Fiton me diference Mark Gjonaj, ndëshkohet korrupsioni

September 14, 2012   | Bota

NewYork Post e 14 shtatorit, shkruan:” Në një përmbysje mahnitëse, sfidanti Mark Gjonaj, shkathtësisht mundi Naomi Rivera me  2.407 vota, apo 52 për qind, nga  1.894 vota,  që mori Naomi, apo 41 për qind…/

NGA DALIP GRECA/

Shqiptarët e New Yorkut e prekën fitoren dhe meritojnë përgëzime. Ata u ngritën mbi përcarjet dhe garantuan përfaqësuesin e tyre në një garë të vështirë. Ka qenë një fushatë shembullore, ku djem dhe vajza, burra dhe gra, i dhanë mbështetje maksimale Mark Gjonajt.E gjithë e enjtja e  13 shtatorit , dita e votimeve, ishte e ngarkuar. Vullnetarë të shumtë e mbështetën  Mark Gjonaj pa rezerva. Kujdes u tregua deri në momëntin e fundit, për të garantuar fitoren e ruajtur votat.

Që mbrëmë në mesnatë shqiptarët festuan dhe shpërndanë lajmin e fitores edhe pse që në fillim të numërimit, Gjonaj dukej i sigurtë dhe e  ruajti diferencën prej më shumë se 10 përqind ndaj kundërshtares Naomi Rivera.

Gazeta që e sulmoi më shumë kundërshtaren e Gjonajt, ishte NewYork Post, tabloidi konservator Njujorkez, që vuri në shënjestër, korrupsionin e Riverës, e cila u lakua gjatë për aktin e saj të shpërdorimit të fondeve. Ajo kishte punësuar Tommy Torres, në zyrën e saj të Kuvendit, ndërsa ai ishte me një kohë të plotë mësues në një shkollë publike.

Ajo , sic shkruan sot, me 14 shtator  tabloidi The NewYork Post, i mori këpucët në dorë, duke u eliminua nga gara. Po ashtu u ndëshkua në këto preeliminatore edhe Sen Shirley Huntley në Queens, me të njëjtin motivacion korrupsion me fondet e shtetit, që i shpërdoroi fondet në emër të një shoqate gjoja bamirëse. Huntley e humbi garën përballë këshilltarit James Sanders,që mori 4979 vota, ose 57 për qind e numërimin e votave, për 3477, ose 40 për qind.
Huntley u akuzua më 27 gusht me akuza për falsifikim të dokumenteve për të fshehur faktin se mbesa dhe ndihmësi gjoja kishin dërguar 30.000 $ nga një organizatë bamirëse, e rremë që ajo krijoi.Huntley refuzojnë të pranojë, por ndëshkimi erdhi në këto preliminatore, ku u ndëshkua nga votusit..
Duke iu drejtuar mbështetësve, kur  e pa se po e humbte garën,mbrëmë mori rrugën për në shtëpi duke thënë:  ”Faleminderit për mbështetjen tuaj.Unë jam lodhur. Unë jam duke shkuar në shtëpi. ”

Në numrin e sotëm, e premte 14 shtator, NewYork Post shkruan:” Në një përmbysje mahnitëse, sfidant Mark Gjonaj shkathtësisht mundi Rivera nga 2.407 vota, apo 52 për qind, në 1.894 vota, apo 41 për qind, për Rivera. Burime pranë Riverës, të cituar nga Post, kishin thënë ën mbrëmje, se ajo do ta mundëte Gjonaj, nga që rrethinat, ishin fortesa të saj, por beteja u humb nga Naomi.

Mbrëmë Gjonaj dhe shtabi i tij e kanë festuar. Ai u tha mbështetësve dhe medias se luftonte për qeverisje të ndershme, të pastër, jo korruptive. Duke festuar fitoren, Gjonaj tha se:
“Kjo është një fitore për të gjithë njerëzit e Distriktit 8,”. Ata e meritojnë një përfaqësues, sic janë ata vetë, dikë që t’i përfaqësojë denjësisht.

Nga kjo fushatë shqiptarët vërtetë dualën të fituar, por është e mira që të nxjerrin edhe mësime sepse fitorja mund të kishte qenë më spektakolare. Ku është defekti i shqiptarëve? Ata interesohen pak për votën dhe nuk i bëjnë shërbimin e duhur asaj. Në qendrat e votimit dolën shumë probleme. Shumë prej shqiptarëve shkonin me eufori drejt qëndrës së votimit, por harronin se nuk ishin regjistruar më parë për të votuar. Rregulli është i qartë, secili ka të drejtë të votojë dhe të votohet; të zgjedhë dhe të zgjidhet. Por që t’i realizojë këto të drejta, që ia jep Kushtetuta Amerikane, ai kur bëhet qytetar amerikan duhet të regjistrohet. Në momentin që grupi im familjar prej pesë vetash shkuam për të votuar, e hasëm këtë shqetësim  tek shqiptarët që po përpiqeshin që të fitonin të drejtën e votimit( dhe e fituan), edhe pse nuk e kishin emrin në regjistrat e votimit. Që të mos hasim në të ardhmen me probleme të tilla, shqiptarët kanë nevojë që ta sensibilizojnë komunitetin dhe të pararegjistrohen. Gjithësesi tani është koha e festës, le ta urojmë Mark Gjonajn: “Urime dhe na përfaqëso denjësisht”!/Dielli Online/