Sinishtaj: Nesër dorëzohen listat për zgjedhjet e tetorit

September 18, 2012   | Politika

Partitë shqiptare kanë formuar disa koalicione të vogla, por nuk kanë dorëzuar ende listat e tyre të kandidatëve. Një ditë para dorëzimit Vaselj Sinishtaj nga Iniciativa Qytetare beson se nesër mund të arrihet ndonjë marrëveshje e re. 

Sinishtaj për Antena M tha se është në dijeni se Partia Demokratike e Fatmir Gjekës dhe Lidhja Demokratike e Mehmet Bardhit mbrëmë nënshkruan një marrëveshje politike.

Tashmë Iniciativa Qytetare e Vasel Sinishtaj ka formuar koalicionin me Forcën dhe janë të gatshëm të dorëzojnë listën zgjedhore, njofton Antena M.

“Ne do të përpiqemi që nesër të dorëzojmë listën deri në ora 12. Por, nëse vërejmë ndonjë lëvizje në prag të një marrëveshjeje të mundshme për një koalicion më të gjerë, megjithatë, ne mund të presim deri nesër në ora 24:00. Të gjitha subjektet sot në Ulqin janë duke u përpjekur të ndërmjetësojnë dhe bashkojnë sa më shumë që mund të bashkohet,” tha Sinishtaj .

Interesi i shqiptarëve, sipas kryetarit të UDSH-së Mehmet Zenka është dalja e shqiptarëve në zgjedhje në një kolonë të vetme.

Sinishtaj tha se ekziston mundësia e marrëveshjes me UDSH-në e cila ka treguar gatishmëri por ekziston një pengesë.

“Renditja në listë është problematike, pasi UDSH pretendon të jenë e para në listë, duke menduar se kanë më shumë vota sesa kishin në të kaluarën. Mendoj se në këtë janë gabim”, tha Sinishtaj dhe shtoi se koalicioni Forca-Iniciativa Qytetare është një koalicion shtyllë dhe shpreson se këtij koalicioni do të ju bashkëngjiten edhe partitë tjera shqiptare. /Malesia.Org/