Ali Salaj: Memorandumi i vitit 1992 – Metamorfozat e tranzicionit

September 19, 2012   | Kulturë / Kultura

Duke analizuar sistemin partiak të shqiptarëve në rajon, analisti dhe publicisti i njohur ,Elez Biberaj në veprën e tij “Shqipëria në Tranzicion- Rruga e vështirë drejt Demokracisë” vë në dukje sistemin e paqëndrueshëm partiak , i cili mbretëron gati në tërë hapësirën shqiptare ku “ shumica e partive pësuan përçarje, të shkaktuara më fort nga rivalitete personale dhe intriga sesa nga parimet politike”. Në këtë kuadër kuptohet edhe pluralizmi i shqiptarëve në Mal të Zi, i cili  përjetoi devijime dhe metamorfoza ndër më të skajshmet. Ky tranzicion edhe pas më shumë se dy dekada vazhdon të jetë i vështirë dhe me polarizime  brenda spektrit politik shqiptar duke i lëne në margjina problemet e njëmendëta të shqiptarëve në Mal të Zi.

Shirli Diogardi, këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane për Ballkanin në një analizë politike me titull “Çështja e papërfunduar e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi” vë në dukje se shumica e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dinë fare pak për problemet e shqiptarëve në këtë vend. Kjo ndodh sepse subjekti politik shqiptar nuk arriti ti imponohet faktorit ndërkombëtar dhe pas tyre nuk ekzistonte asnjë platformë e përbashkët çka do ti bënte ata serioz para institucioneve amerikane dhe evropiane.

Për këtë arsye përkujtohet si një veprim madhor  Memorandumi i vitit 1992 të Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi ku për herë të parë shqiptarët folën njëzëri  duke paraqitur kërkesat e tyre para faktorit ndërkombëtar. Për herë të parë delegacioni i shqiptarëve në Mal të Zi mori pjesë në Konferencën e Gjenevës për ish-Jugosllavinë. Edhepse duket pak e tepruar por  ky  Memorandum mund të cilësohet si më i rëndësishmi për shqiptarët në Mal të Zi pas Memorandumit të Greçës kur shqiptarët e veriut përpiluan programin kombëtar në të cilin aderuan të gjithë shqiptarët.

Ky Memorandum ka mbetur si një relike e shqiptarëve në Mal të Zi drejt kërkesës së tyre legjitime për drejtësi dhe barazi , por të kërkosh riaktivizimin e tij dhe të Forumit do të ishte një veprim politik tejet naiv. Ky dokument është vjetëruar dhe nuk përkon as  me realitetin aktual të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërkohë që sot funksionon një subjekt mbipartiak siç ëshët  Këshilli Nacional i Shqiptarëve , i cili duhet të shndërrohet në një strumbullar të kërkesave reale të shqiptarëve në Mal të Zi dhe kurrsesi të mos injorohet dhe të përjetoje fatin e Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi.