Fiton Mark Gjonaj: Fitore historike për komunitetin shqiptar në Nju Jork

September 15, 2012   | Opinione

Nga Frank Shkreli

Mark Gjonaj, me originë nga rrethi i Ulqinit — i cili për lexuesin është i njohur nga disa shkrime të mëparshme mbi kandidaturën dhe fushatën e tij —  dhe kandidati shqiptaro-amerikan për Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut fitoi dje në zgjedhjet paraprake me 52 për qind të votave ndaj kundërshtares kryesore Naomi Rivera e cila siguroi vetëm 41 për qind të votave.   Mark Gjonaj fitoi edhe në lagjet që mendohej se Naomi Rivera kishte mbështetje të fortë.   Në fjalimin e tij mbrëmë pas njoftimit të fitores në sallen e madhe ‘’Maestro’s’’ në Bronx, Mark Gjonaj u tha përkrahësve të tij se ”Këjo është një fitore e të gjithë banorëve të lagjës elektorale numër 80-të.”  Ai shtoi duke thënë se banorët e kësaj zone ”meritojnë një përfaqsues që punon aq rëndë sa punojnë edhe ata vetë”, për familjet e tyre.

Mbrëmë ai u prit në sallën ‘’Maestro’s’’ nga një turmë e madhe vullnetarësh dhe shqiptaro-amerikanësh, përfshirë edhe rininë, anëtarë të orrganizatës ”Rrënjët Shqiptare”, të cilët brohoritnin ‘’Përpara me Mark Gjonaj’’,  i cili duke i përshëndetur dhe duke i falenderuar përkrahësit, u tha atyre se ”këjo është një fitore e gjithë neve dhe si të tillë e ndajmë gëzimin e kësaj fitore me të gjithë ju.  ”Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti u bekoftë të gjithë ju që më mbështetët dhe punuat në fushatën time.”

Këto ishin zgjedhjet pararkrake sipas sistemit elektoral amerikan, ku kandidatët e të njëjtës parti garojnë për për tu zgjedhur kandidat i partisë, në këte rast i partisë Demokrate, për tu ballafaquar me kandidatin republikan në zgjedhjet e përgjithshme më 6 Nëntor, në të njëjtën zonë elektorale.   Por kur të merret parasyshë se lagja elektorale numër 80 e Bronksit është pothuaj 80-për qind demokrate, atëherë mund të arrihet në përfundimin se Mark Gjonaj e ka siguruar mbrëmë postin e anëtarit të Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut nga lagja 80 e Bronksit.   Si i tillë ai bëri histori.  Mesa dihet, Mark Gjonaj është i pari shqiptaro-amerikan , nga trojet tona shqiptare në Ballkan, që ka shpallur kandidaturë dhe ka zhvilluar fushatë, dhe më në fund të ketë  fituar në zgjedhjet për një post politik me rëndësi, siç bëri ai dje.

Pa dyshim se ky është një sukses i Mark Gjonajt, për të cilin ai meriton lëvdatë për punën e rëndë dhe urimet tona, por është gjithashtu edhe një hap përpara për komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi fitorja e tij shënon një hap tjetër drejtë një angazhimi më të plotë, në procesin  politik të këtij vendi,  nga ana e komunitetit shqiptar në Amerikë.   Në të vërtetë,  komuniteti shqiptaro-amerikan, siç duket  ishte i bashkuar dhe i vendosur, si asnsjëherë më parë, që të ndihmonte në fushatën për zgjedhjen e Mark Gjonajt.
Shqiptarët e Amerikës, megjithëse një komunitet i vogël, në krahasim me komunitetet e tjera etnike, ka shënuar suksese në shumë fusha të ndryshme, si art e kulturë, dhe sidomos atë të biznesit.  Komuniteti shqptaro-ameirkan ka ndihmuar gjithashtu financiarisht  dhe ka mbështetur kandidatët vendas për poste të ndryshme politike amerikane, përfshirë kongresmenë e senatorë,  e deri tek kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara.  Këjo veprimtari  ka influencuar ndjeshëm dhe pozitivisht në politikën amerikane karshi Shqipërisë, Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Ballkan.  Por deri tani, për një arsye ose një tjetër, anëtarë të përgatitur të komunitetit ngurronin të hedhnin vet hapin e tyre drejtë pjesëmarrjes në politikë.

Fitorja e Mark Gjonajt është një fillim i mbarë dhe shpresëdhënës për komunitetin tonë këtu në Amerikë.  Këjo, pra është sfida e brezit të ri të këtij komuniteti, këtij brezi që ka mundësitë më të mira se çdo brez tjetër më parë i shqiptarëve të Amerikës.   Amerika u jep munësitë.  Në asnjë vend tjetër mundësitë nuk janë më të mira për tu bërë pjesë e procesit politik  aty ku jetojmë në Amerikë, duke kandiduar dhe duke fituar në fushata siç fitoi Mark Gjonaj.  Rini shqiptaro-amerikane,  mos ngurro.  Bëni histori siç bëri Mark Gjonaj.

Urime dhe faleminderit Mark për shëmbullin e mirë për brezin e tanishëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve në Amerikë.

 

Frank Shkreli