Adrian Gaxha: Si përfundoi historia ime me Luanën

October 16, 2012   | Lajmet / Vijesti

Është rikthyer sivjet tek “Kënga Magjike” me një bashkëpunim krejt të veçantë dhe me një këngë e cila po pëlqehet shumë nga publiku. Adrian Gaxha, djali i talentuar dhe i bukur i Shkupit, thotë se për të pëlqimi i publikut është më i rëndësishmi dhe, se vërtetë për të nuk kanë rëndësi çmimet nëse kënga bëhet hit. Kjo po ndodh me këngën “Ngjyra e kuqe”. Gjithashtu ai na tregoi se gjatë pjesëmarrjeve të tij në “Kënga Magjike” kurrë nuk është bërë pjesë e marrëveshjeve për pikë edhe pse shkon mirë me të gjithë këngëtarët.

Tirana i pëlqen dhe miqtë në Shqipëri i ka të shumtë. I qetë, dashamirës dhe tejet i edukuar Adriani flet lirshëm për punën dhe jetën pa u vënë në siklet dhe pa u përpjekur të përdorë fjalë të mëdha. Rrëfen se vjen nga një familje artistësh duke u krenuar me të atin që ka qenë një nga koreografët më të mirë të vendit, dhe me të vëllain që është gjithashtu një muzikant shumë i talentuar. Po ashtu Adriani me mirëbesim na flet edhe për një periudhë të rëndësishme të jetës së tij, për katër vitet e dashurisë me bukuroshen nga Tirana që quhet Luana Vjollca.
Adrian si po i kalon këto ditë? Të pëlqen Tirana?
Gjithmonë kënaqem kur vij në Tiranë sepse kam miq shumë të mirë këtu. Edhe këto ditë kam kaluar vërtetë mirë. Më kishte marrë dhe malli se këto dy vitet e fundit kam ardhur shumë rrallë për shkak se kam qenë i zënë tërë kohën me punë.
Pse çfarë ka ndryshuar këto dy vite në punën tënde?
Kam hapur një studio produksioni në Shkup, në të cilën realizohen këngë. Normalisht që kjo sipërmarrje kërkon kohën e vet, sepse deri tani unë kam punuar vetëm për këngët e mia. Po mundohem të bëj muzikë të mirë, dhe njëherësh po dëgjoj edhe vetë shumë muzikë. Puna po ecën mirë dhe më pëlqen.
Për “Këngën Magjike” ka ndonjë këngëtar që do prezantohet me këngën tënde?
Në fakt kam punuar me Shpat Kasapin për një këngë që është vërtetë e bukur, po nuk e di a do arrijmë ta përfundojmë në kohë. Të shohim.
Thuhet se me këtë punën e produksionit të këngëve fitohen shumë lekë. Është vërtetë ky një biznes kaq fitimprurës?
Është një punë që kërkon shumë kohe dhe impenjim. Nëse ia jep këto të dyja mund të them që sjell fitime.
Si të duket, si është pritur kënga “Ngjyra e kuqe”? 
Shumë mirë po duket. Më kanë shkruar pafund njerëz, edhe artistë dhe jam i kënaqur.
Si lindi bashkëpunimi me Florianin? Si u njohët?
Një miku im më çon një video nga “Youtube” ku këndon Flori dhe mua më pëlqeu shumë. Mendova se ky djalë jetonte diku jashtë Shqipërisë por miku im më tha se ndodhej në Shkup. I gjej numrin e telefonit të atit, komunikoj me të dhe kështu vendosëm të bashkëpunojmë. Flori për mendimin tim është një super talent dhe ka një zë të rrallë. Është edhe djalë shumë i mirë (qesh).


