Pse parcializohet çështja shqiptare në Mal të Zi?

September 17, 2012   | Opinione

Një shkrim i vjetër , por me aktualitet të tanishëm

 

       PSE PARCIALIZOHET ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAL TË ZI?

 

Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në ngecjen e zgjidhjes së statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, ka qënë trajtimi në mënyrë të pjesëshme të kësaj çështjeje nga ana e subjekteve politike shqiptare. Megjithëse në fillim të viteve “90-të (pra, pas vendosjes së pluralizmit në Mal të Zi) pati tendenca për një zgjidhje të unifikuar të statusit të përgjithshëm të shqiptarëve në këtë republikë, me kalimin e kohës dhe me rritjen e numrit të subjekteve politike shqiptare, këto tendenca jo vetëm që u zbehën, por sikurse ato u braktisën në tërësi. Është mangësi e pajustifikueshme që shqiptarët në Mal të Zi, ende deri më sot, nuk kanë një dokument të përbashkët të kërkesave të tyre.

Kur flitet për çështjen shqiptare në Mal të Zi, në terminologjinë e sotme të partive politike nacionale rrallë herë përdoren apo pothuajse janë zhdukur nga përdorimi fjalët, si psh, “autonomi territoriale”, “platformë e përgjithshme politike”, “strategji e përbashkët veprimi”, “unifikim i qëndrimeve”, etj. Sot dominon qasja e zgjidhjes së pjesëshme të pozitës së shqiptarëve .

S’ka dyshim që aktualisht problemi parësor i shqiptarëve në Mal të Zi është realizimi i komunës së Tuzit (Malësisë) me të drejta të plota, si pjesë e programit afatshkurtë të shqiptarëve në Mal të Zi. Njëkohësisht duhet të pyesim vetvehten së ç’po bëhet në planin afatgjatë lidhur me zgjidhjen e statusit të përhershëm të shqiptarëve në këtë shtet!?

                         Lokalizmat, si pengesë kryesore

 

Faktor tjetër që ka ndikuar dhe që gjithnjë po ndikon në trajtimin e pjesëshëm të çështjes shqiptare në Mal të Zi, janë lokalizmat dhe krahinarizmat e shprehura, pikësëpari nga ana e liderëve politikë dhe të cilat reflektohen te masat e gjëra. Në vend që të luftohen këto dukuri negative të shoqërisë shqiptare, përkundrazi, ato (pra, lokalizmat) inicohen dhe nxiten nga pjesa dërmuese e faktorit politik shqiptar. Pothuajse në çdo fushatë parazgjedhore, që nga vendosja e pluralizmit politik e deri më sot, dominuan politikat lokale dhe krahinore të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi.

Edhe në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të fundit parlamentare, në mars të këtij viti,dolën në pah, si asnjëherë më parë, ndasitë krahinore. Kështu që në vend të një debati të shëndoshë se kush do t’a përfaqësojë më mirë çështjen dhe problemet e shqiptarëve në përgjithësi në Parlamentin e Malit të Zi, disa nga kandidatët për deputetë të subjekteve nacionale shqiptare, u lëshuan në gara parazgjedhore me qëllim të vetëm, se si mund të fitonin një mandat në këtë parlament në emër të ndonjë krahine (treve) të caktuar të shqiptarëve në këtë republikë. Përsëri, pra, interesi i përgjithshëm i shqiptarëve në Mal të Zi, u zëvendësua me interesin lokal e krahinor, duke luajtur vazhdimisht me ndjenjat krahinore të zgjedhësve shqiptarë. A nuk mjafton që jemi të ndarë politikisht në disa parti, dhe tani duhet të ndahemi edhe në baza krahinore!?

Një lokalizëm i llojit të vet, sidomos i shprehur tek banorët shqiptarë të komunës së Ulqinit, është ndarja qytet-katund (fshat). Këto ndasi shkojnë aq larg, sa që tani subjektet politike shqiptare që veprojnë në këtë komunë shpeshëherë përshkruhen si  “parti e qytetarëve” apo si  “parti e katundarëve”!!

Edhe zgjedhjet e ardhshme lokale (lexo lokaliste) fatkeqësisht do të vërtetojnë edhe njëherë faktin që shumë pak punohet në eliminimin e kësaj dukurie negative të shoqërisë sonë.

Për nga numri, shqiptarët në Mal të Zi, si popull pakicë dhe autokton, është relativisht i vogël dhe çdo tentim i trajtimit të çështjes së tyre në mënyrë parciale nuk do të ketë sukses të qëndruar dhe afatgjatë. Vërtetë që subjektet politike shqiptare (në zgjedhjet e fundit) fituan katër mandate në parlamentin e sotëm të Malit të Zi, dhe ky ishte një sukses relativ, por unë jam i bindur që kjo erdhi si pasojë e vetëdijësimit të elektoratit shqiptar dhe njëkohësisht zhgënjimit të këtij elektorati në partinë në pushtet dhe jo si rezultat i strategjisë lokaliste të udhëhequr nga disa subjekte nacionale.       Gjithashtu, fuqia e faktorit politik shqiptar nuk matet vetëm me numrin e arritur të deputetëve shqiptarë, por me shkallën efikasitetit të tyre me rastin e prezentimit të problemeve si dhe nivelin e bashkëpunimit në mes të tyre për çështjet e përgjithshme që preokupojnë shqiptarët.

Në një demokraci të avancuar të stilit përendimor, ku çështja e popujve pakicë është zgjidhur, ndoshta edhe mund të flitet për zonën e deputetit (distriktin), por në rastin e Malit të Zi, ku statusi i shqiptarëve është ende i pazgjidhur dhe ku pushteti malazez udhëheqë të njëjtën politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve në përgjithësi, pa dallim krahine, është absurde që të flitet për një përfaqësim krahinor. Prandaj edhe deputetët shqiptarë, pa marrë parasysh nga cila krahinë vijnë, duhet të angazhohen,në rend të parë,për interesat e përgjithshme të shqiptarëve në Mal të Zi. Nuk mund të kenë, për shembull, ulqinak me të drejta të plota, derisa malësorët diskriminohen ose e kundërta. Gjithashtu, nuk mund të trajtohen të ndara problemet që preokupojnë shqiptarët në Malësi, Ulqin, Krajë, Plavë e Guci apo Rozhajë. Kuptohet që secila trevë ka specifikat e veta, por të gjithë shqiptarët që banojnë në këto treva, një gjë kanë të përbashkët e kjo është se , në një mënyrë apo tjetër,kanë trajtim të pabarabartë nga pushteti malazez.

Shekulli 21 është karakterizuar si shekulli i globalizimit, integrimeve dhe bashkimit të kombeve dhe absurdi më i madh do të ishte sikurse ende të vazhdojmë me këto dallime dhe ndasi të pakuptimta.

Synimi final i popujve të Europës Juglindore (duke përfshirë edhe popullin shqiptar) është që në një të ardhme të afërme, të jenë pjesë e familjes së gjërë europiane. Gabohemi rëndë nëse mendojmë se ne do të hyjmë në Europën e Bashkuar si ulqinak, anamalas, malësor, qytetar apo katundar. Ne do të integrohemi në këtë Europë vetëm si pjesëtarë të një populli të lashtë dhe të civilizuar, pra si pjesëtarë të popullit shqiptar.

 

 

Xheladin Zeneli

 

Maj 2009

 

(Marrë nga  libri “Diaspora dhe Vendlindja”, nga i  njëjti autor)