Art Club – KNSH botuan 3 Libra per femijet tane

December 5, 2012   | Kulturë / Kultura

“Art Club” dhe KNSH në Malin e Zi botojnë tri vepra letrare në kuadër të projektit “Libra për fëmijët tanë”

 

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” kanë botuar tri vepra letrare në kuadër të projektit “Libra për fëmijët tanë”. Në fazën e parë të realizimit të këtij projekti janë botuar përzgjedhjet me poezi “Xixëllonjat e vogla” e Qamil Guranjakut, “Magjia e detit” e Hajro Ulqinakut dhe “Guxo” e Ndre Mjedës.

Redaktor i të tre librave është shkrimtari Haxhi Shabani, recensentë janë shkrimtarët Hajro Ulqinaku, Asllan Bisha dhe Hajredin Kovaçi, kurse përzgjedhjen e poezive të Hajro Ulqinakut e ka bërë Ardita Rama.

Projekti “Libra për fëmijët tanë” i cili përfshin botimin e veprave letrare themelore kushtuar fëmijëve të shkollës fillore dhe atyre të kopshteve në vendlindje, si dhe fëmijëve shqiptarë në diasporë, vlerësohet si një ndër projektet më të rëndësishëm në fushën e veprimtarisë botuese për shqiptarët në Malin e Zi. Ai ka për qëllim pasurimin e bibliotekave të qyteteve dhe atyre shkollore me vepra të autorëve të njohur shqiptarë për fëmijë, që shërbejnë si lektyra shkollore. Këto libra do të shpërndahen nëpër bibliotekat e qyteteve dhe bibliotekat e shkollave në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi.

Librat janë botime cilësore me lidhje të fortë. Ato janë shtypur në shtypshkronjën “Grafo – Bale” në Podgoricë, ndërsa botimi i tyre është financuar nga Fondi për Pakica në Malin e Zi.

 

 

Ulqin, më 02.12.2012                                                                             

 

SHAI “Art Club”