Ulqini në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë + Video

November 27, 2012   | Bota, Lajmet / Vijesti

QËNDRESA ME DINJITET NË KAMPIN USHTARAK

Shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar Ulqini e priti si një kamp i madhë ushtarak. Ulqinakëve në atë kohë u mbeti që të jetojnë dhe të mbijetojnë me kujtimin për lavdinë e dikurshme, me frikën e përhershme, por me shpresën se e ardhmja më e mirë patjetër do të vijë.

Mbas anektimit nga Mali i Zi, më 26 nëntor 1880, Ulqini stagnoi në zhvillim. Përsëri mbeti në margjinat e historisë. Kontinuiteti u ndërpre, trashëgimia filloi të shkatërrohet në mënyrë dramatike. Administruesit e rinj nuk mund të kuptonin shpirtin dhe dëshirat e ulqinakëve, por as planet e tyre nuk përputheshin. Derisa banorët e këtij qyteti donin të mbeteshin ata që ishin dhe të punonin për prosperitetin e vet dhe prosperitetin e bashkësisë së vet, pushteti bënte përpjekje që t’i varfërojë dhe t’i asimilojë ata. Në të parën ia arritën qëllimit, në të dytën jo.

Kur malazezët e morën Ulqinin, ai kishte rreth 170 velanije, ndërsa jo më shumë se tridhjetë vjet më vonë ky numër ra në 15!? “Ulqini me anijet e veta ka një domethënie të madhe, ndërsa pa to asgjë”, shkruante vojvoda malazez Sima Popoviqi. Sepse, detaria ishte profesioni kryesor i ulqinakëve, zanati i detarit rridhte në damarët e tyre, deti ishte baza kryesore e ekonomisë dhe e jetës së tyre. Gjatë shekujve të tërë rrjedhat ekonomike detare caktonin kryesisht edhe jetën shoqërore të Ulqinit dhe të tërë kësaj treve, e madje edhe gjithë bregdetit shqiptar. Gjithmonë kur në Shqipëri flitej për detin dhe detarët, asocimi i parë ishte për Ulqinin dhe ulqinakët.

Pushteti malazez me një politikë të paramenduar e përkeqësoi situatën. Edhe pse pas anektimit zyrtarët thoshin se ulqinakët nuk do të kenë detyrime ushtarake, urdhëruan që çdo mashkull i moshës 18 deri 50 vjeçare duhet të shërbejë patjetër në ushtrinë malazeze. Një urdhër të tillë pronarët e anijeve, anëtarët e familjeve të tyre dhe të ekuipazhit (rreth 900 persona), refuzuan dhe u detyruan të shpërnguleshin në Shqipëri.

Ulqini në vitin 1912 kishte diç më pak se katër mijë banorë. Prej tyre pothuaj një të tretën e bënin joshqiptarët. Më parë se Mali i Zi ta aneksonte Ulqini kishte rreth shtatë mijë banorë, të cilët pothuaj që të gjithë ishin shqiptarë. Në Shkodër dhe në qytete të tjera në Shqipëri pas viteve 1878 dhe 1880 emigruan 413 familje, që përbënte pothuaj gjysmën e popullsisë së qytetit. Pronat e tyre pushteti malazez i ndante pa kurrfarë sistemi: kryesisht 10-20 rala tokë në fushën e Ulqinit. Toka ndahej sipas dëshirës së atij që e kërkonte ose e kishte të njohur atë që e ndante. Madje në fillim të vitit 1910 Kuvendi në Cetinë “për tu forcuar siguria e shtetit të zgjeruar në zonat kufitare” pruri “Ligjin për ndarjen dhe shfrytëzimin e Malit të Brinjës”. Nga kjo zonë janë dëbuar rreth 350 njerëz. Pjesa më e madhe e tyre iku në Shqipëri dhe në fshatin Ambull, në zonën e Anës së Malit, e cila deri në vitin 1912 gjendej në Perandorinë turke.

