Potencialet prodhuese nga Ana Malit dhe Kosova promovohen në Katërkollë të Ulqinit

November 16, 2012   | Ekonomia / Ekonomija, Lajmet / Vijesti

Foto: Ana E Malit Tradita Facebook

Manifestimi  ”Dita e shegës” i organizuar ditën e enjte në Katërkollë tejkaloi të gjitha parashikimet edhe të vet organizatoreve.
Nuk mbahet mend një manifestim i këtij lloji të jetë mbajtur në këto anë dhe interesim të tillë nga prodhuesit vendor për ekspozimin e prodhimeve të veta.

Në manifestimin Dita e Shegës” në Katërkollë të Ulqinit, u ekspozuan edhe potencialet e Kosovës nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit, tha se kjo mundëson që të tregojnë pasuritë e tyre, të tregojnë diversitetin dhe potencialin e madh bujqësor që ka komuna e Ulqinit. Ai shtoi se Liqeni i Shasit, Lumi Buna, toka pjellore dhe malet me klimë të butë mesdhetare janë kushte të përsosura për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë.

“Anamali është i njohur për prodhimin e pemëve jugore, sidomos me shegë, fiq dhe tash edhe me prodhime tjera që janë njohura dhe cilësore. Kjo zonë është potencial i madhe edhe për blegtori. Jemi duke punuar edhe për zhvillimin e bujqësisë dhe ndërtimi i rrugës nga kufiri shqiptar drejt Ulqinit, dukshëm ka ndihmuar në zhvillimin e kësaj ane”, tha Cungu.

Kurse, Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se në manifestimin “Dita e Shegës”, po prezantohen edhe potencialet e Kosovës dhe atë jo vetëm për qytetarët e Anës së Malit, por edhe ata të Ulqinit e gjithë Malit të Zi. Sipas tij kjo zonë ka potenciale dhe pasuri të jashtëzakonshme për zhvillimin e saj, Ulqinit dhe të gjithë Malit të Zi. “Pos gjitha potencialeve që ka kjo zonë, potenciali më i fuqishëm është popullata shqiptare, e cila prodhimet e tyre mund ti sjell për konsum edhe në Kosovë e të cilat do të jenë të mirëpritura nga konsumatorët”, tha Shahini.

Kabil Kurti, kryetar i Klubit të Biznesit Ana Mali, tha se ky manifestim do të bëhet tradicional dhe se Ana e Malit, është krahinë e pasur natyrore, e cila ka potenciale dhe resurse natyrore të cilat rrisin madhështinë e kësaj ane. “Ky manifestim do të jetë pikënisje për promovimin e prodhimeve vendëse të cilat do të rrisin mundësinë për një mirëqenie më të mirë”, tha Kurti.

Në këtë manifestim pos shegës u ekspozuan edhe prodhime tjera si mandarina, ullinj, fiq, mjaltë, kivi, raki djathë e tjera, jo vetëm nga Mali i Zi, por edhe Shqipëria e Kosova.

FOTO NGA ARDIAN TAIPI – Dita e Shegës Katërkollë – Facebook

2