Sinishtaj: Letër e hapur për presidenten e Kosovës

November 13, 2012   | Politika

Iniciativa qytetare Tuz si pjesë e Listës zgjedhore “Forca për bashkim”, respektivisht kandidati për deputet Vasel Sinishtaj i ka dërguar një letër të hapur Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, lidhur me deklaratën e saj dhënë Radio-televizionit të Malit të Zi se si e vlerëson pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, në veçanti kërkesën për komunë të Malësisë.

Në këtë intervistë ajo ka deklaruat se të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi janë të definuara me Kushtetutë dhe se i gëzojnë të drejtat sipas aktit më të lart të shtetit të Malit të Zi. Sipas nënshkruesit të kësaj letre, kjo deklaratë, nëse paraqet qëndrimin e politikes zyrtare të Prishtinës, i çon drejt dyshimit se me të vërtetë shqiptarët në Mal të Zi po i bëjnë “monedhë për kusur”. “Ajo që dëshirojmë të na kuptoni është se ne nuk jemi kundër arritjes së të drejtave të qytetarëve që sot deklarohen malazez në Kosovë, por së paku kërkoni të njëjtat të drejta edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Përndryshe, ne me këtë letër të hapur edhe një herë ngrisim zërin për të kërkuar nga Ju që mos ti bëni qefin tjetrit në dëmin e vetvetes. Jo se jo në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësimit të shtetit amë – Shqipërisë”, thuhet mes tjerash në këtë letër duke shpresuar për një takim zyrtar brenda kohës sa më të shkurtër, të cilën e ka nënshkruar kandidati për deputet i Iniciativës qytetare Tuz si pjesë e Listës zgjedhore “Forca për bashkim”, Vasel Sinishtaj.

TVCG