Ramush Haradinaj mbërrin në Kosovë – Video

November 29, 2012   | Rajoni / Region

Haradinaj kthehet sot, ta presim të gjithë fitimtarin

Këshilli Organizues për pritjen e Kryetarit të AAK-së dhe ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, njofton se Haradinaj pritet të arrijë në Aeroportin e Prishtinës në ora 17:00 me një fluturim të veçantë nga Holanda.

Adresimin e parë para mediave do ta ketë në aeroport rreth orës 17:15. Pritja është e organizuar nën mbikëqyrjen e protokollit të shtetit.

Në ora 19:00 Haradinaj pritet t’ui adresohet qytetarëve në Sheshin “Nënë Tereza”.

(RTK)

Ramush Haradinaj ka mbërritur në Aeroportin e Prishtinës diku pas orës 17:15, pasi që Tribunali i Hagës e shpalli atë sot të pafajshëm dhe e liroi nga të gjitha akuzat që e ngarkonin atë dhe dy ish bashkëluftëtarët nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Lahi Ibrahimaj e Idriz Bala, me krimet e luftës.

Haradinaj është kthyer në Prishtinë përmes një linje direkte nga Haga me protokoll shtetëror të mundësuar nga Qeveria e Kosovës.

Në Aeroportin e Prishtinës ai është pritur nga kryeministri Hashim Thaçi, zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe familjarë e të afërm.

Pas zbritjes nga aeroplani, Haradinaj ka ecur nëpër tepihun e kuq dhe me nderimet e Gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Haradinajn po e presin edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të mbledhur si tek Aeroporti ashtu edhe në qendër të Prishtinës, ku ai pritet t’u drejtohet edhe me një fjalim përshëndetës.

Hagë: Haradinaj, Balaj e Brahimaj, të pafajshëm

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka liruar nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës” u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto.

Rigjykimi i pjesshëm ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të  Kosovës për zonën operative të Dukagjinit, Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Brahimaj dhe Balaj, kishte nisur në korrik të 2010-ës.

Treshja akuzohej për “trajtim mizor, torturimin dhe vrasjen e të burgosurve” në atë që quhet kampi ushtarak i Jabllanicës në periudhën 1 mars – 30 shtator të 1998-ës.

Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj u patën liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj qe dënuar me gjashtë vite heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturimin” e të burgosurve të UÇK-së.

Rigjykimi që nisi më se dy vite më parë, pat ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rendësishëm”.

Pavarësisht mosangazhimit të tij politik gjatë kohës sa zhvillohej rigjykimi i pjesshëm, Haradinaj ka mbetur kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, drejtimin e së cilës pritet ta vazhdojë pas kthimit në Prishtinë.

Vendimi i Tribunalit të Hagës në rastin Haradinaj e të tjerët vjen rreth dy javë pasi kjo gjykatë hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë për dy ish-gjeneralët kroat, Ante Gotovina dhe Mladen Markaç.

Sipas vendimit në fjalë, të dy gjeneralët ishin dënuar me 24 dhe 18 vite heqje lirie për shkak të bashkëpunimit gjatë operacionit “Stuhia” të kryer në verën e vitit 1995 në Krajinë të Kroacisë.

Radio Evropa e Lirë – RFE/RL