Zyrtarët e Malit të Zi urojnë 100-vjetorin e Shqipërisë

November 28, 2012   | Ngjarjet - Events

Ceremonia festive më pas zhvendoset në Tiranë ku kanë arritur edhe personalitete të larta shtetërore nga rajoni e bota, midis të cilëve edhe presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviq.

Në përbërje të delegacionit të Malit të Zi, përveç presidentit Vujanoviq është edhe ministri për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, Hamdi Hasani. Kryetari i Parlamentit italian Gianfranko Fini është ndër të parët personalitete të lartë të ftuar që ka mbërritur në Shqipëri me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Personalitete të tjera të cilët kanë mbërritur në Tiranë janë nënkryetarët e parlamentit Austrisë, Bullgarisë, Polonisë e Marokut, parlamentarë nga Franca, Pakistani, Jordania e tjerë. Edhe një delegacion i Serbisë, i udhëhequr nga ndihmësministri i Jashtëm, Zoran Vujiq, merr pjesë në shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë.

Lukshiq uron qeverinë shqiptare për përvjetor të 100-të

Kryetari i Qeverisë Igor Llukshiq ia ka uruar kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, në emër të Qeverisë dhe në emrin tim, shtetit tuaj dhe qytetarëve u dëshiroj sukses dhe përparim të gjithanshme, thuhet në urimin e Llukshiqit.

Ai ka theksuar se është i kënaqur me marrëdhëniet e Malit të Zi dhe Shqipërisë, për të cilat ka thënë se vitet e fundit janë gjithnjë e më të forta. Duke pasur parasysh se së bashku synojmë që të bëhemi pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian, shpreh gatishmëri që të vazhdojmë me zbatimin e reformave të domosdoshme me qëllim të arritjes së anëtarësisë në BE dhe NATO. Shpresoj se Shqipëria së shpejti do të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, ka thënë Llukshiq. Ai ka shtuar se është i sigurt se Mali i ZI dhe Shqipëria, me konsultime dhe programe konkrete të bashkëpunimit do të përmirësojë marrëdhëniet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

TVCG