Ministri Hoxhaj priti deputetin shqiptar në Mal të Zi, Fatmir Gjeka

November 10, 2012   | Ngjarjet - Events, Politika

Prishtinë, 10 nëntor 2012 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim deputetin shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, lider i “Koalicionit Shqiptar”, Fatmir Gjeka.

Pas takimit, ministri Hoxhaj ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e rregullt me partitë politike të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe me institucionet e Malit të Zi.

Hoxhaj tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka një bashkëpunim të shkëlqyer me Qeverinë e Malit të Zi.

“Dy ministritë tona kanë kontakte të rregullta dhe në baza ditore e javore kemi konsultime për çështje të interesit bilateral. Mirëpo, për ne është më rëndësi që të kemi një bashkëpunim të mirë me të gjitha partitë politike, e veçanërisht me Partinë Demokratike dhe kryetarin Gjeka”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se e ka informuar deputetin Gjeka për progresin në Kosovë, ndërsa me vëmendje e ka dëgjuar për progresin që ka arritur Mali i Zi gjatë këtyre viteve të fundit dhe për pozitën e avancuar që kanë shqiptarët në Mal të Zi.

“Është prioritet i politikës së jashtme të Kosovës që t’i mbështesë, t’i promovojë por në të njëjtën kohë edhe t’i forcojë pozitat e shqiptarëve në kuadër të jetës institucionale në të gjitha vendet e rajonit. Ky është një mision të cilin ne synojmë ta jetësojmë në baza ditore dhe ky takim ndodhi në frymën e  këtij misioni”, tha ministri Hoxhaj.

Në anën tjetër, deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, lider i “Koalicionit Shqiptar”, Fatmir Gjeka, ka vlerësuar progresin që po ndodhë në Kosovë, duke falënderuar për përkrahjen e institucioneve të Kosovës për shqiptarët në Mal të Zi.

Ai ka njoftuar ministrin Hoxhaj për angazhimet e tij në Parlamentin e Malit të Zi si dhe në kuadër të Qeverisë së Malit të Zi, pjesë e të cilës do të jetë.

“Kemi marrë përkrahjen e plotë edhe nga kryetari i shtetit të Malit të Zi për formimin e Komunës së Malësisë, me qendër në Tuz. Kjo do të jetë komuna a dytë shqiptare në Mal të Zi që është një hap shumë i madh për politikën shqiptare dhe hapat përpara të Malit të Zi”, ka bërë të ditur Gjeka, duke falënderuar ministrin Hoxhaj për përkrahjen e ofruar.

Ai po ashtu ka shprehur vullnetin që gjatë mandatit të tij në Parlamentin e Malit të Zi, përveç se të shërbejë si përfaqësues i interesave të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, në të njëjtën kohë të kontribuojë në avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të Kosovës me Malin e Zi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës