Mal i Zi, përfaqësimi politik i shqiptarëve – Video

September 26, 2012   | Politika

Shqiptarët e Malit të Zi më shumë jetojnë në diasporë se sa në Mal të Zi. Ata janë më pak se pesë për qind e popullsisë, por kanë pesë subjekte politike.

Ulqini është kryeqyteti i shqiptarëve në kontekstin orientues, por një mbështetje e fuqishme është Tuzi, që konsiderohet lagje e Podgoricës, pasi pa shqiptarët Podgorica mund t’u takonte serbëve.

Një ligj i ri megjithatë kërkon që partitë të kenë një prag prej 3 për qind dhe kështu rrezikohet që partitë shqiptare të mos futen fare ose me një numër më të vogël deputetësh në Parlament.

Shqiptarët kanë dhënë kontribut për krijimin e shtetit pasi pakicat qenë ato që në vitin 2006 i dhanë mbështetje referendumit për pavarësi kundrejt serbëve.

Genci Nimanbegu, i Forcës së Re Demokratike të Ulqinit, shpreson për një bashkim të shqiptarëve. Shqiptarët në Mal të Zi janë të vetmit në ish-Jugosllavi që nuk kanë luftuar brenda shtetit të tyre.

Por, malazezët, të afërt me kulturë me serbët, kanë arritur të krijojnë shtetin, por kombi është ende i ri. Forcat shqiptare kërkojnë që Tuzi të bëhet komunë dhe në zonat bregdetare të ketë decentralizim.

“Ne çdo herë jemi nën hijen e marrëdhënieve mes malazezëve dhe serbëve. Mali i Zi është i vetmi shtet në Ballkan ku nuk ka shumicë kombëtare. Malazezët janë nën 50 për qind, kështu që pakicat etnike bëjnë më tepër se 50 për qind dhe kjo është një sfidë për shtetin e Malit të Zi dhe për ne që të vazhdohet dhe të mos bëhet njëetnik”, deklaron Nimanbegu.

Mali i Zi pret që me zgjedhjet e ardhshme, që do të mbahen në javën e dytë të tetorit, në vend të vijë ndryshimi i madh përmes partive të reja politike.

Por partia e Milo Gjukanoviç, tani kryeministër në hije i Partisë së Socialistëve Demokratë, i njohur si udhëheqës i përhershëm dhe i përfshirë në afera ndërkombëtare e hetime për lidhje me mafien e duhanit, ende është më e forta.

Top Channel

2