U promovua libri i Flamur Anamalit në Pejë

October 4, 2012   | Kulturë / Kultura, Ngjarjet - Events

Këshilli Nacional I Shqiptarëve në Malin e Zi

Ulqin, 01.10. 2012

 

NJOFTIM  PËR MEDIA

 

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Shoqatën e Vëllazërisë Kosovë -Malësi e Madhe ” Martin Dreshaj” nga Peja, organizuan të premten e kaluar në Pejë, përurimin e librit me titull “Kultura shqiptare në tekstet mësimore të shkollës fillore me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi” të autorit Mr. Flamur Anamali.

Në ceremoninë e  përurimit të librit në fjalë, i cili u mbajt  në sallën e Asamblesë Komunale të Pejës, ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit lokal, të subjekteve politike, intelektual e punëtorë të arsimit e shkencës, poetë, përfaqësues të konfesioneve fetare,qytetarë të shumtë, si dhe përfaqësues të mediave.  

Në hapje të këtij manifestimi gazetari i malësia.org nga Kosova, Rrahman Jasharaj, ka përshëndetur mysafirët e nderuar nga Ulqini dhe gjithë të pranishmit. Ai ka lavdëruar punën e Mr.Anamalit duke deklaruar se tani e tutje Shoqata “Martin Dreshaj”, por edhe gjithë të tjerët që duan të jenë zë i vëllezërve të tyre në trojet shqiptare të administruara nga Mali i Zi e kanë një vepër analitike me qindra argumente që flasin për  vështirsitë e   kulturës dhe arsimit shqip në Malin e Zi, të cilat siç tha ai, po cenohen çdo ditë nga pushteti në Podgoricë.

Profesori , veprimtari e publicisti Valdet Hyseni, duke qenë njohës i mirë i rrethanave në kulturën dhe arsimin shqip kudo në trojet etnike, ka paraqitur një kumtesë analitike për veprën e Flamur Anamalit. Ai ka përgëzuar autorin Anamali për punën e përkushtuar dhe  shprehu keqardhje, se si në kohën kur Mali i Zi pretendon të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar e demokratike bën gjithë këto shkelje të lirive elementare të shqiptarëve atje, duke ua mohuar të drejtat elementare e duke mos ua bërë të mundur që të mësojnë për kulturën dhe historinë kombëtare, por u servon tekstet e përkthyera keq e që flasin për historitë e kulturat e të tjerëve. “Kjo vepër e punuar me përkushtim tregon se Flamuri ende po valon dhe se duhet të lexohet nga të gjithë njerëzit kudo janë e veçmas nga zyrtarët e institucioneve, me qëllim që të kuptohet e vërteta e plotë e politikës së Podgoricës  dhe qëndrimin e saj ndaj shqiptarëve në Malin e Zi dhe  problemeve të arsimit shqip në këtë shtet”, është shprehur Hysenaj. Kumtesa e prof. Hysenajt ka zgjuar interesim mes pjesëmarrësve, të cilët pastaj kanë marrë pjesë në debat duke e ngjallur atmosferën në ambientet e Asamblesë Komunale në Pejë.

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Tahir Tahiri, në fjalën e tij pasi ka përshëndetur të pranishmit dhe shoqatën “Martin Dreshaj” për përkrahjen dhe organizimin e këtij manifestimi kulturor, ka trajtuar shumë çështje lidhur me të drejtat e mohuara të shqiptarëve në Mal të Zi, duke u ndalur posaçërisht tek problemet e arsimit shqip. Ai është shprehur  se edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të Knsh-ës dhe subjekteve politike nacionale-shqiptare, drejtuar Qeverisë malazeze dhe Ministrisë së Arsimit, lidhur me problemet e shumta në fushën e arsimit shqip në Malin e Zi, situata në këtë fushë vazhdon të jetë diskriminuese për shqiptarët.Tahiri potencoi  nevojën dhe domosdoeshmërinë e përdorimit të ABETARES së unisuar edhe për shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Malin e Zi dhe u shpreh se për këtë do të kërkohet mbështetja e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

Redaktori i librit që po promovohej, dr. Nail Draga, ka bërë një pasqyrim të angazhimeve të bëra me qëllim të daljes në dritë të kësaj vepre dhe ka uruar që ajo të përkthehet edhe në gjuhën angleze për t’i dhënë mundësi edhe popujve tjerë ta lexojnë e vërejnë fatin e arsimit e kulturës shqipe në Mal të Zi. Dragaj ka thënë se libri duhet botuar edhe në gjuhën malazeze që ta lexojnë edhe zyrtarët në Podgoricë e të vërejnë gjithë ato fakte për qasjen e gabuar që bëjnë vetë ata ndaj arsimit e kulturës shqiptare në shkollat fillore në gjuhën shqipe në Malin e Zi.

Pedagogu Sefedin Përgjegjaj ka sjellë këtu kujtesën nga vitet e vrara të Kosovës kur pushtuesi serb po shfrynte gjithë mllefin ndaj fëmijëve, shkollës, arsimit dhe kulturës shqipe , por edhe në gjithë institucionet e arsimit e kulturës në Kosovë.  “Jam i  sigurt se kultura e arsimi shqip në trojet etnike shqiptare, pra edhe në Ulqin, Hot, Grudë, Kojë, Triesh e vende tjera do iu mbijetojë furtunave sepse ajo  ruhet në zemrat e pastra të fëmijëve shqiptarë atje”, theksoi Përgjegjaj.
Poeti, veprimtari e luftëtari i lirisë, Ali Geci, ka përgëzuar Anamalin për angazhimet dhe veprën e botuar duke shtuar se është mirë tani kur shqiptarët nuk po vazhdojnë “avazin e vjetër” e të heshturit, por gjërat po i vënë në letër dhe ato i shërbejnë të sotmes, por edhe gjeneratave që vijnë.

Këtë takim e ka përshëndetur edhe Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame dhe veprimtari i dalluar i Shoqatës “Martin Dreshaj”, Mulla Sadi Zeka i cili autorin e ka uruar duke e këshilluar që të vazhdojë të punojë në shërbim të kombit dhe arsimit shqip.
Autori i librit “Kultura shqiptare në tekstet mësimore të shkollës fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi “ , Mr. Flamur Anamali në fjalën e tij  ka thënë se ndjehet shumë i emocionuar me pritjen dhe me atmosferën vëllazërore këtu. Ai për përmbajtjen e librit ka folur para mediave në një takim të posaçëm me ta.

Atmosferë të ngrohtë në këtë takim kanë krijuar edhe nxënësit e shkollës “Xhemajl Kada”, të udhëhequr nga arsimtarët Haxhi Gashi e Sute Bruqaj, të cilët për këtë manifestim, kishin përgatitur një paraqitje të bukur skenike me vargje të poetit e pedagogut Agim Desku.

 

Shërbimi për informin i KNSH-ës

1