Ministri Hoxhaj takon Genci Nimanbegun, Deputet shqiptar në Malin e Zi

October 19, 2012   | Rajoni / Region

Prishtinë, 19 tetor 2012 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur Genci Nimanbegun, Deputet i Koalicionit “Forca për Bashkim” në Parlamentin e Malit të Zi.

Ministri Hoxhaj e ka informuar z. Nimanbegun për progresin dhe perspektivat e zhvillimeve në shtetin e Kosovës.

Hoxhaj theksoi fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe avancimin e marrëdhënieve miqësore me të gjitha shtetet demokratike të rajonit.

Në këtë kontekst, Hoxhaj vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me Republikën e Malit të Zi, duke vlerësuar në këtë aspekt rolin dhe kontributin e shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre politikë në Mal të Zi.

Hoxhaj ka shprehur mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Kosovës për shqiptarët në Mal të Zi, duke thënë se shqiptarët e Malit të Zi përbëjnë një hallkë shumë të rëndësishme në raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve.

Në anën tjetër, Genci Nimanbegu, Deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi ka vlerësuar rolin e Republikës së Kosovës që përmes marrëdhënieve miqësore me Malin e Zi të ndikojë në avancimin e vazhdueshëm të pozitës së shqiptarëve në këtë shtet.

Nimanbegu ka theksuar edhe rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës rrugore që lidh dy vendet, sidomos përmes rrugës që lidh Plavën e Gucinë me Deçanin, e cila do të shkurtojë komunikimin ndërmjet dy shteteve dhe qytetarëve.

Ai ka veçuar rëndësinë e fuqizimit të mëtejshëm të raporteve ndërmjet dy shteteve, si dhe të komunikimit ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve të Malit të Zi dhe përfaqësuesve të Republikës e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës