Në 100 Vjetorin e Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë nderon Bashkinë Vlorë dhe trevat shqiptare; Komunën e Prizrenit-Kosovë, komunën e Çairit – Shkup dhe komunën e Ulqinit- Mal i Zi

October 19, 2012   | Ngjarjet - Events

Në kremtimet e 100 Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Kryetarja Jozefina Topalli nderoi sot komunat e Prizrenit, Çairit – Shkup, Ulqinit dhe të Bashkisë Vlorë. Të njohura në historinë tonë kombëtare, si vatrat më të flakta të atdhetarizmit, këto qytete ndezën kryengritjet më të lavdishme dhe shpalosën trimërinë e patriotëve, ngjarje, të cilat ngadhnjuan me ditën më sublime, shpalljen e Shtetit të pavaruar në Vlorë në 28 Nëntor 1912 dhe nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, si çertifikata e lindjes së Shtetit shqiptar.

Për të nderuar kontributin e pacmuar të këtyre komunave dhe të qytetit të Vlorës, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, në një atmosferë solemne, nën himnin kombëtar, ceremonia zyrtare hapi siparin në sfond me deklaratën e Pavarësisë, portretet e firmëtarëve dhe patriotëve më të shquar dhe logoja zyrtare e 100 Vjetorit. Të ftuar ishin ministra, deputetë, përfaqësues zyrtarë nga Vlora, të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, Prizren Kosova, Shkup Maqedoni, Mali i Zi, komuna e Ulqinit, Diaspora dhe personalitete shqiptarë të fushave të ndryshme.

Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj tha se, në këtë vit Jubilar, Kuvendi i Shqipërisë përkujton me nderim të madh ngjarjet që çuan në ngritjen e Flamurit në Vlorë, e më vonë, në krijimin e shtetit shqiptar “Në themelet e pavarësisë ka vënë gurë e gjithë shqiptaria, tha Kryetarja e Kuvendit. “Në këtë përvjetor të madh , të gjithë me shumë nderim e përulësi duam t’i themi Faleminderit! Faleminderit Prizrenit, faleminderit Shkupit, faleminderit Ulqinit të sakrifikuar, Faleminderit Vlorës. Mirënjohje të pafundme.

Kujtesa dhe refleksioni në udhëtimin e gjatë, të rrezikshëm e të vështirë ku kaloi kombi shqiptar, janë krenari dhe besim për qenien tonë shqiptare, por janë të çmueshme për të shikuar nga e ardhmja.Rruga për të mbërritur tek ngritja e flamurit ishte një ndërmarrje titanike, për kohën e kushtet në të cilat bëhej. Suksesi që kurorëzoi, kapërceu parashikimet, pengesat e zilinë e shumë vendeve, dhe shpërbleu shpresat e guximtarëve. Me 28 Nëntor 1912, Shqipëria thotë me zë të lartë para botës ekzistencën e saj. Të drejtën e shenjtë për të qenë e pavarur dhe e lirë. Udhëtimi shumë shekullor shqiptar kurorëzohet mrekullisht në Vlorë.” .

Kryetarja e Kuvendit në simbolikë të 100 Vjetorit të Pavarësisë në shenjë “MIRËNJOHJE” i dorëzoi Komunës Prizren, përmes kryetarit z Ramadan Muja, Riprodhimin e Akteve themelore të Shtetit Shqiptar 1912-1922”, një botim prestigjioz i Kuvendit të Shqipërisë, që mban logon zyrtare të përvjetorit Jubile dhe Emblemën e gdhendur krejtësisht me dorë dhe e larë në ar.

Ky dhurimi për Komunën e Prizrenit u bë me motivacionin: ”Në shenjë mirënjohjeje të thellë për kontributin e madh historik që lidhja e Prizrenit ka dhënë për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Ajo ishte e para lëvizje, që synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njohjen e Kombit, mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe formimin e një shteti shqiptar autonom e demokratik.

Motivacioni i nderimit për Komunën e Çairit- Shkupit, dorëzuar kryetarit z. Izet Mexhit ishte “në shenjë mirënjohjeje të thellë për Kryengritjen e Shkupit të viteve 1843-1844, ku 10,000 kryengritës nën udhëheqjen e Dervish Carës çliruan Shkupin dhe shtruan kërkesën për pavarësi, si dhe për kryengritjet e viteve 1910-1912, që përbëjnë fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe paradhomën e Pavarësisë së Shqipërisë”.

