UDSH braktisë bisedimet – Albin Kurti nuk arrin ti bashkojë shqiptarët

September 19, 2012   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

As Albin Kurti nuk i bashkoi dot

Shqiptarët në Malin e Zi përsëri do kenë shumë mundësi zgjedhjeje në Parlamentaret e këtij viti pasi që politikanët e tyre dështuan të formojnë një koalicion të gjerë. Mbrëmë në mesnatë ka përfunduar afati i dorëzimit të listave zgjedhore dhe nëntë subjekte shqiptare do të paraqiten në katër kolona

Në një kolonë është “Koalicioni Shqiptar” i përbërë nga partia më e vjetër shqiptare në vend Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDnëMZ) e udhëhequr nga Mehmet Bardhi, Partia Demokratike (PD) e udhëhequr nga Fatmir Gjeka, dhe Alternativa Shqiptare (ASH) e udhëhequr nga Gjergj Camaj. Dy të fundit kanë hyrë në koalicion me njëra tjetrën kohë më parë kurse LDnëMZ u është bashkëngjitur para tre ditëve. Në krye të listës do të jetë Fatmir Gjeka, kurse mandati, po që se fitohet, do të ndahet nga Gjeka dhe një përfaqësues i LDnëMZ.

Kolona tjetër përbëhet nga partia Forca e Re Demokratike (Forca) e udhëhequr nga Nazif Cungu, Iniciativa Qytetare (IQ) e udhëhequr nga Vasel Sinishtaj dhe Lëvizja Perspektiva e udhëhequr nga Amir Holli, e të cilët bashkë formojnë “Koalicionin për Bashkim”. Ky koalicion e konsideron të garantuar një vend kurse shpreson edhe në të dytin. Në krye të listës është deputeti i Forcës Genci Nimanbegu i përcjellur nga ai i Iniciativës Qytetare Vasel Sinishtaj.

Kolona e tretë është ajo e Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) e udhëhequr nga Mehmet Zenka dhe e Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD) e udhëhequr nga Ali Rexha. Edhe ky koalicion e numëron të fituar një vënd në Kuvendin e Malit të Zi.

Kolonën e fundit, e cila u shfaq si surprizë për politikën shqiptare në Mal të Zi dhe elektoratin e saj, është e ka e sapoformuara Aleanca Rinore Shqiptare (ARSH). Këtij subjekti të ri politik i cili del i vetëm në zgjedhje i prinë Anton Lulgjuraj.

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti me bashkëpunëtorët e tij provuan që të bashkojnë politikën shqiptare në këtë vit feste por nuk ia dolën. Kurti vizitoi Ulqinin disa herë dhe këtë e bëri edhe dje ku zhvilloi një takim me gjithë politikanët shqiptarë. Sipas informacioneve nga pjesëmarrësit e takimit, ishte Mehmet Zenka, kryetari i UDSH, ai i cili i prishi planet e Kurtit. Thuhet që Zenka ka qëndruar në takim shumë shkurt dhe partitë tjera nuk kanë arritur të bien dakord me të rreth kërkesës për të qenë bartës i listës, për të mos e ndarë mandatin me askë tjetër dhe rreth hyrjes në koalicion me partinë qeverisëse pas zgjedhjeve pa kushte dhe pa qëndrim të përbashkët. Kështu dështoi koalicioni gjithëpërfshirës.

Kurti nuk u ndal por shkoj edhe më tej duke provuar të bashkojë Koalicionin Shqiptar me Koalicionin për Bashkim por edhe këtu ka hasur në rezistencë. Sipas të pranishmëve ishte Fatmir Gjeka i Partisë Demokratike i cili dëshironte të jetë bartës i listës, gjë me të cilën nuk pajtohej Forca.

Zgjedhjet Parlamentare në Mal të Zi do të mbahen më 14 tetor dhe në garë gjithsejt janë 13 lista. Për marrjen e një mandati nevojiten nga 3500 deri në 4000 vota.

 

Faqja e Facebook: Shqiptarët në Malin e Zi – Albanians in Montenegro

 

 

UDSH braktisë bisedimet

Lideri i “Vetëvendosje”s Albin Kurti dje ishte në Ulqin si ndërmjetës i liderëve të subjekteve politike shqiptare, për krijimin e një koalicioni të gjerë për zgjedhjet parlamentare.

Sipas medieve malazeze, takimi i djeshëm në hotelin “Otrant” në Ulqin i cili zgjati deri në orët e vona të natës, përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Sipas medieve të cilat referohen në fjalët e një pjesëmarrësi të këtij takimi, marrëveshja nuk u arrit si shkak i kërkesave të UDSH-së, të cilët kërkuan të jenë të parët në listë gjë që përfaqësuesit e subjekteve tjera nuk e pranuan. Përfaqësuesit e UDSH-së po ashtu nuk pranuan që mandatin eventual katër vjeçar ta ndajnë me subjektet tjera.
Tjetër mosmarrëveshje ishte rreth pjesëmarrjes eventuale në Qeverinë e ardhshme, ku UDSH nuk ishte e gatshme të pranojnë që për ketë të vendosin me konsensus të gjitha subjektet pjesëmarrëse të koalicionit.
Si shkak i këtyre mosmarrëveshjeve, përfaqësuesi dhe kryetari i UDSH-së Mehmet Zenka u largua nga bisedimet.

Sonte në mesnatë skadon koha për dorëzimin e listave zgjedhore, dhe nëse nuk arrihet ndonjë zgjedhje eventuale, partitë shqiptare në këto zgjedhje do të dalin ne më së pakut 3 kolona.

Në këto bisedime morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike shqiptare dhe të kryetari të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, Tahir Tahiri.

Albin Kurti, me origjinë nga Ulqini, është lideri i “Vetëvendosjes”, subjekti i dytë më i fortë në parlamentin e Kosovës. /Malesia.Org/

 

21