Mirëpo, as kjo nuk u mjaftonte kolonizuesve. Mendonin se gjithmonë do të jetonin nga meritat, e jo nga puna e tyre. Shumë nga ata, nga varfëria dhe borxhet, qenë të detyruar që pas disa vjetëve të shpërngulen dhe t’i shesin “pronat e veta” në Ulqin. Edhe më rëndë u binte fakti se ishin gjendur në rrethin që absolutisht nuk e kuptonin. “Ulqini për malazezët ishte i largët, i huaj për nga gjuha, feja dhe gjendja ekonomike”, shkruan në vitin 1909 shkencëtari çek Viktor Dvorski.

Edhe ulqinakët vështirë e pranonin pushtetin malazez, gjë që mund të shihet nga fakti që vijon. Në zgjedhjet e mbajtura në shtator të vitit 1911 votuan vetëm një e katërta e atyre  që kishin të drejtë vote. Nëse më parë kemi cekur se joshqiptarët përbënin një të tretën e banorëve të qytetit atëherë është e qartë se numri i atyre shqiptarëve që tregonin besnikëri ndaj pushtetit autokrat të krajl Nikollës ishte tepër i vogël.

Pushteti malazez përpiqej dhe dëshironte që gjithmonë në mesin e shqiptarëve të ketë njerëzit e vet duke i shpërblyer me para dhe pozita për besnikërinë e tyre. Po ashtu i shfrytëzonte për planet e veta për copëtimin e Shqipërisë dhe “çlirimin e Shkodrës”. Andaj edhe krajl Nikolla armatosi dhe ndihmoi në të gjitha mënyrat kryengritjet e fiseve malësore në Shqipërinë Veriore gjatë viteve 1911 dhe 1912 kundër pushtetit osman. Madje në Cetinë, në korrik të vitit 1912, u zhvilluan bisedime në mes përfaqësuesve të Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane për ndërprerjen e kryengritjes së shqiptarëve.

Mirëpo, Mali i Zi ndaj shqiptarëve udhëhoqi një politikë jokorrekte. Kështu në tetor të vitit 1911 ushtria malazeze e hoqi me dhunë flamurin shqiptar që ishte ngritur në Tuz, në qendrën e Malësisë.

Populli malazez për “qërimin definitiv të hesapeve me turqit” u mobilizua me propagandën e fuqishme që bëhej në shkolla, si dhe me përrallat se “Shkodra gjithmonë ka qenë pjesë e Malit të Zi”. Duke mos e kuptuar se kjo pikërisht është një grackë për Beogradin që nuk e përkrahte, krajl Nikolla i moshuar dhe me ambicie të sëmura “Serbisë si motër” i propozoi që mos të lejojnë që të krijohet një Shqipëri e pavarur dhe se kryengritjet e shqiptarëve t’i shfrytëzojnë për të ndarë Shqipërinë dhe Kosovën. Malit të Zi, sipas propozimit të tij, duhet t’i takonin Metohia (Rrafshi i Dukagjinit), Prizreni, Shkodra dhe gjysma e Sanxhakut, ndërsa Serbisë gjysma tjetër e Sanxhakut, Kosova, Shkupi, Dibra dhe Durrësi!?

Ulqini me rrethinën e gjerë gjatë tërë atij viti ishte kamp ushtarak. Në këtë hapësirë ishin vendosur rreth tetë mijë ushtarë të cilët, në sinjalin e “Gospodarit Nikollës”, përgatiteshin që përmes malit të Taraboshit të vërsulen për pushtimin e Shkodrës. Urdhri për të filluar operacionet erdhi më 24 shtator të vitit 1912 kur Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë; Serbia këtë e bëri dhjetë ditë më vonë. Menjëherë u pushtua zona tepër pjellore e Anës së Malit, ku në rreth njëzet fshatra jetonin rreth shtatë mijë shqiptarë, si dhe disa pjesë të Krajës.

