvenduar me veten dhe me hyjtë nëpër to; i ruan faltoret dhe po ia dolën ua marrin dhe të tjerët, kurse ato të shqiptarëve, të shqiptarëve katolikë, zor se mund t’i gjesh më kund, përveçse në relacionet e prelatëve, vizitatorëve apostolikë, ipeshkvinjve. Një Zmajević ishte ai që autorizoi “Mikelanxhelon crnogorsog” të zbukuronte manastiret e Primorjes, dhe ato janë aty si dikur. Kurse kisha e Mërqisë, ku u mbajt kuvendi i Arbnit, jo shumë vite më vonë, më shumë ngjan një toponim. Dhe kështu pastaj vjen pyetja: është mirë apo është keq të sillesh në një mënyrë laike, shekullare, ndoshta deri-diku pagane, pa përjashtuar dhe sjelljen profane, me ndërtesat e kultit të vendit?!

Të bësh pushimet në një vend tjetër do të thotë ta zbulosh nga një pamje tjetër atë vend. Në bregdetin e Malit të Zi turistët këtë zgjedhje kanë bërë. Shumë prej tyre, me çanta dhe çadra portative, i bien vendit brenda dy javësh fund e krye. Malazezët vetë e tregojnë pa druajtje anekdotën e një kinezi, i cili, pasi e kishte vizituar gati gjithë vendin e tyre për një ditë të vetme, në fund pyeti se ku mund të ishte pallati ku jetonin këta njerëz. Ata nuk e kanë kompleksin e përunjësisë, bëjnë humor me veten dhe me tjetrin, e dinë se një popull nuk matet nga numri dhe nga sipërfaqja e vendit, por nga origjinaliteti dhe identiteti i tij. Dhe në këtë pikë, Mali i Zi është me fat. Sepse identitetin historik ia ka vulosur koha. Tri Jugosllavitë, brenda të cilave qe i detyruar të fuste kokën, prej vitit 1918 deri në fillimin e shekullit të 20-të, Malit të Zi nuk i sollën ndonjë të mirë. Përkundrazi, atëherë ndihej ngushtë, nën sqetullën e dikujt tjetër, e tani shijon lirinë, bashkë me shqiptarët, që, megjithatë, ruajnë pakënaqësinë e tyre: për flamurin, për shkollimin, hera-herës dhe për numrin që përfaqësojnë zyrtarisht brenda shtetit të tyre.

Gazeta Shqip