Floriani nuk na tregoi. Ti do na e thuash se kush është kjo vajza misterioze me të kuqe që ju i këndoni?
(qesh) As unë nuk e di. Është një ide tërësisht e atij që ka bërë tekstin, i cili është profesionit dhe ndër më të mirët në Shkup. Me sa kuptova, ai vetë ka parë një vajzë me të kuqe që i ka mbetur në mendje. Kur e pashë tekstin në fillim ngjyra e kuqe mu duk si e konsumuar dhe nuk më tërhoqi dhe aq. Por pastaj kur u përfundua kënga kuptova se i rrinte shumë mirë. Ndoshta vajza që pëlqen tekstshkruesi ka qenë e veshur me të kuqe, por përdorimi i kësaj ngjyre lidhet disi edhe me të kuqen e flamurit, meqë jemi në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Domethënë ti nuk ia dedikon asaj vajzës me flokë të kuqe që po mendojmë ne?
(qesh) Jo, nuk ka lidhje me të.
Ti e di që përveçse si këngëtar, pëlqehesh edhe si mashkull i bukur. Për këtë arsye jemi të sigurt që shumë femra duan të dinë a je beqar, a po “gjuan” ndokënd…? 
Mendoj që jam vetëm.
Mendon apo je?
Jam.
Vazhdon komunikon me të? (Luanën)
Po. Kemi ruajtur raporte të mira, dhe më pëlqen ky fakt. Të ndahesh keq me njerëzit nuk ka asnjë vlerë. Ajo që më pëlqen më pak tek njeriu është kokëfortësia. Unë vetë jam kokëfortë por mundohem shumë që të mos jem. Jam njeri i butë dhe përpiqem të bëhem tolerant duke lënë mënjanë kokëfortësinë. Kjo më ka bërë të ruaj marrëdhënie të mira me njerëzit dhe është diçka pozitive.
E ke takuar këto ditë që ishe këtu?
Po, e kam takuar.
Ajo ka krijuar një lidhje të re?
Me sa di unë jo. Nuk i jap rëndësi fjalëve që mund të thuhen lart e poshtë. Ajo vetë nuk më ka thënë gjë.
Sa ka zgjatur historia juaj?
Historia jonë ka zgjatur katër vjet.
Kanë qenë katër vite të lumtura?
Si të gjitha çiftet. Ka pasur momente të lumtura dhe momente më pak të lumtura. Mund të them që kanë qenë katër vite të bukura.
Keni bashkëjetuar?
Jo, por takoheshim shpesh edhe pse ishim larg.
Vije më shpesh ti, apo ajo?
Unë. Në rrethana të tilla djalit i takon të udhëtojë më shpesh për të takuar vajzën që do, apo jo…
Pse u larguat nga njëri-tjetri?
Nuk mund të them ndonjë arsye të veçantë. Si të gjitha çiftet e tjera edhe për ne erdhi një moment vendosëm të mos vazhdonim më.
Të la ajo apo e le ti?
Vendosëm me mirëkuptim të dy bashkë.
Katër vite që keni qenë bashkë jeni përpjekur që historia juaj të jetë sa më pak në media. Pse?
Unë asnjëherë nuk e kam mohuar. Gjithmonë kur më kanë pyetur unë kam pohuar se jemi bashkë. Në gjithë këto vite, kam kuptuar se me mediat duhet thjesht të pajtohesh. Ka pasur raste kur jam revoltuar për shkrime të ndryshme por në fund asgjë s’ka ndryshuar. Megjithëse është e sikletshme kur gazetat shkruajnë për gjëra shumë private.
Po me fanset femra që duhet të jenë të shumta në numër si i ke punët?
(qesh) Shumë mirë.
Nuk po të pushon telefoni. Kush po këmbëngul aq shumë që të flasë dhe ti po e refuzon vazhdimisht?
Është dikush (qesh). Dhe të mendosh që këtë numrin ka vetëm dy ditë që e ka marrë. Habitem si e kanë shpërndarë kaq shpejt.
Përditë të marrin vajza në telefon? Çfarë të thonë zakonisht? Çfarë të kërkojnë?
Në të shumtë e rasteve, edhe ato që më shkruajnë më përgëzojnë për këngët dhe japin mendimin e tyre për punën time. Ka dhe nga ato pastaj që duan të më takojnë, më ftojnë për kafe (qesh).

Adelajda Xhamani BLuetooth