Krijohet Kuvendi Kombëtar i Njësive Vendore Shqiptare + Foto

December 1, 2012   | Ngjarjet - Events

Krahas ngritjes së flamurit në Tiranë, nga sot 26 nëntori do të kujtohet edhe si dita e vendimit për krijimin e Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare. Krijimi i kuvendit u formalizua sot me miratimin e të zgjedhurve vendorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi e Presheva.

“Uroj që kjo datë e rëndësishme për qytetin e Tiranës, të kthehet në një datë për t’u mbajtur mend edhe për qytetarët që ne përfaqësojmë sot rreth kësaj tavoline, duke i dhënë sot aprovimin formal një prej iniciativave që kemi diskutuar së bashku këtu në Tiranë por edhe në Prishtinë, në Tetovë, në Preshevë, në Ulqin dhe kudo tjetër, në Gjakovë, atë të themelimit të Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare. Një kuvend i përhershëm, i organizuar sipas përvojave më të mira ndërkombëtare, evropiane e që do të shërbejë për të çuar sa më përpara, praktikat më të mira të mirëqeverisjes lokale dhe njehsimin kombëtar, pavarësisht se ku jetojnë qytetarët tanë, caktimin e një sekretariati për të ndjekur aktualizimin e kësaj iniciative dhe nisjen pa vonesë të një kalendari, i cili do të na afrojë më shumë me njëri – tjetrin, do të bëjë të mësojmë më shumë nga përvojat e njëri – tjetrit, të ndihmojmë për të zgjidhur probleme të përbashkëta apo të përveçme, që gjithsecili prej nesh ka dhe me të cilat ballafaqohet, siç ballafaqohen qytetet dhe qytetarët tanë dhe të çojmë përpara nëpërmjet kësaj ndjesie të ribashkimit kombëtar, aspiratën e qytetarëve tanë për identitet evropian dhe për bashkim në Bashkimin Evropian” – theksoi Kreu i Bashkisë Lulzim Basha.

Fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha:

“Të nderuar kryetarë të njësive vendore, të bashkive dhe komunave;

Zoti kryetar i Komunës së Prishtinës, Profesor, Doktor Isa Mustafa, z. kryetar i Komunës së Tetovës, Profesor Doktor z. Sadi Bexheti, z. kryetar i Komunës së Gostivarit, z. Kryetar i Komunës së Strugës, i Komunës së Dibrës së Madhe, i Komunës së Prizrenit, i Komunës së Pejës, i Komunës së Gjilanit, të Komunës së Ferizait, të Komunës së Podujevës, z. Avni Kastrati, i Komunës së Mitrovicës, zoti kryetar i Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu, z. Kryetar i Komunës së Preshevës, z. Rahmi Mustafa;

I nderuar zoti Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, zotërinj deputetë të Qarkut të Tiranës, z. Kryetar Shpëtim Idrizi, i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, z. Dashamir Shehu, z. Kryetar i Partisë Republikane Fatmir Mehdiu;

I nderuar mik i veçantë z. Destani, Nazif Destani;

Të nderuar përfaqësues të familjeve që ngritën flamurin në Tiranë, sot 100 vjet më parë;

Të nderuar të ftuar!

Një emocion i veçantë për mua sot që i mikpres në këtë drekë, që i paraprin një ngjarje të veçantë për këtë ditë historike, për qytetin tonë, atë të shpalosjes së monumentit të Shqiponjës Kombëtare, shqiponjës që i ka bashkuar shqiptarët ndër shekuj, që ka qenë për ta një nga tre tiparet dallues, përpos gjuhës dhe gjakut, për të cilin ka derdhur gjak dhe me cilën janë krenarë dhe krenohen edhe sot. Kam kënaqësinë e veçantë, që këtë ta bëjmë në praninë e personaliteteve të shquara të të zgjedhurve vendorë, që përfaqësojnë të gjithë trevat shqiptare sot, në tokat tona stërgjyshore, në Ballkan.

Dje, në një ngjarje kulmore historike në Shkup, i cili deri para pak dekadash mbante vendin e qytetit më të madh shqiptarëve, ne pamë se si ndjenjat e vetëndjesimit kombëtar, të dashurisë për njëri-tjetrin, simboleve tona kombëtare dhe përkushtimit ndaj amaneteve që na ka lënë historia shkuan edhe njëherë në pikën e vlimit, duke i kujtuar brezave të sotshëm dhe të ardhshëm dhe gjithë fqinjëve, se kombi shqiptar është një dhe i pandarë.

