Lidhja Demokratike në MZ, shënoi 22 vjetorin e themelimit të vet – Video

September 12, 2012   | Ngjarjet - Events

Ashtu si edhe e kishin paralajmëruar, në mënyrë modeste e pa pompë, Lidhja demokratike në Mal të Zi, shënoi 22 vjetorin e themelimit, në koktejin e rastit, në restorantin “Verdi”. Në këtë tubim ishin të pranishëm udhëheqësit më të lartë të kësaj partie, udhëheqësit e degëve të saj, si dhe anëtaret e Kryesisë së Degës Malësisë. Paraprakisht, kreu partiak kishte mbajtur mbledhjen e rregullt të Kryesisë kushtuar zgjedhjeve parlamentare dhe përgatitjes së kësaj partie për të marrë pjesë në to. Të pranishmit në koktej, në emër të shtëpiakut i përshëndeti Nikollë Camaj, kryetar i Degës së Malësisë, kurse fjalën përshëndetëse e pati kryetari i LDnëMZ, z. Mehmet Bardhi. Që të dy përshëndeten të pranishmit, anëtarët dhe mysafirët dhe, mbi të gjitha falënderuan përkrahësit dhe aktivistët e kësaj partie të cilët tash 22 vite u qëndruan besnik orientimeve programore të saj, por edhe aktivistët e rijnë që janë kyç këtij subjekti gjegjësisht Degës së Malësisë, të cilët shohin në LD subjektin më autentik shqiptar në Mal të Zi.

Nga fjalët e rastit u dëgjua dëshira që përvjetorin e ardhshëm ta shënojmë në Komunën e plotë të Malësisë, por edhe shpresat se edhe në këtë pjesë të Ballkanit do të fryjnë erërat e një demokracie të plotë e të vërtetë, ku shqiptarët do ta kenë vendin e merituar. Më gjerësisht u fol për aktivitete konkrete lidhur me realizimin e projektit të komunës së plotë të Tuzit, u fol edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare e që me ligjin e ri zgjedhor shqiptarëve ua vështirësojnë pjesëmarrjen në parlament e kështu me radhë.
Kryetari i LD në MZ Mehmet Bardhi, duke i përshëndetur anëtaret e kryesisë së LD-së, anëtaret e Kryesisë së Degës Malësisë, ku u mbajt takimi, shprehi pakënaqësi me të arriturat nërealizimin e kërkesave të shqiptareve ne Mal te Zi, E një prej atyre kërkesave është themelimi i Komunës së Tuzit. Ai shtoi se nuk janë të kënaqur me rezultate që kanë bërë deri me tani, por që kanë arrit që në zgjedhjet e para shumë partiake të jenë në të gjitha komunat ku janë shqiptarët autoktonë e që sa i përket LDnëMZ janë ballë haptë gjithkund ku shkojnë pasi që ata as për një vend punet, as për një funksion, as për një thes çimento e as për një metër asfalt, nuk e kanë ndërruar programin e tyre dhe nuk i kanë shit interesat e tyre kombëtare. Sipas Bardhit ata gjithmonë u kanë dal zot interesave të shqiptarëve e me qenë se shqiptaret janë në token e tyre ata edhe duhet të qeverisin me të mirat e tyre ekonomike, por njëkohësisht edhe të jenë subjekt politik që të përfaqësojnë shqiptarët në institucionet e ndryshme sot në MZ.
Edhe Kryetari i Degës së Malësisë Nikollë Camaj, duke i përshëndetur anëtaret e Lidhjes Demokratike, anëtaret e Kryesisë Partisë dhe Kryesisë së Degës, anëtaret e Degës nga Plava, miqtë dhe dashamiret e çështjes kombëtare , adhuruesit e veprës së Lidhjes Demokratike, shtoi se përvjetori kësaj herë është organizuar në mënyrë mjaft modeste, pasi që kanë pas një mbledhje pune, por që e kanë parë të arsyeshme që të takohen dhe, në këtë mënyre, të mos e kalojnë këtë datë pa shënuar, meqenëse në mendjen, zëmrën dhe në memorien e të gjithë neve është ngulitur kjo datë, është ngritur ky emër, dhe se fati ynë politik , por edhe i jetës dhe i familjeve tona është rrënjësisht i lidhur me këtë subjekt.
‘’Ne që i kemi shërbyer këtij subjektit tash më se 22 vite me ngritje me ramje , me pozita e pa pozita me privilegje e me sakrifica, gjithsesi kemi çka të thomi. Duhet ditur se Lidhja Demokratike, në gjithë jetën e saj 22 vjeçare ka pasur sfida të shumta që nga themelimi, kundërshtarë, njerëz të infiltruar, tentativa për ta shkatërruar me themel që nga themelimi. Besoj se struktura qe i ka shërbyer që tash 22 vite, ka qenë e vetëdijshme gjithë atyre presioneve gjithë asaj trysni që i është bërë këtij subjekti. Megjithatë erdhëm të gjithë së bashku deri këtu. Sot jemi përsëri para një sfide të re, sepse zgjedhjet parlamentare në frymën e ligjit të ri nuk janë në favor të subjekteve nacionale, për aq më pak të një subjektit që me fanatizëm ka ruajt ato vlerat, prej të cilave partitë tjera kanë hjekur dorë shpejte’’.
Camaj shtoi se ajo që i gëzon Degën e Malësisë është kyçja e një numri të konsiderueshëm të rinjsh e të rejash , shumica prej këtyre me fakultet, ndër ata dy vajza me fakultet, të cilët i kanë hetuar këto vlera dhe se nuk kanë ardhë aty për emrin e kurrkujt, por vetëm për emrin e subjektit të parë të shqiptareve në Mal të Zi, për hir të vlerave që i ka kultivuar ky subjekt.
Vlen të ceket se Lidhja Demokratike ne Mal te Zi është subjekti i parë nacional i shqiptarëve në Mal të Zi, që u formua më 09. 09.1990, në Tuz, ku kryetar i Kuvendit themelues ishte zotëri Lekë Lulgjuraj.

 / Albert Camaj/
Lidhja Demokratike Facebook



1.

2.

2