Sretena Gjuriq dhe Liridona Ceka kampione

December 25, 2012   | Ngjarjet - Events, Sporti / Sport

Klubi i karatesë UlqiniKlubi i karatesë “Ulqini” mori pjesë në dy gara: në Kampionatin e Malit të Zi dhe në turneun “Elbasani Open 2012”

                       Sretena Gjuriq Dhe Liridona Ceka Kampione

Të shtunën, më 22 dhjetor 2012 në Podgoricë u mbajt Kampionati i Karatesë së Malit të Zi për fatosa dhe pionierë në kata individuale dhe ekipore dhe Kampionati për kadetë, juniorë dhe seniorë të rinj. Klubi i karatesë “Ulqini” edhe kësaj here dëshmoi primatin e vet duke qenë klub i sukseseve të arta.

Në disiplinën individuale në luftëra kampione e Malit të Zi u shpall Sretena Gjuriq, juniore, +59 kg, kurse në kata individuale kampione e Malit të Zi u shpall Liridona Ceka. Po ashtu kampion i Malit të Zi u shpall edhe ekipi i pionierëve në kata i përbërë nga Emin Kulla, Emro Bajrami dhe Elvir Islami. Nënkampionë të Malit të Zi në disiplinat individuale u shpallën Venesa Nuhi, Antigona Rama dhe Hantije Ibroçi. Po ashtu nënkampionë të Malit të Zi u shpallën edhe 2 ekipe: ekipi i kadetëve dhe juniorëve në kata i djemve dhe i vajzave. Ekipi i djemve ishte i përbërë nga Lulzim Suma, Nderim Cuca dhe Edin Kraja, kurse ekipi i vajzave ishte i përbërë nga Venesa Nuhi, Antigona Rama dhe Seida Suma.

Me medalje të bronztë u kurorëzuan 5 garues. Në luftëra individuale me medalje u kurorëzuan Lulzim Suma, Edin Kraja, Seida Suma, Hantije Ibroçi dhe Albion Duraku. Në kata individuale me medaljen e bronztë u kurorëzua Hantije Ibroçi.

Klubi i Karatesë “Ulqini” në Kampionatin e Malit të Zi mori pjesë me 16 garues, të cilët u kurorëzuan me gjithsej 19 medalje në disiplinat individuale dhe ekipore.

Të hënën, më 24 dhjetor 2012 në Elbasan, Shqipëri, u mbajt Turneu i 12-të i Karatesë “Elbasani Open 2012”, në të cilin morën pjesë garues nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe ne nga Ulqini.
Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë me 3 garues: Antigona Rama, Hantije Ibroçi dhe Albion Duraku, të cilët  u kurorëzuan me 6 medalje të arta në disiplinat kata dhe luftëra individuale.

Me këto gara Klubi i Karatesë “Ulqini” përfundon sezonin e garave për vitin 2012. Me sakrifica të mëdha klubi mori pjesë në 28 gara në vitin 2012 duke shkëlqyer me një numër të madh të medaljeve dhe kupave dhe gjithmonë ishte ndër më të mirët. Karateistët e klubit “Ulqini” vazhduan të rradhisin suksese edhe këtë vit, çka bëri që të jenë edhe më të mirë se vitin e kaluar.

Klubi i Karatesë “Ulqini”  në vitin 2012 është fitues i 36 kupave dhe 638 medaljeve: 251 të arta, 197 të argjendta dhe 190 të bronzta në garat vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare në disiplinat ekipore dhe individuale.

Udhëheqësia dhe trajnerët e klubit të karatesë “Ulqini” falënderojnë të gjithë ata që i përkrahën gjatë vitit 2012, edhe pse ato ishin të pakët, me shpresë që ndoshta, kur të shihen e njihen këto suksese, vitin e ardhshëm përkrahja do të jetë më e madhe.

Udhëheqësia, trajnerët dhe garuesit e klubit të karatesë “Ulqini” i urojnë të gjithëve festat e fundvitit dhe gëzuar Vitin e Ri 2013!!!

 Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”