Nëse kufijtë shqiptarë të një historie të padrejtë nuk mund të përbëjnë më barriera ndarëse për bashkimin tonë ekonomik – kulturor, shpirtëror e në të gjitha rrafshet e tjera, duke respektuar identitetin dhe destinacionin tonë kombëtar, si qytetarë të Bashkimit Evropian, pavarësisht kufijve administrativë që na ndajnë, ky është një përkushtim i madh, është një besëlidhje e re shqiptare por tashmë jo vetëm për të shpëtuar kombin tonë, por për të çuar përpara një aspiratë, të cilën e ndajmë me të gjithë fqinjët tanë progresivë që kërkojnë paqe dhe përparim. Është aspirata e integrimit evropian të shqiptarëve dhe të gjithë rajonit, ku shqiptarët nga vetë historia janë dhe do të mbetën pararojë, sepse e shikojnë tek ky integrim përmbylljen e problematikës shekullore të copëtimit të kombit shqiptar. Për ne, të zgjedhurit vendorë kjo ka një domethënie të veçantë, mundësitë tona për të kontribuar në një komunikim më të përhershëm, më intensiv të biznesit, të artit, të sportit dhe në veçanti të qytetarëve që përfaqësojnë janë shumë më të mëdha, nga sa kemi arritur deri më sot.

Dita jonë është e madhe, për të bërë të mundur që në rrafshin ekonomik, kulturor, sportiv, shpirtëror dhe veçanërisht njerëzor. Pra, qytetarë me qytetarë të arrijmë të shkrijmë përfundimisht mbeturinat dhe jehonat e kufijve, që na kanë ndarë ndër shekuj, të shkëmbejmë përvojat më të mira të mirëqeverisjes lokale, të transparencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve dhe të jemi më të pranishëm në qytetet, bashkitë, komunat dhe trevat e njëri – tjetrit.

Uroj që kjo datë e rëndësishme për qytetin e Tiranës, të kthehet në një datë për t’u mbajtur mend edhe për qytetarët që ne përfaqësojmë sot rreth kësaj tavoline, duke i dhënë sot aprovimin formal, një prej iniciativave që kemi diskutuar së bashku këtu në Tiranë, por edhe në Prishtinë, në Tetovë, në Preshevë, në Ulqin dhe kudo tjetër, në Gjakovë, atë të themelimit të Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare, një kuvend i përhershëm, i organizuar sipas përvojave më të mira ndërkombëtare, evropiane e që do të shërbejë për të çuar sa më para, praktikat më të mira të mirëqeverisjes lokale dhe njehsimin kombëtar, pavarësisht se ku jetojnë qytetarët tanë, caktimin e një sekretariati për të ndjekur aktualizimin e kësaj iniciative dhe nisjen pa vonesë të një kalendari, i cili do të na afrojë më shumë me njëri – tjetrin, do të bëjë të mësojmë më shumë nga përvojat e njëri – tjetrit, të ndihmojmë për të zgjidhur probleme të përbashkëta apo të përveçme, që gjithsecili prej nesh ka dhe me të cilat ballafaqohet, siç ballafaqohen qytetet dhe qytetarët tanë dhe të çojmë përpara nëpërmjet kësaj ndjesie të ribashkimit kombëtar aspiratën e qytetarëve tanë, për identitet evropian dhe për bashkim në Bashkimin Evropian.

Edhe një herë shpreh mirënjohjen e thellë për ardhjen tuaj sot këtu në Tiranë, në këtë ditë të veçantë për qytetin dhe për kryeqytetin e Tiranës dhe uroj që së bashku me kremtimet e kësaj dite të 100 vjetorit të ngritjes së flamurit kombëtar në Tiranë, që i paraprin ngjarjes historike të 28 nëntorit, shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, po kështu të mund të frymëzohemi dhe të bëjmë detyrën tonë karshi dekadave, në 100 vjetorin që po troket në portat tona.

Faleminderit dhe gëzuar !”

Lulzim Basha –  Facebook