Klubi i karatesë “Ulqini” përsëri tregon fuqinë e vet

December 10, 2012   | Lajmet / Vijesti, Sporti / Sport

Më 02 dhjetor 2012 u mbajt Kupa e 33-të e Karatesë “Kup Oslobogjenja Podgorice”, ku morën pjesë 23 klube me mbi 550 garues, nga Bosna e Hercegovina, Serbia, Kroacia, Maqedonia, Sllovenia, Holandia, Hungaria dhe klubet nga Mali i Zi.

KK “Ulqini” në këtë turne mori pjesë me 47 garues, të cilët arritën të fitojnë numrin më të madh të medaljeve nga të gjitha klubet e tjera pjesëmarrëse – gjithsej 57 medalje në disiplinat ekipore dhe individuale: 24 të arta, 18 të argjendta, 15 të bronzta dhe dy kupa.-Është ky një sukses i shkëlqyeshëm dhe i mirëseardhur për Klubin tonë, duke ditur se turneu ishte mjaft i fortë, pasi që morën pjesë shumë shtete dhe klube shumë të fuqishme të karatesë. Ne në këtë turne nuk morëm pjesë të kompletuar me garues, sepse të njëjtën ditë u mbajt Kampionati Mbarëkombëtar i Karatesë për Seniorë në Tiranë, në të cilin po ashtu ishim shumë të suksesshëm.

Deri në fund të sezonit të dytë të garave nuk na kanë mbetur edhe shumë gara dhe mund të themi se këtë vit po e mbyllim me sukses shumë të madh në arenat vendore, kombëtare dhe ata ndërkombëtare.

Më 22.12.2012 do të mbahet Kampionati i Malit të Zi për Pionierë, Kadetë, Juniorë dhe Seniorë të rinj, ku dhe presim suksesin e radhës nga garuesit tonë, të cilët janë mjaft të përgatitur. Po ashtu na pret dhe turneu i fundit për këtë sezon në Elbasan, Shqipëri, “Elbasani Open 2012”, me të cilin do të mbyllim sezonin e dytë të vitit 2012, i cili ishte vit shumë i suksesshëm për ne, gjatë të cilit morëm pjesë në 27 turne të ndryshëm, si në vend, ashtu dhe jashtë vendit, duke qenë në hap me më të mirët, – shprehen të kënaqur udhëheqësit dhe trajnerët e klubit për rezultatet e arritura në vitin 2012.

Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”

1