Komunës së Ulqinit, përmes kryetarit z. Nazif Cungu iu dorëzua Riprodhimi i Akteve themelore të Shtetit Shqiptar 1912-1922”, me motivacionin “Në shenjë mirënjohjeje të thellë për kontributin e madh qe Ulqini i sakrifikum e kryengritjet e Malësisë së Veriut përmes qëndresës së armatosur, qëndresë që synonte t’i bënte botës të kuptonte se Trojet Shqiptare nuk mund të trajtoheshin si plaçkë tregu. Në sajë të kësaj qëndrese, fuqitë e mëdha u detyruan të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre të padrejta ndaj Kombit Shqiptar”

Qytetit të shpalljes së Pavarësisë Vlorës iu dorëzua riprodhimi i Akteve të Themelimit me motivacionin “Në shenjë mirënjohjeje të thelle, si qendra ku u bë mbledhja e përfaqësuesve të Kombit Shqiptar, më 28 Nëntor 1912, ku delegatet nënshkruan dokumentin historik për pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhet: “.. Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë, e mosvarme…, ku Ismail Bej Vlora ngriti madhërishëm flamurin Kombëtar Shqiptar.

Në përshëndetjen e tij, kryetari i të Komunës së Prizrenit z Ramadan Muja falenderoi dhe shprehu mirënjohjen e thellë për Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli për ftesën në këtë ceremonial në shënim të 100-Vjetorit të themelimit të shtetit të pavarur shqiptar. Duke cituar Rilindasin e madh Sami Frashëri, z. Muja tha se, ” Prizreni i lashtë dhe heroik, mbetet në histori si selia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e vënies së themeleve të shtetësisë shqiptare”.

Kryetari i Komunës së Ulqinit z.Nazif Cungu tha se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar për të folur në emër të shqiptarëve të Malit të Zi në këtë ceremoni madhështore, në Kuvendin e Shqipërisë
“Vendlindja jonë kombëtare fushbetejat e para i pati pikëriosht për përpjekjet e Lidhjes së Prizrenit për të ruajtur flamurin, i cili u ngrit në Uliqin. Flamuri i heroit u ngrit për herë të parë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar më 6 prill 1911, në Gotil të malit Goçiç. Në shqiptarët e Mal të Zi e shohim me vëmendje të madhe çdo arritje të Shqipërisë dhe gëzohemi për anëtarësimin në NATO, dhe marrjes së statusit të kandidatit “- u shpreh z. Cungu.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës Çair, Shkup, zoti Izet Mexhiti Kam tha se “është nder, kënaqësi edhe përgjegjësi për të marrë pjesë në këtë aktivitet solemn ku sikurse u shpreh ai “Shkupi është barazuar me Vlorën e Pavarësisë dhe Prizrenin e lavdisë sonë historike, pa e harruar Ulqinin. Këto ditë kur e gjithë shqiptaria është në këmbë dhe është mbledhur për të shënuar 100-Vjetorin e shtetit shqiptar, krahas dhe shtetit të ri të Kosovës”.

Prefektit të Vlorës, Eduard Vecani tha se fati dhe merita solli që Pavarësia të shpallej në Vlorë, por ky akt i madh i përket gjithë trevave shqiptar Shkodër, Ulqin, Shkup,Elbasan, Tiranë, e Çamëri.

Gjatë ceremonisë, artisti i mirënjohur Bujar Asqeriu recitoi poezinë e nderë të poetit kombëtar Ali Podrimja “Une biri yt Kosove” dhe “ Atdheu” nga Fatos Arapi dhe në zërin e jashtëzakonshëm të Aurela Gaçes dhe grupi isopolifonik të Vlorës u kënduan këngë patriotike. Në mbyllje të këtij aktiviteti Kryetarja e Kuvendit duke falenderuar dhe vlerësuar kryetarët e Komunave dhe të gjithë të ftuarit, tha se “Atdheu është toka jonë e premtuar. Shqiptarët të bashkuar me njëri tjetrin, të bashkuar në Evropë”