“Rrugëtimi i kombit” rikthen artistët shqiptarë më të famshëm në botë

December 4, 2012   | Lajmet / Vijesti

Koncerti “Rrugëtimi i kombit” me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë mblodhi në skenën e  Pallatit të Kongreseve rreth 300 artistë. Për më shumë se një orë artistët që zhvillojnë aktivitetin artistik në Shqipëri, por dhe emra të njohur artistësh shqiptarë në botë sollën një koncert, i cili përcolli jo pak emocione në publik. Emrat më të spikatur që morën pjesë në këtë koncert ishin Olen Çezari, Genc Tukiçi, Inva Mula, Saimir Pirgu, Klodiana Skënderi, Enkelejda Shkoza, Dëshira Ahmeti, Engjëllushe Bacaj, Gëzim Myshketa, Eva Golemi, Enada dhe Gerd Vaso, Marjana Leka, Armando Likaj, Vikena Kamenica, Erjona Gjyzeli, Suela Piciri, Fatlinda Thaçi, etj. Në këtë koncert nuk mungonte dhe kori i fëmijëve të Liceut Artistik “Jordan Misja”, por dhe nxënës të Shkollës Kombëtare të Koreografisë.

Drejtimi i orkestrës ishte nga emrat e njohur shqiptarë, Ermir Krantja, Zhani Ciko, Bujar Llapaj, Eno Koço dhe Suzana Turku. Në këtë koncert u interpretuan këngë të njohura patriotike, por dhe arie të cilat i takojnë repertorit shqiptar, mes tyre përmendim pjesë nga opera “Skënderbeu” e Prenkë Jakovës, pjesa nga opera “Mrika”, “Një jetë në stuhi”, “Himni i flamurit”, “Goca e kaçanikut”, “Për ty atdhe”, etj. Në koncert sopranoja Mariana Leka në skenë u ngjit me arien e Donikës nga opera “Skënderbeu”, tenori i njohur Saimir Pirgu interpretoi “Dua më shumë Shqipërinë”, si dhe këngë të tjera të njohura të repertorit shqiptar, sopranoja Inva Mula solli në skenë këngën “Për ty atdhe” si dhe krijime të tjera patriotike, por dhe artistë të tjerë pjesëmarrës në koncertin jubilar të 100-vjetorit u prezantuan me krijimtarinë e autorëve më të njohur shqiptarë.

Për violinisten e njohur shqiptare Suela Piciri, ky koncert jo vetëm që është shumë i rëndësishëm në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë, por ai rikthen së bashku të gjithë artistët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. “Jam shumë e lumtur që marr pjesë në këtë koncert. Është një moment shumë i rëndësishëm, është 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ky koncert sjell në skenë artistët shqiptarë që jetojnë larg Shqipërisë, dhe sonte me krijimtarinë shqiptare janë emocione të  mëdha”, u shpreh pak orë para koncertit violinistja shqiptare Suela Piciri, e cila po zhvillon një aktivitet artistik në skenën italiane. Koncerti ishte nën drejtimin artistik të sopranos Inva Mula, zëvendësministres së Kulturës Suzana Turku dhe drejtorit të TOB, mjeshtrit Zhani Ciko. Në këtë koncert ishin të ftuar jo vetëm personalitete të politikës shqiptare, por dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë, e më gjerë.

Koncerti i 100-vjetorit
Për herë të parë ishte “Rrugëtimi i kombit” ai që mblodhi së bashku në skenë në një mbrëmje të vetme të gjithë artistët shqiptarë që sot kanë një karrierë të suksesshme në botë, por dhe të tjerë që janë në Shqipëri. Shumë prej tyre kishin ndërprerë dhe provat për të qenë në skenën e Pallatit të Kongreseve në datën 28 nëntor, duke iu bashkuar festimeve të të gjithë shqiptarëve.

I veçantë në këtë koncert ishte dhe rikthimi i Inva Mulës, e cila vetëm dy ditë më parë promovoi dhe albumin e saj titulluar “Për ty atdhe”. Albumi mban për titull këngën e njohur të kompozuar nga i ati i sopranos, Avni Mula dhe e kënduar në origjinal nga Mentor Xhemali.

Në këtë album janë përmbledhur 12 këngë patriotike, midis të cilave edhe Himni Kombëtar shqiptar, të përpunuara nga Genc Tukiçi, për  të cilat ai thotë se vijojnë në një formë lirike. E ndërsa koncerti mbrëmë ishte vetëm në fokus të 100-vjetorit të Pavarësisë, publiku pati mundësinë të shijojë interpretimin e shumë artistëve shqiptarë që sot jetojnë larg Shqipërisë dhe prej kohësh i kanë munguar skenës shqiptare.

Gazeta Sot