Është evidente, pra, se dëshira për grabitje territoresh të reja dhe lajmi se po përgatitej shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e shtyu Cetinën dhe Beogradin që, në kundërshtim me mençurinë ushtarake, në vjeshtë të hyjnë në një luftë të re. Mirëpo, trupat malazeze dhe serbe përparuan shumë shpejt. Kështu që më 7 nëntor ushtria malazeze pushtoi Shëngjinin dhe Lezhën, në mënyrë që t’i sigurojë ushtrisë serbe depërtim më të lehtë në drejtim të Durrësit, të cilin ajo e pushtoi më 29 nëntor. Shkodra në gjashtë muajt e radhës përjetoi dramën më të madhe në historinë e vet.

Gjatë këtyre përleshjeve pushteti malazez kundër dëshirës së tyre mobilizoi shumë ulqinakë për të luftuar për pushtimin e Shkodrës, ndërsa anijet e tyre i përdori për nevojat ushtarake. Kështu, për shembull, anija “Princ Mema”, pronë e ulqinakut Mustafë Balezi, gjatë vitit 1912 u vu nën flamurin malazez. Ekuipazhin e paguante ushtria malazeze, sikur anija të gjendej në lundrim të lirë. Pas përfundimit të luftës iu kthye pronarit.

Sido që të jetë, ulqinakët nuk e kishin aspak të lehtë të mbijetonin në vatrat e tyre në rrethana të tilla, posaçërisht kur dihet se gjatë tërë historisë së tyre ishin të mbështetur në Shkodrën, e cila gjatë dy mijëvjeçarëve e gjysmë ishte qendër kulturore dhe politike e popullit shqiptar. Mirëpo, me besim, durim dhe tolerancë, megjithatë ia arritën që të mbijetojnë në këtë vend të rrahur nga erërat. Shkencëtari rus Pavle Apollonoviç Rovinski, i cili qëndroi gjatë në Ulqin, shkruan se ata posedojnë “karakteristika të veçanta të cilat malazezët nuk i kanë, siç janë zgjuarsia, dashuria ndaj punës dhe kënaqja në masë të caktuar me nevojat materiale jetësore”.

Mirëpo, edhe përkundër të gjitha këtyre pushteti i përjetonte shqiptarët si trup i huaj. “Nuk është larg koha kur ata do të zhduken tërësisht. Kjo do të ndodhë dalëngadalë, pothuaj në mënyrë të padukshme”, shkruante vojvoda i lartpërmendur Popoviq. Kjo, fatmirësisht, nuk ndodhi, sepse edhe Popoviqi erdhi në përfundim se ulqinakët e duan vendin e vet jashtëzakonisht: “Ulqinakët pothuaj të gjithë janë detarë. Ata të cilët nuk marrin pjesë në lundrim kanë nga një copë tokë, kryesisht ullishta, e gjithashtu edhe pemishte dhe bahçe. Të gjitha këto së bashku me magjinë dhe rehatinë e jetës pranë detit të ngrohtë kanë zhvilluar tek banorët e Ulqinit besnikërinë e papërballueshme ndaj vendit të vet”.

Ulqinakëve në kohën e shpalljes së pavarësisë së shtetit të vet amë u mbeti që të mbijetojnë me kujtimet në lavdinë e vjetër, që edhe pse në frikë të vazhdueshme, të përpiqeshin të ruajnë gjuhën e vet, traditën dhe adetet, gjithmonë me shpresën se e ardhmja më e mirë do të vijë patjetër. Pikërisht para një shekulli shkencëtari çek Jozef jan Svatek në mënyrë profetike shkroi: “Jam i sigurt se nuk do kalojë shumë kohë dhe se me rritjen e numrit të mysafirëve Ulqini do ta tejkalojë mungesën e komforit dhe atëherë do të bëhet njëri ndër këndet më të bukura të Adriatikut, po ashtu edhe më romantiku”.

Kështu edhe ndodhi! Falë Zotit, sot në Ulqin proporcionalisht jetojnë më shumë shqiptarë sesa njëqind vjet më parë dhe me dinjitet festojnë jubileun e madh të shtetit shqiptar.

 

Mustafa CANKA

26