Ali Rexha rikthehet në karrigen e drejtorit të Organizatës Turistike

November 10, 2012   | Lajmet / Vijesti, Turizmi / Turizam

Në momentin që vendimi të bëhet i plotfuqishëm, klienti im do të rimbursohet për tërë periudhën gjatë së cilës iu pamundësua të kryejë punën e tij, tha avokati, Vesna Gačević – Rogova  për gazetën e përditshme “DAN”.

Ish-drejtori i shërbimit profesional të Organizatës Turistike, Ali Rexha, do të kthehet në funksionin e tij sepse ashtu ka vendosur Gjykata Themelore, pasi Rexha apeloi vendimin me të cilin u shkarkua, mëson “Dan”. Pak ditë më parë përfundoi procedura gjyqësore e cila zgjati disa muaj, dhe tani pritet procesi i apelit, i cili sipas mendimit të juristëve nuk do të ndikojë në vlefshmërinë e këtij Vendimi. T’u rikujtojmë, njeriu i parë i Ulqinit, Nazif Cungu, në shkurt të këtij viti, në bazë të vendimit të KE OT, në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Organizatës Lokale Turistike, në vend të Ali Rexhës, kryetar i PPD, anëtarë i ish-qeverisë lokale, emëroi Minir Karamanagën, funksionarë i SDP – së, e cila është në kualicion me Forcën dhe DPS-in, dhe e cila ka pushtetin në komunën jugore. Me këtë vendim nuk u pajtua Rexha, duke argumentuar se kjo është një lojë politike, e mbështetur nga organet fiktive të OT (Kuvendi, Këshilli Ekzekutiv). Pasuan akuza të ndërsjellta, por pas disa muajsh akuzimesh, në bazë të padisë së drejtorit të sapoemëruar, Rexha u largua nga lokalet e OT, pas së cilës ai ngriti kundërpadi dhe para organeve gjyqësore dëshmoi se është shkarkuar në mënyrë të paligjshme. Sipas mendimit të avokatit të tij mbrojtës, Vesna Gačević – Rogova, gjykata kompetente nuk ka mundur të vendosë ndryshe duke marrë parasysh legjislacionin ekzistues.
-Bazuar në provat e paraqitura,është anuluar vendimi i kabinetit të Presidentit, me të cilin vendim klienti im u shkarkua nga posti i drejtorit. Gjithashtu u hodh poshtë kërkesa për t’u liruar zyra e drejtorit, në bazë të së cilës u miratua masa e përkohshme, kurse Rexha u largua nga zyra. Në fund, gjykata mori një vendim të ligjshëm. Pra, Ali Rexha është larguar në mënyrë të Paligjshme nga funskioni i drejtorit të shërbimit profesional të OT. Edhe në rast ankese, nuk mund të pritet një vendim i ndryshëm nga vendimi aktual. Kjo është një çështje juridike ku nuk ka vend për interpretime të ndryshme. Aplikimi i ligjit duhet të përcaktohet në mënyrë koncize dhe assesi nuk mund të interpretohet ndryshe. Në momentin që vendimi merr formë të prerë, klienti im do të rimbursohet për gjithë periudhën gjatë së cilës atij iu pamundësua të kryejë punën e tij. Gjithashtu, të gjitha aktet që janë miratuar nga organet jolegjitime të OT gjatë kësaj periudhe nuk kanë forcë ligjore – shpjegoi Gačević – Rogova.
Në deklaratën për gazetën tonë, Rexha tha se pritet që së shpejti të kthehet në punën e tij.
– Drejtësia ndonjëherë është e ngadaltë, por ajo gjithmonë fiton dhe kjo u dëshmua në këtë rast. Unë nuk kam dyshuar asnjëherë në ligjshmërinë e emërimit tim si drejtor dhe në veprimet e mija, por diskutabile kanë qenë veprimet e udhëheqësisë së re komunale. Që nga fillimi e dija se në gjykatë kjo padrejtësi do të zgjidhet në favor tim. Kam qenë i bindur për këtë! Tani janë çështje ditësh që të kthehem në vendin tim të punës. Unë do të pres që vendimi i gjykatës të bëhet i plotfuqishëm. Apelimi eventual i këtij Vendimi vetëm mund të rrisë shpenzimet procedurale, të cilat do të përballohen nga taksapaguesit. Tashmë janë harxhuar mjaft para, dhe atë në një situatë të krizës së përgjithshme. Sigurisht, gjithkush ka të drejtë të ankohet, dhe ne do të kemi durim deri në fund. Unë jam i vetmi drejtor legjitim i OT, i cili në mënyë legjitime erdhi në atë pozitë – tha Rexha.
Ai rikujtoi se përpjekja për shkarkimin e tij dhe çdo gjë lidhur me këtë që ndodhi në muajt e fundit janë shembull klasik i hakmarrjes politike.
– Njerëzit të cilët kanë ardhur në pushtet janë përpjekur që menjëherë të mirren me kundërshtarët politikë, duke mos respektuar ligjet dhe rregulloret. Unë nuk jam pajtuar me këtë gjë dhe kjo është arsyeja pse kemi një situatë të këtillë. Drejtësia fitoi në fund – tha Rexha.

Karamanaga në udhëtim
Sekretari për mbrojtjen e pronës komunale, Gzim Haxhibeti, konsideron se procedurat gjyqësore do të vazhdojnë, sepse vendimi do të apelohet.
– Unë nuk e përfaqësoj OT, por bëhet fjalë për vednimin e shkallës së parë, kështu që duhet të prisni derisa kontesti gjyqësor të përfundojë dhe të mirret vendimi përfundimtar – tha Haxhibeti. Ne u përpoqëm të marrim mendimin e drejtuesit aktual të OT, Minir Karamanaga, por na u tha se ai ishte në rrugë.

Punëtorët kanë akuzuar Drejtorin
Javën që vjen, në gjykatën themelore duhet të mbahet një seancë dëgjimore, në kontestin kundër Drejtorit Minir Karamanaga të cilin e kanë ngritur puntëtorët që pretendojnë se janë shkarkuar në mënyrë të palighshme. Aleksandër Jacoviq, Merita Rexha, Muharem Beqoviq dhe Beqir Zatoviq, te Prokurori Shtetëror i Ulqinit, Feriha Muratoviq, kanë ngritur padi penale kundër drejtorit, Minir Karamanaga, për shkak të shpërdorimit të detyrës, despotizmit dhe mobbing-ut. Të rikujtojmë, Karamanaga pasi erdhi në vend të ish-drejtorit, Ali Rexha, shkarkoi nga puna pesë punëtorët e OT për shkak të gjoja shkeljeve të disiplinës së punës dhe mungesës nga puna. Pas kësaj, punëtorët kanë deklaruar se jenë viktima të konfliktit politik mes qeverisë së mëparshme dhe kësaj aktuale.

2