Shqetësohet Forumi Demokratik për Integrim

September 16, 2012   | Opinione, Rajoni / Region

Forumi Demokratik për Integrim, me vëmendje është duke përcjellur situatën aktuale politike në vend dhe jemi të shqetësuar duke ndjekur dinamikën politike e cila është vazhdimësi e të njëjtës politikë që udhëhiqet për njëzetë vjet pluralizëm. Gjendemi në prag të dorëzimit të listave për kandidatët për deputet në Parlamentin e Malit të Zi. Shqiptarët aktualisht gjenden të pozicionuar në katër kolona të cilat nuk garantojnë zgjidhjen adekuate për pozitën e shqiptarëve. Jemi tepër të shqetësuar rreth disa kandidatëve për deputet si nga Malësia ashtu edhe nga Ulqini të cilët për shkak të interesit të tyre personal kanë krijuar këtë lloj situatë tepër të padëshiruar për shqiptarët.

Do filloj të analizoj në radhë të parë Malësinë e cila po kalon një nga çastet më të vështira në rrafshin politik sepse rrezikon që mos të ketë kandidat për deputet dhe në këtë mënyrë për një periudhë Malësia të mbesë pa zë dhe të mos ketë njeri që të mund të flas për Të. Përfaqësuesit politik dhe deputetët që i kishte Malësia, duke parë disfatën e tyre në Malësi, u arratisën dhe ikën në Ulqin duke bërë kualicione në dëm të qytetarëve të Malësisë. Disa nga këta kandidat që ka Malësia kanë ndërruar nga 7 parti e lëvizje vetëm për të ruajtur interesin e tyre personal dhe për të mbijetuar politikisht, duke mos marrë asnjëherë guxim për të kërkuar falje përpara elektoratit të tyre për të gjitha këto padrejtësi që kanë bërë. Ndërsa kandidatët e disa partive të tjera shqiptare në Malësi janë përpara shuarjes totale. Tani shtrohet pyetja: mbi bazë të cilave vlera lidhen këto kualicione? Këtu mos sinqeriteti ka arritur kulmin! Dëshpërimi i popullit poashtu është në majat më të larta. Rinia e Malësisë bredhë rrugëve duke mos patur askush mëshirë për ta. Mbi 95% e rinisë Malësisë sot gjendet pa punë! Një pjesë e tyre mundohen që sa më parë të largohen nga vendi për të marrë rrugët e mërgimit! Kjo për shkak të mungesës së përspektivës në këtë vend! Për këto të drejta elementare njerëzore askush nga partitë politike nuk flet! Por biseda kryesore e tyre është radhitja në listën për deputet; kush do jetë i pari e kush do jetë i dyti…!!!

Në rajonin e Ulqinit, situata është e ngjajshme sepse edhe atje përçarja ka arritur nivelet më kritike duke vënë në pikëpyetje të madhe edhe pushtetin aktual në Komunën e Ulqinit. Disa kandidat nga Ulqini së bashku me kandidatët e tjerë nga Malësia negociojnë vetëm mbi bazën e interesave të tyre personale dhe asnjëri nga ata nuk flet për interesat kombëtare dhe interesat e qytetarëve duke mohuar në mënyrë absolute parimet mbi të cilat partitë politike të shqiptarëve duhet të veprojnë! FDI ka pas rekomanduar që të prodhohen këto forca politike: Malësia të ketë deputetin e saj, Ulqini poashtu të ketë deputetin, Ana e Malit së bashku me Krajën te kenë dputetin e vet dhe Plavë e Gucia dhe Rozhaja për shkak të numrit të vogël të votuesëve të bashkangjiten në këto tre rajone të cilat në bazë të votuesëve mund të fitojnë deputetin, por kërkesat e FDI-së nuk janë marrë parasysh asnjëherë nga partitë e shqiptarëve sepse Ne e dijmë që sigurimi shtetëror vepron duke u munduar të ndalojnë parimet e shëndosha dhe vlerat tona njerëzore.

Partia në pushtet e DPS-së, po mundohet që përmes satelitëve të saj në të gjithë Malin e Zi e veçanërisht në zonën e shqiptarëve të krijojë përçarje sa më të madhe në mënyrë që shqiptarët të humbasin mandatet parlamentare! DPS po mundohet që përmes ndihmave ushqimore (konzerma peshku, miell, vaj, sheqer etj) të blejë firmat për kandidatët dhe votat. Ndërsa ata që nuk e japin firmën për kandidatët kërcënohen me përjashtim nga puna! Kjo tregon nivelin demokratik të shtetit të Malit të Zi! Pra ne jetojmë në një totalitarizëm që as në sistemmet e mëparshme nuk ishte i tillë. Partitë e shqiptarëve këtë gjë e kanë harruar ta kundërshtojnë! Dëshmi janë mjetet e informimit të cilat nuk kanë paraqitur asnjë deklaratë nga partitë e shqiptarëve për të parë nëse ndokush nga ato ka bërë apel që të ndalohen këto poshtërime dhe degradime të bëra nga DPS-ja. FDI i bën apel partisë më të madhe në pushtet DPS-së që të garantojë liri për qytetarët që ata të vendosin vetë për fatin e tyre! T’i lejë presionet dhe keqpërdorimet e popullit shqiptar.

FDI i bën thirrje popullit shqiptar në Mal të Zi që të vetëpërmbahen përpara këtyre fortunave që na çojnë drejt e në humnerë. Ne garantojmë që jemi në çdo moment pranë popullit dhe do vëzhgojmë të gjithë situatën e krijuar në teren. Do bëjmë gjithçka që Malësia mos të mbetet pa deputetin e Saj.

Kryesia e Forumit Demokratik për Integrim