Vahide Nimanbegu prezenton në Shkup pikturat e saj + Foto

October 18, 2012   | Intervista / Intervju

Miqtë e saj piktorë thonë se kjo eskpozitë solli diçka të re në Shkup, të bukur për syrin e që të zgjn ndjenja të veçanta.

Nga Ardita Imeri

Ngjyrat e qiellit detit dhe tokës janë bërë një në telajon e piktorës së re nga Ulqini Vahide Nimanbegu. Ngjyrë e kaltër ajo e ka frymëzim nga deti i vendit ku jeton, tonët e tokës i gjen kudo ku jetojnë shqiptarët duke i ndërthurur edhe me ngjyrën e kuqe, që për të është një simbolike tërësisht harmonike. Ajo prezentoi në Shkup punimet e saj në galerinë Çifte hamam, për kënaqësinë e artdashësve të shumtë.

“Unë pikturoj në menyrë abstrakte, do të thoja moderne. Punimet e mia lidhen me detin dhe qiellin, këto janë elementet e mia. Kjo është hera e parë që vij në Shkup kam marrë pjesë në Gostivar në disa koloni artistike ku kam marr edhe një çmim për pikturë” thotë piktorja Nimanbegu.

Miqtë e saj piktorë thonë se kjo eskpozitë solli diçka të re në Shkup, të bukur për syrin e që të zgjn ndjenja të veçanta.

“Shohim një pasuri koloristike, një pranverë ngjyrash ku dominon koloriti mediterian pasi piktorja vjen nga Ulqini dhe është e natyrshme qe në pikturat e saj të dominojë ngjyra e detit” thotë piktori Reshat Ahmeti.

“Punimet janë kreative, më pëlqen forma struktura si dhe vizatimet e saj” deklaroi Ymer Bajrami, piktor.

“Edhe pse përdor shumë nuanca në pikturat e veta, ajo në tablo krijon një harmoni të përshtatur në teknikën që e përdor” tha piktori Safet Spahiu.

Galeria Çifte hamam në shkup është vendi ideal për të sjellë magjinë e pikturave. Drejtoresha e Galerisë Nacionale të Maqedonisë Halide Palloshi thotë se kjo qendër gjithnjë do të jetë e hapur për aktivitete të tilla.

“Kjo ekspozitë, bashkë me të gjitha të tjerat që vazhdimisht i mbajmë në mënyrë institucionale, janë vazhde e aktiviteteve tona në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar” deklaron Palloshi.

Në kuadër të po këtij viti jubilar, është edhe ekspozita e piktorit të mirnjohur mbarëkombëtar e mbarëbotëror Omer Kaleshi e cila po në kuadër të aktiviteteve të 100 vjetorit të flamurit, do të mbahet të enjten mbrëma në orën 20 në hamamin e Daut Pashës në Shkup. Për të sjellë në këtë 100 vjetor, sipas drejtoreshës Palloshi, frymën e pikturës së mirëfilltë shqiptare e cila ka kohë e i ka kaluar kufijtë kombëtare.

YLLPRESS