Forca ka miratuar Aneks mbi marrëveshtjen dhe veprimin e përbashkët politik në Qeverinë e re të Malit të Zi

December 3, 2012   | Politika

FORCA E RE DEMOKRATIKE

NOVA DEMOKRATSKA SNAGA

Bul. Skenderbeupn/bb 85360 Ulqin/Ulcinj

Tel:. +382 030 401 760 Fax:; +382 030 401 761

info@forca.me, www.forca.me

Ulqin, 03.12.2012

KONFERENCË PËR MEDIA

 

Këshilli qendror i Forcës në mbledhjen e mbajtur mbrëmë, ka miratuar Aneks marrëveshtjen mbi veprimin e përbashkët politik në Qeverinë e re të Malit të Zi.

 

Paraprakisht Forca me Partinë Boshnjake dhe Iniciativën Qytetare Kroate ka përfunduar Platformën politike mbi principet e veprimit të përbashkët për avancimin e pozitës së popujve pakicë në Mal të Zi si dhe Marrëveshtjen mbi veprimin e përbashkët politik për formimin e shumicës parlamentare dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Me Platformën politike mbi principet e veprimit të përbashkët për avancimin e pozitës së popujve pakicë në Mal të Zi janë të përforcuara qëllimet themelore dhe të veçanta të veprimit të përbashkët të partive të pakicave të cilat synojnë në realizimin e një shkalle më të lartë të integrimit në proceset e demokratizimit të shoqërisë, reformat e mëtutejshme në përputhje me principet evropiane, përkrahja e mëtutejshme e demokratizimit të shoqërisë me qëllim të hyrjes në Unionin Evropian dhe integrimet euroatlantike, të gjitha për hir të avancimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave dhe mbrojtjen e specificitetit të identitetit të tyre, si dhe përmirësimin e kushteve jetësore.

Me marrëveshtjen mbi veprimin e përbashkët politik për formimin e shumicës parlamentare dhe qeverisë së Malit të Zi, janë të definuara orijentimet për bashkëpunim ndërmjetsorë dhe shpërndarjen e funksioneve prej të cilave veçoj:

–          Pikënisjen për definimin e Marrëveshtjes e përbëjnë orientimet programore të partive dhe koalicioneve nënshkruese, marrëveshtjet e nënshkruara në mes të partive dhe koalicioneve, si dhe Platforma politike mbi principet e veprimit të përbashkët të partive dhe koalicioneve të popujve pakicë.

–          Partitë obligohen në respektim të ndërsjelltë, afirmimin e vlerave të të gjithë nënshkruesve të Marrëveshtjes dhe komunikim të mire ndërmjet.

–          Partitë do ta përkrahin zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi nga radhët e SDP-së.

–          Partitë obligohen se duke respektuar rezultatet e zgjedhjeve  parlamentare, do të përkrahin zgjedhjen e Kryetarit të Qeverisë së Malit të Zi nga radhët e DPS-it.

–          Nënshkruesit e marrëveshtjes obligohen se do të përkrahin dhe do të bashkërendojnë aktivitetet e Qeverisë në përcaktimin dhe implementimin e politikës zhvillimore të Malit të Zi dhe në këtë funkcion angazhimin e kapitalit dhe të investitorëve strategjik.

Me aneks të Marrëveshtjes mbi veprimin e përbashkët politik, është vërrtetuar se së bashku do të bëjnë përpjekje në përshpejtimin e procesit të themelimit të Komunës së Malësisë/Tuz.

Poashtu me Aneks Marrëveshtje janë të vërrtetuara edhe funksionet të cilat do ti takojnë koalicionit „Forca për bashkim“ dhe ato janë: Kryetari i Këshillit Drejtues të „Të Mirave detare“, 2 ndihmës ministra si dhe 6 përfaqësues në funksione të cilat i zgjedh, vendos dhe emëron Kuvendi dhe Qeveria e Malit të Zi.

 

Kryetari,

Nazif Cungu

2