Shkëlqejnë ekipet e klubit të karatesë “Ulqini” në Plevle

November 5, 2012   | Sporti / Sport

Klubi i karatesë “Ulqini” mori pjesë në Turneun IX ndërkombëtar të karatesë “Plevla Open 2012”

Të shtunën, më 03 nëntor 2012 në Plevle u mbajt Turneu i 9-të ndërkombëtar i karatesë “Plevla Open 2012”, në të cilin morën pjesë 39 klube me 465 garues nga Kroacia, Shqipëria, Sllovenia, Serbia, Maqedonia, Bosna e Hercegovina dhe nga Mali i Zi.

Klubi i Karatesë “Ulqini” në këtë turne ndërkombëtar mori pjesë vetëm me 3 garues, të cilët u kurorëzuan me gjithsej 5 medalje: 3 të arta, 1 të argjendtë, 1 të bronztë dhe 2 kupa. Tri garueset e Klubit të Karatesë “Ulqini” morën pjesë në disiplinat individuale dhe ekipore dhe u shpallën kampione në luftëra ekipore për juniorë dhe kata ekipore +16 (seniorë). Ekipi ishte i përbërë nga Antigona Rama, Seida Suma dhe Hantije Ibroçi. Përveç medaljeve të arta dhe diplomave, ekipet u shpërblyen edhe me nga një kupë. Po ashtu ky ekip në kata ekipore për kadetë dhe juniorë u kurorëzua me medaljen e bronztë.
Në luftëra individuale me medalje të artë u kurorëzua Antigona Rama, kurse me medalje të argjendtë u kurorëzua Seida Suma.


-Jemi më se të kënaqur me rezultatet e arrituara të këtij ekipi, pasi që ky ishte një test i mirë për ta për garat e radhës, siç është Kampionati i Malit të Zi, ku edhe aty shpresojmë që do të korrim rezultate të mira, – shprehen të kënaqur trajnerët me rezultatin e arritur, por janë shumë të zhgënjyer me përkrahjen financiare, pasi që ajo është shumë e vogël. Për këtë arsye në këtë turne klubi u paraqit vetëm me tre garues. Shpresojmë që në të ardhmnen do të kemi një përkrahje më të mirë, sepse të rinjtë tanë e meritojnë këtë.

 

Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”